A e falënderoj Zotin që na do të tillë si jemi?

Nov 8 • Meditimi i ditës

8 nëntor 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 3, 3-8; Ps 104; Lk 15, 1-10)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

Ejani te unë, të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodhë, thotë Zoti.

Ndërsa hyj në lutje tani, a mund ta ndiej këtë ftesë të Zotit?

A mund t’i dëgjoj këto fjalë që më drejtohen?

Dhe a e pranoj mirëseardhjen, dhe sigurinë që Hyji dëshiron të ma japë?

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndjej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit me vëmendje,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 15, 1-10

 

Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:

“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?

5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”

8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Të jemi të sinqertë, ka shumë barinj që nuk do t`i linin nëntëdhjetë e nëntë dele pa mbikëqyrje për të shkuar pas një të vetmeje të humbur. Ata që nuk kujdesen fare për delet e tyre – nuk do të dilnin në kërkim të të humburës. Dhe lloji i llogaritjes që mendon se “a ia vlen të rrezikosh nëntëdhjetë e nëntë për hir të njërës?” – prapëseprapë do mbeste. Pra, çka është ajo që po thotë Jezusi, për qëndrimin e Hyjit ndaj ne qenieve njerëzore – ne “mëkatarëve”? Si ndihet Hyji me ne?

Kur e vështroj botën rreth meje, pjesën e botës ku jetoj, kush janë të nëntëdhjetë e nëntët? (ata të sigurtët që nuk janë të humbur – të drejtët që nuk kanë nevojë për pendim) … Dhe kush janë delet e humbura që kanë shmangur rrugë dhe kanë humbur?

  • Ndërsa e dëgjon përsëri shëmbëlltyrën, vë re shprehjet e dashurisë dhe gëzimit që përdor Jezusi – imazhin e bariut që vendos delen mbi shpatullat e tij, gjuhën e kremtimit dhe të gëzimit ….

 

Bashkëbisedimi

Si ndihesh tani? A dëshiron ta ndjesh më shumë këtë dashuri të Zotit? A do t`ua tregosh më shumë këtë dashuri të tjerëve? Bisedo me Zotin tani për çfarëdo ndjesie dhe dëshire që kjo shëmbëlltyrë ka krijuar në ty.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Zilia e tregon kokën e saj të shëmtuar gjatë kohës kur farisenjtë i dëgjojnë fjalët e tu, Jezus. Nuk u pëlqen fakti që ti Jezus në mënyrë të pakushtëzuar i pranon të gjithë njerëzit. Nuk ka gjyq, nuk ka dënim. Në Ty gjejmë dashurinë dhe pranimin e pastër.

Jezus, ti i pranon të gjithë në përqafimin tënd të ngrohtë. Kur jemi të humbur, ti vjen për të na gjetur. Kur jemi të dëshpëruar, ti vjen për të na ngritur. Kur ndihemi tëharruar, ti na kujton dashurinë tënde të madhe ndaj nesh. Po të falënderoj që na do të tillë si jemi. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »