Nëse e duam Zotin, do ta shohim atë në të tjerët

Nov 4 • Meditimi i ditës

4 nëntor 2018 – E diela  31-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 6, 2-6; Ps 17; Hebr 7, 23-28; Mk 12, 28b-34)

 

 

Prania e Hyjit
O Zot, Zoti im je ti, unë ty të kërkoj. Sepse shpirti im ka etje për ty!

A mund ta ndiesh këtë dëshirë brenda teje gjatë kohës që po e fillon këtë lutje sot?

A mund ta ndiesh atë etje brenda teje që vetëm Zoti mund ta shuajë?

 

 

Liria
Po ndërgjegjësohem se jam në praninë tënde, o Zot.

Dhe po mbështetem në zemrën tënde të butë.

Në momentet e dobësisë ti je fuqia ime.

Në momentet e trishtimit ti je ngushëlluesi im.

 


Ndërgjegjësimi
Kur t`u kthehem detyrave të mia të përditshme,

ma kujto, o Zot,

se je gjithmonë afër meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 


Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


 

Mk 12, 28-34

 

28 Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti:

“Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’

31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.”

32 Skribi u përgjigj:

“Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, ’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.”

34 Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha:

“Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.”

Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Si i përgjigjesh përshkrimit të Jezusit të urdhërimit të parë, ta duash Hyjin me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde? Çfarë do të thotë kjo për ty?
  • Si ndihesh kur i dëgjon fjalët e Jezusit? Si dëshiron të reagosh ndaj urdhërimeve: ta duash Hyjin dhe të afërmin?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, imagjinoje takimin midis këtij skribi dhe Jezusit. Vë re qëndrimin e Jezusit ndaj skribit, se si ai e sheh atë, mënyrën se si i flet atij dhe si reagon Jezusi ndaj mençurisë së këtij njeriu.

 

Bashkëbisedimi

Ndaji disa minuta për të biseduar me Jezusin për ndjenjat që fjalët e tij nxisin në ty, dhe se si dëshiron të përgjigjesh.

 

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Prej dhjetë urdhërimeve, Jezus, ti flet për dy që janë më të rëndësishmet – dashurinë ndaj Hyjit dhe të afërmit. Në qoftë se mund t`i mbajmë këto dy urdhërime, ne automatikisht do të kemi sukses t`i zbatojmë edhe tetë të tjerat. Nëse e duam Zotin, do ta shohim atë në të tjerët dhe do t`i trajtojmë ata me respekt dhe, duke vepruar kështu, nuk do t`i dëmtojmë të afërmit, por do të jetojmë me ta në paqe.

Jezus, na ndihmo që të jemi të kujdesshëm të mos jemi egoistë dhe mos të zhvillojnë zakonin e gjykimit të të tjerëve. Jemi larg nga ajo që t`i duam të afërmit si vetveten, e kjo është pikërisht ajo që ti po kërkon prej nesh. Nuk mund të të duam dhe të veprojmë pa kuptim ndaj të afërmit tonë, prandaj, o Zot, na mëso rrugën tënde. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »