Liria apo robëria varen nga vendimet tona të përditshme

Nov 7 • Meditimi i ditës

7 nëntor 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 2, 12-18; Ps 26; Lk 14, 25-33)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as për e-mail, mjafton një pëshpëritje.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me vëmendje

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.


Lk 14, 25-33

25 Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”


Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këto fjalë tingëllojnë të forta të thëna nga Jezusi, dmth. se nëse duam ta ndjekim atë, duhet të lëmë familjen, miqtë, madje edhe vetë jetën. Si ndihesh kur i dëgjon këto fjalë?
  • Pastaj Jezusi jep udhëzime të gjalla se sa e rëndësishme është të merren me kujdes vendimet madhore dhe të përpiqemi t’i zbatojmë ato. A është kjo mënyra se si vepron, si i merr vendimet e mëdha? A tenton ta ndjekësh kokën apo zemrën tënde?

·         Ndërsa e dëgjon përsëri pjesën e ungjillit, ji i/e vetëdijshëm/e për çdo lidhje që bën me mënyrën se si ti i shkon gjërat …

 

Bashkëbisedimi

Jezusi tërheq vëmendjen tonë se si zgjedhjet, vendimet që i bëjmë në lidhje me një sërë gjërash, duke filluar nga njerëzit deri te gjërat që i posedojmë, mund të ndikojnë nëse mund ta ndjekim atë me gjithë zemër apo jo. Mund të dëshirosh të bisedosh me Jezusin për ndonjë gjë të tillë që është duke të penguar në rrugën e ndjekjes së tij më nga afër.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.  Ungjillin e sotëm, po na jep zemër për të ndërmarrë hapa që do të na çojnë në rrugën drejt shtëpisë tonë qiellore – jemi të thirrur të heqim dorë nga të gjitha gjërat, ose nga ata që mund të na pengojnë në udhëtimin tonë. Para së gjithashmendja dhe zemra jonë të përkasin ty, o Zot. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të kërkuar Ty së pari, dhe çdo gjë tjetër do të bie në vend të vet.

Na mëso të të ndjekim me besnikëri ty, o Zot. Na përgatit dhe na ndihmo që t`i bëjmë hapat tanë në rrugën që çon në liri. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »