Imzot Dodë Gjergji: “Gjergj Kastrioti është Pasqyra ku Shqiptarët e njohin vetveten”

Nov 12 • Kisha në Kosovë

Në mbrëmjen kulturore të promovimit të 3 librave të rinj për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, në Rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë, më 9 nëntor 2018, e cila është organizuar nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, në përkujtimin e 550-vjetorit të kalimit në amshim të Heroit tonë kombëtar, ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, në fjalimin e tij përshëndetës e ka cilësuar Gjergjin figurën më të madhe të historisë sonë kombëtare, duke thënë se “Gjergj Kastrioti është Pasqyra ku Shqiptarët e njohin vetveten.”

Viti i Gjergj Kastriotit – tha Imzoti – është momenti më i bukur, që ne shqiptarët ta kthejmë fytyrën tonë në Pasqyrën e Gjergj Kastriotit. “Kemi tri britma shqiptarësh kur e shohin fytyrën e vet në fytyrën e Gjergj Kastriotit”, theksoi ndër të tjera ipeshkvi: “Britma e parë është malli i arbëreshëve, malli për (mëm)dheun, për Gjergjin, të cilin e kanë mbajtur në zemër ndër shekuj këtë mall. Britma e dytë është ajo e jona, ne që jemi këtu, sepse në te e shohim gjithë poshtnimin e historisë, e shohim vuajtjen, përbuzjen dhe lotët. Ka edhe një britmë tjetër, që duan ta thyejnë këtë pasqyrë, sepse thonë: ti nuk je heroi im” – ka përfunduar fjalimin e tij Imzot Dodë Gjergji./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »