Promovohen tri botime për Gjergj Kastriotin – Skënderbeut

Nov 12 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Për Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes së tij, Kisha Katolike në Kosovë, Ipeshkvia Prizren – Prishtinë, ndër aktivitete të ndryshme dhe të shumta, pati edhe një mbrëmje kulturore kushtuar Kryetrimit dhe “Mbretit të Arbërisë” me tri promovime të librave mjaft domethënëse dhe të dalluara, që na ofrojnë dhe dhurojnë figurën e tij burimore, urtinë, mençurinë dhe strategjinë e tij  shtetformuese për afrim, bashkim dhe bashkëpunim ndër Princat Arbërorë, si dhe përzgjedhjen e aleatëve të jashtëm.

Prof. Domenico Morelli, studiues dhe krijues i njohur arbëresh, së pari paraqiti kumtesën e tij mjaft interesante dhe me plot risi me titull “Kujtimi i Skënderbeut ndër Arbëreshë”. Në vazhdimësi ai paraqiti edhe botimin,  po ashtu të një arbëreshi, Alessandro Serra, “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, botim i Sh. B. “Drita”, për ta kuptuar sa më mirë kohën dhe kontributin e madh dhe të pamohueshëm të Papëve dhe Selisë së Shenjtë në jetën dhe veprat madhore të tija, që për publikun tonë shpesh janë të panjohura, aty-këtu edhe të injoruara nga disa qarqe dhe rrethe. Një libër i çmuar i mbështetur në dokumente arkivore dhe shkrime të autorëve të mëdhenj dhe kompetent

Botimi i dytë ishte një përplotësim i rëndësishëm i kësaj “zbrazëtie”, mosnjohjeje dhe anashkalimi të qëllimshëm, apo të “rastit”, me veprën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu “Atleta Christi” – përzgjedhje studimesh të klerikëve katolikë”, që e prezantoi Dr. Gjon Berisha, i cili tha se kjo është një pjesë e vogël (15 shkrime) e një varg shkrimesh të klerikëve katolikë që kanë kontribuar për historinë e heroit tonë Gjergj Kastriotin.

Botimi i tretë që është promovuar ishte me karakter artistik, krijues, Lorenzo Ignacio Thjulen “Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve. Bashkëbisedim midis Gjergj Katriotit dhe Karlit të madh”, që e paraqiti në dimensionin e porosisë, domethënies, si dhe të krijimtarisë, prof. dr. Xhavit Beqiri.

Këtë mbrëmje kulturore e ka përshëndetur edhe ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, i cili tha se “Gjergj Kastrioti është Pasqyra ky Shqiptarët e njohin vetveten.” Viti i Gjergj Kastriotit – vazhdoi Imzoti – është momenti më i bukur, që ne shqiptarët ta kthejmë fytyrën tonë në pasqyrën e Gjergj Kastriotit. “Kemi tri britma shqiptarësh kur e shohin fytyrën e vet në fytyrën e Gjergj Kastriotit”, theksoi ipeshkvi: “Britma e parë është malli i arbëreshëve, malli për (mëm)dheun, për Gjergjin, të cilin e kanë mbajtur në zemër ndër shekuj këtë mall. Britma e dytë është ajo e jona, ne që jemi këtu, sepse në te e shohim gjithë poshtnimin e historisë, e shohim vuajtjen, përbuzjen dhe lotët. Ka edhe një britmë tjetër, që duan ta thyejnë këtë pasqyrë, sepse thonë: ti nuk je heroi im”.

Këto tri botime na ndihmojnë dukshëm të njihemi me kontekstin e jetës dhe veprës së Kryetrimit tonë, me vlerat dhe virtytet e tija të larta, si dhe me miqtë dhe përkrahësit e tij të brendshëm dhe të jashtëm, pa të cilët vepra e tij madhore për Arbërinë dhe Arbërorët, pastaj për Europën e kërcënuar dhe të rrezikuar nga inkursionet turko-otomane, s’do të ishte e mundshme./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »