Askush nuk është më i rëndësishëm se tjetri

Nov 11 • Meditimi i ditës

11 nëntor 2018 – E diela 32-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 17, 10-16;  Ps 145; Heb 9, 24-28; Mk 12, 38-44)

 

Prania e Hyjit

Shpëtimtari i shpirtit tim, këtë ditë më mbaj të plotë.

A mund ta filloj këtë meditim me këtë lutje?

A mund t’ia paraqes tani vetveten Atij që i fal të gjitha dështimet dhe të metat e mia, që e ka dhënë veten e tij lirisht për hir timin dhe t`i besoj plotësisht mëshirës së tij?

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin, pastaj do të dëgjoj…


Mk 12, 38-44

38 Pastaj në mësimin e vet u thoshte:

“Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin të tjerët në sheshe, 39 të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. 40Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e bëjnë gjasme thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!”

41 Pastaj u ul përballë arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. 42 Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, d. m. th. një të katërtën e asit. 43 Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha:

“Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që hodhën para në arkë. 44 Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.”


Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në veprimin e pa vënë re, që nuk bie në sy, të një askushi, një vejushe të varfër që as emri s`i dihet, Jezusi sheh një mister të madh: misterin e Hyjit. Ndalu një moment që ta shikosh muajin apo muajt e fundit, për ta kujtuar ndonjë akt të vogël, të papërfillshëm të vetë-dhurimit që mund ta kesh parë pa e mbajtur në mend plotësisht … në jetën tënde familjare, në punë, në rrugë ose diçka që ke dëgjuar te lajmet.
  • Tani lejo që ai person të jetë i pranishëm në kujtesën tënde. Shikoje fytyrën e tij/saj. Dëgjoje zërin e tij/saj. Lejoje realitetin që ata përfaqësojnë të hyjë në zemrën tënde – të të  prekë thellë në qenien tënde, të të lëvizë, ndoshta të të ftojë …

·                     Duke e dëgjuar përsëri historinë, imagjinoje Jezusin duke folur për personin për të cilin e ke në mendje. Dëgjoje tonin e zërit të tij. Përpiqu dhe dëgjoje atë që po ndodh brenda tij, çfarë do të thotë për të, si e lëviz atë. Vë re çdo ndjenjë që kjo nxit në ty …

Bashkëbisedimi

Kur i hapim zemrat tona ndaj anës më të mirë të natyrës njerëzore, shpesh preken, zgjohen ndjenjat e forta – ndoshta një dëshirë vetë për të qenë bujarë, zemërgjerë, ose ndoshta krejtësisht e kundërta, ndjenja frike ose dyshimi për veten tonë. Çfarëdo që është nxitur brenda teje në minutat e fundit, silli para Hyjit tani, duke folur ashtu si do t`i flisje një miku për atë që ndjen, çfarë dëshiron …

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Jezus, ti na kujton edhe një herë se si duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin. Netë gjithë jemi bij dhe bija të një Ati dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për dinjitetin e secilit prej nesh që e mbartëbrenda vetes. Nëpërmjet Pagëzimit ne jemi të pranuarnë familjen e Hyjit dhe jemi të lidhur të gjithë me anë të hirit. Askush prej nesh nuk është më i madh se tjetri, askush nuk është më i rëndësishëm se tjetri; jemi të gjithë të barabartë në sytë eAtit tonë që është në Qiell.

O Atë, po të falënderoj për dhuratën e çdo personi; na ndihmo që çdo person ta trajtojmë me mirësjellje dhe respekt të madh. Të dashurosh siç na ke dashur ti, kjo i tejkalon fuqitë tona, por në qoftë se ti je me ne, mbjell në zemra tona një dashuri të madhe për dhuntinë e çdonjërit që e takojmë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »