Fillimet e organizimit të formacioneve shtetërore në Arbërinë Mesjetare

Nov 8 • Histori, Kulturë

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli

 

Një burim të veçantë juridik, sipas të cilit rregullohen të drejtat autonome të komunave urbane mesjetare, paraqisnin dhe statutet e qyteteve mesjetare arbërore. Është fjala për një përmbledhje dispozitash ligjore sipas të cilave banorët e qyteteve rregullojnë organizimin e tyre shoqëror, si dhe organizimin e brendshëm, duke u respektuar shkalla e autonomisë, e cila është shprehur në mënyrë të qartë ose në mënyrë implicite nga autoriteti suprem. Statutet nuk janë një përmbledhje të dispozitave të veçanta ligjore sipas përmbajtjes, por më tepër një sërë normash me të cilat janë rregulluar fusha të ndryshme ligjore të renditura pa perceptim të qartë. Në ato janë kodifikuar në përgjithësi vendime të autoriteteve të qytetit, të cilat për nevoja të sigurisë ligjore është dashur të mblidhen në një përmbledhje të veçantë dhe t’ju sigurojnë atyre pandryshueshmëri.

Nga koha e mesjetës së zhvilluar, statutet janë shfaqur në mënyrë të veçantë në komunat autonome ose komuna urbane në gjithë Europën, përfshirë dhe Arbërinë. Për zhvillimin e traditës së statuteve Perëndimore janë të rëndësishme statutet e Westminsterit (1275 dhe 1285), statuti Gloucester (1278), dhe statuti Quia emptores (1290), të lëshuar nga mbreti anglez Edward I.

Në Arbëri gjatë shekujve janë shkruar statutet e Buduas (shek. XIV), Danjës (1445), Drishtit (1397: Statuta et ordinationes capituli ecclesae cathedralis Drivastensis), Durrësit (1392), Shkodrës (1396), Tivarit (1330), Ulqinit (1330), etj. Lidhur më marrëdhëniet e afërta me Arbërinë Mesjetare janë të rëndësishme këto statute dalmate: Statuti i Korçullës (1214), Kotorrit (1301, 1383, 1420), Raguzës (1272), Zarës (1305), etj.

Statute të veçanta janë shkruar për qytetet minerare, sidomos për ato të Kosovës, që konsideroheshin për koloni të fuqishme raguzane, kotorrase, etj. Këtej, ishte i njohur Statuti i qytetit minerar të Novobërdës (1402/1403), të cilit më pastaj iu shtuan vetëm dispozitat shtesë në lidhje me qytetin e Novobërdës. Të tilla dispozita të statuteve është dashur të zotërojnë edhe Bellasica, Janjeva dhe Trepça. Një tip tjetër i qyteteve autonome ishte zhvilluar nën ndikimin e Bizantit, si, Lipjani, Prizreni, Shkupi, etj. Ndërsa, qytetet të tjera, sikurse është fjala për Pejën Prishtinën dhe Vushtrrinë, janë konsideruar për qytete autonome autoktone!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »