Të jetosh për(k)ulur

Oct 29 • Meditimi i ditës

29 tetor 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 4, 32 – 5, 8; Ps 1; Lk 13, 10-17)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës apo të natës.

Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.

Çfarë bekimi i mrekullueshëm!

Nuk kam nevojë për telefon apo e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Lehtë është të bihet në grackën e pasurive të kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia, grykësia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë s`mund të blihen – ato janë falas.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe shoqërimi.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën time me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmes njerëzve të tjerë ma ke shfaqur përkujdesjen tënde.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Lk 13, 10-17

 

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin ‑ shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s’mund të drejtohej drejt assesi. 12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha:

“Fisnike, ja, u shërove prej sëmundjes sate!”

13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.

14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit:

“Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!”

15 “Shtiracakë! ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ A nuk e zgjidh secili nga ju prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë? 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!”

17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që bëri.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi tregoi gjithmonë dhembshuri të madhe për ata që vuanin dhe lëngonin nga ndonjë sëmundje. Kur e ke dëgjuar leximin si e ke imagjinuar atë? Si u ndjeve? Çka mendon për qëndrimin e kreut të sinagogës?
  • Cila pjesë e skenës të ka prekur më së shumti? Lejoji vëmendjes sate të qëndrojë në atë pjesë, dhe vë re se pse kjo ndikon në ty ashtu.

    Dëgjoje sërish historinë. Vëreji përsëri reagimet e tua. Çfarë të thotë në vetë jetën tënde?

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Jezusin për ngjarjen.

Bisedo me të, si shok me shokun.

Tregoji atij se çfarë mendon për këtë skenë, këtë episod nga jeta e tij.

Tregoji për atë që dëshiron dhe dëgjoje atë që ai të thotë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Po e pyes veten se a jam duke e vërejtur se sa lehtë është për të ndihmuar kur kjo më përshtatet, epër të gjetur arsye kur kjo nuk më përshtatet?

Është mirë të ngrihemi mbi veten tonë dhe t’i përgjigjemi nevojës së dikujt. Na ndihmo, o Zot, që këtë ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »