Thirrja e Hyjit, brenda nesh

Nov 5 • Meditimi i ditës

5 nëntor 2018 – E hënë, Të Lumët Vinçenc Prennushi dhe Shokët, Martirë (përkujtim),MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 2, 1-4; Ps 130; Lk 14, 12-14)

 

 

Prania e Hyjit
Eja, o Zot, rruga ime, e vërteta ime, jeta ime.

Ndërsa hyj në këtë kohë lutjeje sot, filloj duke e ftuar Zotin në jetën time.

E pranoj nevojën time për Hyjin, për të më treguar rrugën, për të më mësuar të vërtetën, për të më dhënë jetën.

 

 

Liria
Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke bërë.

Këtë bekim ta ndaj me të tjerët.

 


Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


 

Lp 30,11-14

 

11 Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje; 12 nuk është i vënë në qiell, që të thuash: ‘Kush mund të ngjitet për ne në qiell për të na e sjellë që ta mësojmë e ta shtiem në veprim?’ 13 As nuk është përtej detit që të gjesh shkak të thuash: ‘Kush do të mund të kalojë përtej detit për ne për të na e sjellë që ta njohim e të kryejmë çka është urdhëruar?’

14 Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!”


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Shenjtërit ishin të bindur se si thirrja e Hyjit është diçka intime, diçka që është brenda secilit prej nesh. ‘Fjala është krejtësisht afër teje.’ Si ndihesh kur e dëgjon këtë?
  • `Ky urdhër që unë po ta jap sot… nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje.` Ky Shkrim na inkurajon, duke na thënë që ne mund ta zbatojmë. A është ky një porosi që mund ta besosh?

Kur përpiqemi të dëgjojmë Fjalën e Zotit, shpesh shohim se ka zëra të tjerë në zemrat tona dhe në botën përreth nesh, që e bëjnë zërin e Zotit të vështirë për të dëgjuar.

Ndërsa dëgjon përsëri, pyete veten se çfarë e bën të vështirë për ty të vërtetën të besosh në praninë e Hyjit me ty dhe brenda teje.

 

Bashkëbisedimi

Shën Injaci zbuloi vullnetin e Zotit për të duke i dëgjuar lëvizjet e ndryshme brenda vetes dhe duke pranuar se disa dëshira ishin më të thella dhe më të rëndësishme se të tjerat. 

Çfarë i dëshiron vetes pjesa më e thellë e jotja, sot? 

Duke i besuar mirësisë dhe mëshirës së Hyjit, sille këtë dëshirë të madhe para Zotit tani.

 

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Jezus, po të lutem që ta kuptojmë se në ty jemi të gjithë vëllezër dhe motra. Po të lutemi që gjithmonë ta kujtojmë se ti na do pa kushte të gjithëve dhe që në ty e gjejmë veten tonë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »