Bujaria dhe Provania: parime që e udhëheqin jetën e besimtarit!

Nov 11 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXXII gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   1 Mbr 17, 10-16

Çfarë duhet të admirojmë më shumë në këtë pjesë: besimin e profetit Elia apo bujarinë e vejushës së shkretë që heq dorë nga ushqimi i pakët i mbetur për t’ia dhënë profetit? Elia, njeri i Hyjit, pranon varfërinë e tij të thellë dhe i kërkon ndihmë një paganeje për të vazhduar të jetojë. Ndërsa vejusha është e gatshme të japë të gjithë ushqimin duke mos menduar për atë që do të ndodhë nesër. Kush ka dhënë gjithçka nuk habitet kur merr gjithçka.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë’.” Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   146

 

Ref: Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre është Mbretëria qiellore

———————————————-

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

———————————————-

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

———————————————-

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

———————————————-

 

 

Leximi i dytë   Heb 9, 24-28

Kryepriftërinjtë hynin në shenjtëroren e tempullit një herë në vit. Kur Jezusi, nëpërmjet kryqit hyn në shenjtëroren e qiejve, veprimi i tij nuk mund të përsëritet: ndodh një herë e përgjithmonë. Për historinë universale, vdekja e Krishtit është përmbysja më e madhe pas së cilës njerëzimi nuk mund të kthehet prapa, dhe lufta e njerëzve bëhet një ngjallje ashtu si ajo e Jezusit.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; – përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetës.  Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Ejani të bekuarit e Atit tim, thotë Zoti, merrne në prone Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 12, 38-44

Edhe sot në mes nesh fshihen skribët që kërkojnë vendin e parë dhe të jenë të nderuar. Sa herë edhe të krishterët kanë ngrënë lekët e të varfërve me pretekstin për të ndërtuar një shtëpi lutjeje. Figura e vejushës që hedh ofertën e saj të mjerë në thesarin e tempullit, do të tregojë urdhërimin e dashurisë së Hyjit.  Hyji sheh zemrën.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!”  Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.

Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Shpëtimi i njeriut nuk vjen nga pamja e jashtme e nga suksesi, por nga koherenca e veprimeve me bindjet e tij.

Në ungjill skribët paraqiten mendjemëdhenj dhe e përdorin fenë për t’u dukur. “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin të tjerët në sheshe, të zënë vendet e para në sinagoga”.

Jezusi na fton të shikojmë brenda vetes për të luftuar dashurinë e tepruar për vetveten: një sëmundje vdekjeprurëse në jetën e besimit. Na mëson të çrrënjosim një fe sipërfaqësore e krejt të jashtme, të refuzuar prej Hyjit.

Por vejusha e mjerë, që para syve të njerëzve kryen një gjest të pavlerë, në sytë e Hyjit bën një gjest me të vërtetë prekës. “Po ju them: kjo vejusha, kaq e varfër, hodhi në arkë më shumë se gjithë të tjerët”.

Jezusi nënvizon se Hyji nuk shikon atë që shikon njeriu: domethënë shikon zemrën dhe jo pamjen e jashtme. “Të gjithë hodhën një pjesë prej tepricës. Kurse ajo, prej skamjes së vet, hodhi gjithçka pati për të jetuar”.

Gruaja shumë e varfër nuk dhuron atë që ka, por atë që është në vetvete. I ofron Hyjit jo vetëm para, por vetë jetën e saj. I varfër nuk është ai që nuk ka asgjë, por ai që në dobësinë e tij bashkëndan me të tjerët atë që është dhe atë që ka. I pasur nuk është ai që zotëron të mira materiale, por ai që beson në këto të mira dhe ndihet i vetëmjaftueshëm.

Ajo që ka rëndësi nuk është paraja, por sa dashuri ka brenda njeriut, sa jetë përmban.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Hyjit, i cili na dhuroi Birin e tij të vetëm, t’ia drejtojmë lutjen tonë për të na mësuar të hapim zemrat tona ndaj vëllezërve tanë dhe motrave tona. Të lutemi së bashku duke thënë:

O Zot, na mëso të duam!

L. Për Kishën e shenjtë të Hyjit: që shembulli i vejushës së Ungjillit të ndriçojë zgjedhjet e saj dhe veprimtaritë e saj baritore. Të lutemi.

L. Për institucionet, që të nxisin të mirën e përbashkët në kërkimin e vazhdueshëm të drejtësisë dhe të dinjitetit të njerëzve. Të lutemi.

L. Për të sëmurët: që të gjejnë në ne vëllezër e motra të aftë për të dhuruar jo vetëm atë që kanë, por atë që janë. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë famullitare: që të jetë e hapur ndaj nevojave të vëllezërve, në mënyrë që askush të mos ndihet i huaj apo i përjashtuar nga jeta e Kishës. Të lutemi.

M. O Hyj, Atë i të varfërve, që ke pranuar lutjen e vejushës së varfër, lavdëruar nga Jezusi dhe model i jetës ungjillore, dëgjoji lutjet që lindin nga varfëria e zemrave tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »