Kah argumenti artistik…

Nov 12 • Kulturë, Recension

(Ab. Lorenzo Ignacio Thjulen, KUVENDIME në mbretërinë e të vdekurve / Bashkëbisedim midis Gjergj Kastriotit mbret i Shqipërisë dhe i Epirit dhe Karlit të madh perandor romak; Botimet françeskane, Shkodër, 2018.)

 

Nga Prof. Dr. Xhavit Beqiri

 

Emri KUVENDIME, i shkruar me kapitalka, që në titull, sikur synon të na orientojë kah një tip i veçantë i leximit dhe i kuptimit të kësaj vepre; kuvendim, bashkëbisedim në mes dy personalitetesh historike, të cilat, po aq sa të bëmat e tyre, i shndërroi në mit dimensioni kulturor që atyre ua dha fuqia e artit. Karli i Madh, perandor i famshëm romak, dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që të dy, gjatë shekujve, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë lajtmotiv i veprave të shumta artistike në letërsi, në pikturë, skulpturë etj. Edhe në këtë libër, këta dy emra jehues duhet të shihen më shumë si të tillë, si emra arti, kulture, identiteti e besimi, sesa si emra historie.

 

Kah ligjërimi artistik

Perspektiva e veprës së Thjulenit është e pazakontë, është bota e të vdekurve, në të cilën nocioni i të gjallëve për kohën nuk vlen gjë. Kështu, detyrimisht, priremi kah ligjërimi artistik, e jo kah ligjërimi historik, sepse vetëm në botën artistike kohët mund të komunikojnë lirshëm me njëra-tjetrën, ashtu siç komunikojnë lirshëm dy bashkëkuvendarët e kësaj vepre, Karli i Madh romak dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbreti i Shqipërisë dhe Epirit. Këta, pasi që kanë jetuar në kohë të ndryshme, kuvendimin e tyre mund ta realizonin vetëm në këtë formë, në botën e të vdekurve, të sajuar sipas kutit të imagjinatës së poetit/krijuesit.

Pra, si Skënderbeu, ashtu edhe Karli i Madh, në këtë vepër, janë krijime të autorit, prandaj kuvendimi i tyre duhet të shihet edhe si “kuvendim” i autorit me vetveten e me të tjerët, madje jo vetëm për këto figura, por edhe për kauzën e luftërave dhe të koncepteve të tyre kulturore, politike, religjioze e identitare.

Përpara se si heronj historikë, kjo vepër na i zbulon këta heronj në dimensionin njerëzor, me të gjitha atributet që ngërthen ky koncept. Karli i Madh dhe Skënderbeu i Thjulenit janë thellësisht të tij, ashtu siç është portreti i Mona Lizës vetëm i Leonardo da Vinçit. Ata janë burra të fjalës e të nderit, prijës të zotë e luftëtarë të paepur, strategë në logun e betejës, po edhe në leqet e politikës e të diplomacisë. Mirëpo, po ashtu, ata, që të dy, janë edhe emocionalë, nevrikë dhe hakmarrës, sidomos ndaj atyre që i konsiderojnë të besëshkelës e të pafe.

Jo një herë, edhe Gjergj Kastrioti, edhe Karli i Madh, teksa rikujtojnë fitoret e lavdishme në betejat e ashpra, tregojnë se si kanë bërë plaçkë e pasuri, duke i shkretnuar viset e mundura me tehun e shpatës. Lexuesit të rëndomtë, që ia ka ândaj ta shikojë historinë në prizmin e stereotipeve bardhë e zi, kjo “panoramë” sigurisht që nuk do t’i pëlqejë aspak, sepse ai është mësuar ta shohë Skënderbeun vetëm si luftëtar për lirinë e atdheut, kundër një armiku shumë të madh, ndërsa Karlin e Madhe si luftëtar e ngadhënjimtar kundër fiseve barbare në luftën e shenjtë për ta shpëtuar qytetërimin dhe kulturën evropiane. Në realitetin historik, ashtu ka qenë vërtet, mirëpo vepra e Abatit Lorenzo Ignacio Thjulen është vepër fiksioni. E, në vepra të tilla, edhe nëse ato mbështeten në kronologjinë e ngjarjeve reale, kemi edhe kapërcim kohësh, edhe shndërrim personazhesh.

Veprat si kjo e Thjulenit nuk synojnë me çdo kusht argumentin historik, sepse ato natyrshëm anojnë kah argumenti artistik. Në botën reale heroi i takon një epoke. Skënderbeu ynë i takon Motit të Madh, ndërsa Karli këtë epitet e ka në shkallë shenjuesi – i Madh. Për të mos ecur më tej tehut të semiotikës, po themi se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i Thjulenit, njësoj si bashkëkuvendeari i tij, Karli i Madh, nuk është më hero i një epoke, por është hero i përjetësisë, sepse nga sfera e historikes, me anë të transpozicionit, ka kaluar në sferën e artistikes. Kësisoj, ne si lexues e përjetues të kësaj vepre, nuk duhet të këmbëngulim në vërtetësinë e thënies, por në bukurinë e saj. Sepse, faktet e ndodhura i studion historiani, kurse faktet e imagjinuara janë bota e shkrimtarit. Historiani pohon, poeti sugjeron!

“Puna e një poeti nuk është të tregojë atë që ka ndodhur, por atë që mund të ndodhte, d.m.th. gjërat që mund të ngjasin sipas gjasës ose nevojës”[1], thoshte Aristoteli në Poetika.

Dy kuvenduesit e Thjulenit i takojnë botës së të vdekurve, pra janë imagjinarë. Ndaj, rrëfimet që ata ia tregojnë njëri-tjetrit, s’është e thënë të përkojnë me atë që vërtet ka ndodhur derisa ata ishin në botën e këtejme.

 

Ah! Lavdia juaj jehon ende në mbretërinë e të vdekurve…

Karli i Madh dhe Skënderbeu, në këtë vepër, janë skalitur me epitetet më të zgjedhura, ashtu siç e kërkon lavdia e emrave dhe bëmave të tyre. Madje, Perandori Karli i Madh e njeh Skënderbeun, në botën e të vdekurve, vetëm “nga pamja e jashtme, paraqitja luftarake, hapi i rëndë dhe madhështia”. Ndonëse, Gjergj Kastrioti i prezantohet pa kurrfarë pompoziteti të shtirur, Karli i Madh vazhdon t’i flasë me tone të konsideratës më të lartë.

“Ah! – tha Karli i Madh – Lavdia juaj jehon ende në mbretërinë e të vdekurve, ndaj kam dashur shpesh të dëgjoj prej jush historinë tuaj, e cila duhet të jetë më tërheqësja” (fq. 16).

Sipas konceptit aristotelian, dallimi i vërtetë ndërmjet historisë dhe poezisë qëndron në faktin se “e para lidhet me atë që ka ndodhur, ndërsa e dyta me atë që ka mundur të ndodhë, prandaj poezia është më filozofike, më e lartë sesa historia: poezia shpreh universalen, historia partikularen”[2].

Ky koncept, sipas N. Krasniqit, “i vë në raport vlerësimi këto dy botë mimetike për jetën njerëzore. Mirëpo, nëse historia lidhet me rastet e veçanta do të thotë se tekstet narrative historike do të jenë episodike, pra copa të cilat pretendojnë një tërësi. Ndërsa, poezia qoftë edhe kur bazohet në histori epsodike pretendon tërësinë artistike, e cila në harmoninë e saj e synon estetiken universale. Mirëpo, qartë, relacioni ndërmjet historisë dhe poezisë është një fenomen tepër i ndërlikuar dhe si i tillë prek filozofinë krijimtare, e cila për konceptin antik kishte për detyrë të paraqiste veprimet e madhërishme, qoftë të ndodhura, qoftë të ndodhura të mundshme” (N. Krasniqi, po aty.).  

 

Premisat filozofike…

Luftërat nuk janë vetëm përplasje mes dy ushtrive armike. Ato janë rezultat i përplasjes së ideve, besimeve dhe synimeve antagoniste të popujve e të vendeve të ndryshme, të cilat sikur vetëm presin çastin dhe prijësin e duhur për t’u jetësuar. Në këtë kontekst, duhet përmendur rrëfimin e Karlit të Madh për luftën e tij kundër saksonëve (770 – 803): “Ishte një nga betejat më të tmerrshme që u bënë në rruzullin tonë. Në të u përfshinë politika, kultura dhe feja. Kisha vendosur që të nënshtroja Saksoninë dhe ta bëja atë të krishterë me çdo kusht. Nuk e humba vendosmërinë derisa e arrita plotësisht këtë, megjithëse më kushtoi një luftë mjaft të gjatë, ku m’u desh të bëja 26 ekspedita ushtarake kundër atij vendi” (fq. 78).

Afërsisht aq beteja pati edhe Gjergj Kasrtioti – Skënderbeu kundër ekspeditave të Perandorisë Otomane, të cilat vinin me synimin e kundërt, që “të pafetë t’i kthenin në besim”, “t’i kthenin kah Zoti”.

Nga ana tjetër, edhe Skënderbeu luftën e bënte për Zotin. Ja si flet ai, pasi humbi një betejë, si pasojë e tradhtisë së oficerëve të tij: “Më kapi një zemërim i madh, saqë gjaku më rridhte nga buzët dhe nga sytë. Nga pezmatimi i tepërt, shkula nga toka disa pemë jo fort të vogla. Por ndoshta, Perëndia e lejoi një gjëmë të tillë, në mënyrë që ta dija se fitoret e shënuara deri në atë çast ishin dhurata të tij, për këtë arsye, duhet ta falënderoja Zotin për gjithçka”. (f. 48)

Përkushtimi për besimin, në ndonjë rast, merr konotacionin e një persiatjeje me premisa filozofike, si në këtë rast: “Në përgjithësi, është më e tepërt ajo që nuk e kuptojmë, sesa ajo që dimë ta shpjegojmë, ndaj vetëm një i paditur mund të mohojë një fakt ngaqë nuk e kupton, por merr guximin ta shpjegojë atë. Shpesh, ata që përqeshin më shumë, janë ata që meritojnë të përqeshen”.

 

Në vend të përmbylljes…

Libri “KUVENDIME në mbretërinë e të vdekurve / Bashkëbisedim midis Gjergj Kastriotit mbret i Shqipërisë dhe i Epirit dhe Karlit të madh perandor romak”, është ndërtuar si një përmbledhje e 48 dialogëve në mes dy personaliteteve të shquara të historisë evropiane, lufta e të cilëve pati një kauzë të njëjtë: lirinë dhe shpëtimin e kulturës dhe të besimit krishterë në Evropë. Derisa lufta e Gjergj Kastriotit, në esencë, u imponua si luftë për mbijetesën e etnisë, edhe nëpërmjet ruajtjes së identitetit religjioz, dhe fund e krye ishte luftë mbrojtëse, ajo e Perandorit Karli i Madh pati edhe karakterin e zgjerimit/pushtimit, me qëllim të përhapjes së krishterimit, përkatësisht civilizimit të fiseve “jonjerëzore e idhujtare”, të cilat po e rrezikonin vetë qenien e Perandorisë. Siç shihet, ndonëse karakteri i luftës së tyre ndryshonte, ngaqë Skënderbeu bënte luftë mbrojtëse, ndërsa Karli i Madh luftë sulmuese, në thelbin e saj, kauza ishte e njëjtë.

Përveçse si një “kronikë” e jetës dhe e të bëmave të dy heronjve të saj, kjo vepër duhet të shihet edhe si një ligjërim predikues/edukues, sidomos për të rinjtë, sepse, në fakt, glorifikimi i luftërave, sakrificave dhe fitoreve të lavdishme të dy heronjve është njëkohësisht edhe trokitje e thekshme në dyert e popujve të Evropës për vetëdijësim; sa shumë therori u janë dashur popujve të kontinentit tonë për ta ruajtur dhe për ta formuar identitetin e vet kulturor, shpirtëror e religjioz, i cili, megjithëse s’është i përkryer, prapëseprapë paraqet kulmin e lulëzimit të shoqërisë njerëzore deri më sot.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu arriti t’u mbijetonte kurtheve brenda oborrit të sulltanit, t’i tejkalonte përçarjet dhe tradhtitë e të vetëve dhe të dilte ngadhënjyes për një çerekshekulli ndaj Perandorisë Otomane, e cila vetëm falë qëndresës së pabesueshme të shqiptarëve nuk hapëroi më tej drejt Romës dhe mbarë Evropës. Prandaj, s’është aspak e rastit pse emri i tij është kaq domethënës për kulturën dhe qytetërimin evroperëndimor, i cili, sidomos në fushë të arteve, e ktheu atë – Gjergjin tonë – në një mit të përjetshëm, veçmas nëse nisemi nga premisa se “miti është një histori e vërtetë, e cila ka ndodhur në fillim të kohëve dhe që u shërben për model sjelljeve njerëzore”[3]. E, ku ka model më të mirë, sesa ai i Gjergj Kastriotit për të ndërtuar një koncept, një vizion për kulturën, identitetin, besimin dhe përkatësinë e shqiptarëve në kuadër të botës evroperëndimore. Madje, një model të vet evropianëve, të cilët, me sa duket, vazhdojnë ta njohin e ta duan më shumë se vetë ne, këtë prijës, këtë model, këtë mit të kulturës dhe identitetit krishter evropian./drita.info

(Fjala e mbajtur në promovimin e librit në fjalë në Rezidencën e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, në Prishtinë, më 9 nëntor 2018)

——

[1] Aristoteli, Poetika, Buzuku, Prishtinë, 1998, fq. 72.

[2] Shih edhe: Nysret Krasniqi, Histori e letërsi, në Seminari XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 36/2, Prishtinë, 2017.

[3] Mircea Eliade, Mythes, rêves et mystère, Paris, Gallimard, 1957.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »