Kush të përvujtërohet, do të lartësohet!

Nov 3 • Meditimi i ditës

 3 tetor 2018 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 1, 18b-26; Ps 41; Lk 14, 1.7-11)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur se çka kërkon Hyji prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.

Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


 

Lk 14,1.7-11


1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. 10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • „Personat e famshmëm“ nga bota e filmit dhe muzikës na argëtojnë për çdo ditë, por këtu nuk guxojmë ta teprojmë duke u dhënë një rëndësi të madhe. E mos të flasim pastaj për botën e pushtetit, parasë dhe politikës… A më ka ndodhur ndonjëherë që dikujt prej tyre t`ia kem pasur lakmi që ecin qilimave të kuq apo pse gjenden nën dritat shkëlqyes të reflektorëve? Përvuajtëri nuk do të thotë kalim dyfytrësh për toke, por do të thotë „të jesh real“, në shërbim të të tjerëve… „Kush do të lartësohet, do të përvujtërohet, e kush të përvujtërohet, do të lartësohet!“

Na pëlqen njeriu i përvuajtur. Në Jezusin shohim përvujtërinë e atij që ka qenë i vetëdijshëm “kush është” – i dashur nga Ati – dhe nga toka që t`u shërbejë të tjerëve. Ai ndër ne është si ai që shërben,  ai që i sheh nevojat e njerëzve dhe bën atë më të mirën që mundet për t`iu ndihmuar. Me fjalë dhe vepra na ka shërbyer deri në vdekje.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 


Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Sa e vështirë është ta praktikosh artin e përvujtërisë! Sa e vështirë është mos ta zësh vendin më të mirë, të kapësh ofertën më të mirë, të jesh i pari në rend për diçka që më duhet ta shoh! Jezusi na fton të mendojmë për të tjerët, të jemi më të vetëdijshëm për nevojat e të tjerëve, të tërhiqemin pak anash dhe t`i lejojmë të tjerët që të jenë në qendër të vëmendjes për t`u ndryshuar.

O Atë qiellor, na mëso se si të ecim gjurmëve të Jezusit, si të jemi të mëshirshëm, të kemi më shumë mirëkuptim, të jemi më bujarë në mendime dhe vepra tona. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »