Studime të klerikëve katolikë për Gjergj Kastriotin “Atleta Christi”

Nov 12 • Kulturë, Recension

(“Gjergj Kastrioti ‘Athleta Christi’: përzgjedhje studimesh të Klerikëve Katolikë”, Botime Françeskane: Shkodër 2018, f.227)

 

Nga Dr. Gjon Berisha

 

I nderuar Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë,

të nderuar të pranishëm!

 

Viti 2018, shpallur Vit Jubilar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për të shënuar 550-vjetorin e kalimit në amshim të heroit tonë kombëtar, sikur ka aktivizuar dhe angazhuar institucione, shoqata e individë për të bërë diçka për ta shënuar këtë Jubile, secili në mënyrën e vetë.

Në këtë drejtim, është për t’u çmuar edhe puna e Kishës Katolike, përkatësisht, Provincës Françeskane në Shkodër, e cila para nesh na ka sjellë një libër të ri për Skënderbeun, në kuadër të Vitit kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, të titulluar “Gjergj Kastrioti Athleta Christi”, libri përmban një përzgjedhje studimesh të klerikëve katolikë, sidomos të vetë françeskanëve të mëdhenj në historinë e kombit.

Libri përmban një mori artikujsh të përzgjedhur studimorë, siç e ka quajtur botuesi “studimesh të klerikëve katolikë, sidomos të vetë françeskanëve të mëdhenj në historinë e kombit” që hedhin dritë mbi Skënderbeun dhe kohën e tij.

Në të vërtetë, para nesh, kemi një botim të veçantë, në të cilën janë botuar disa artikuj dhe punime konferencash, të botuara në kohë të ndryshme kryesisht në  revista: Hylli i Dritës, Leka, Shejza, Jeta Katolike Shqiptare, pastaj një Përmbledhjen e studimeve me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut “Konventa e V Ndërkombëtare  e Studimeve Shqiptare – V Convegno Internazionale di Studi Albanesi, XI 1968 (Aktet), Palermo 1969”; pjesë nga libri i At Vinçenc Malaj-t “Të dhëna Albanologjike” . Në ketë përzgjedhje prej 12 studimesh spikasin pendat e meshtarëve të mirënjohur françeskanë dhe jezuitë, në misionin e tyre të studiuesit dhe shkrimtarit: Át Shtjefën Gjeçovi, Át Paulin Margjokaj, Át Zef Valentini, Át Gjon Shllaku, Mons Antonin Fishta, Át Marin Sirdani, Át Luigji Marlekaj, Át Vinçenc Malaj, Át Basilio Pandžić.

Gjithsesi, se kjo përmbledhje prej 12 studimesh, është vetëm një pjesëz e vogël, nga puna shumë e madhe dhe e vazhdueshme që ka bërë, përgjithësisht kleri katolikë në ndriçimin e historisë së Skënderbeut, në veçanti, por në përgjithësi edhe për historinë, kulturën dhe traditën kombëtare.

Kujtojmë me këtë rast, historianin dhe klerikun At Athanas Gegaj me studimin e tij të mbrojtur në Francë me titull, “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të”, peshkopin Fan Nolin me “Historinë e Skënderbeut”, dhe veçanërisht punën voluminoze të priftit jezuit, albanologut dhe profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos , Giuseppe Valentinit (shq. Zef Valentini) “Acta Albaniae Veneta, seaculorum XIV et XV” (Akte shqiptaro-venedikase për shek.XIV-XV), në 30 vëllime, nga të cilat arritën të shohin dritë 25 prej tyre.

Në këtë vëllim që po e promovojmë sot, e rëndësishme është që prej tyre, tri studime përkthehen për herë të parë në gjuhën shqipe. Është fjala për Át Vinçenc Malaj O.F.M “Nevoja e nji bashkërendimi bibliografik kastriotian”,  studimin e Át Luigji (Jak) Marlekaj  “Skanderbegu në traditat popullore shqiptare” dhe të Át Basilio Pandžić O.F.M “Françeskanët në shërbim të Shqipnisë në epokën e Skanderbegut”. Ky i fundit ishte botuar, i përkthyer pjesërisht, në revistën Hylli i Dritës, por tani e kemi të plotë.

Nga tematika, libri përmban, fjalime me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit (në vitin 1968), histori mbi raportet e Skënderbeut me Evropën e atëhershme, kulturë, arkeologji dhe etnografi, dokumente të përkthyera etj, të gjitha për Skënderbeun. Dhe nga vetë titulli i librit, kuptohet se shumica e studimeve i kushtohen kontributit të françeskanëve në shërbim të çështjes kombëtare në kohën e Skënderbeut.

Pra, nëse shikojmë nga retrospektiva, ky vëllim i veçantë përfshinë kontributin e dy gjeneratave të Klerit Katolikë: të atyre të kohës së Skënderbeut (si nunc, ambasadorë, këshilltarë, noter etj), të cilët edhe janë objekt i studimit në këtë botim; dhe gjeneratës tjetër, klerikëve: autorë/shkruesit e këtyre dhe shumë studimeve tjera, të shek.XX, të cilët, tani jo si luftëtar apo ambasadorë të Skënderbeut, por si studiues, historian e letrarë, kontribuuan për të vërtetën historike mbi Skënderbeun dhe Epokën e Tij.

Për gjeneratën e  parë, kujtojmë luftën e Skënderbeut dhe raportet e tij me Selinë e Shenjtë, e cila është trajtuar me bazë shkencore nga autorët e përmendur më lartë, nga të cilët do të veçonim studimin e studiuesit Basilio Pandzic “Françeskanët në shërbim të Shqipërisë në Epokën e Skënderbeut”.

Lufta heroike shqiptarëve në krye Gjergj Kastriotin Skënderbeun kundër forcave osmane bëri që  ata të vlerësoheshin nga shtetet e huaja si një fuqi e rëndësishme e dorës së parë dhe i vuri shqiptarët në ballë të përpjekjeve për dëbimin e osmanëve nga viset e pushtuara të Evropës. Në anën tjetër edhe Skënderbeu ishte i vetëdijshëm se lufta kundër otomanëve, pa përkrahjen e Perëndimit dhe aleatëve tjerë, ishte e vështirë. Lufta kundër të njëjtit agresor, Perandorisë Osmane, i afroi dhe i bëri aleatë të natyrshëm vendet e Evropës. Një nga vendet me të cilat Skënderbeu pati marrëdhënie të vazhdueshme dhe të një rëndësie të veçantë ishte Selia e Shenjtë apo shteti i Vatikanit në Romë.

Gjatë karrierës së tij ushtarake dhe diplomatike, Skënderbeu arriti të lidhë marrëdhënie me pesë papë: Eugjenin IV, Nikollën V, Kalikstin III, Piun II dhe me Palin II. Për sukseset e tij në luftën çlirimtare dhe në mbrojtjen e  vlerave evropiane të kohës, Skënderbeu, nga papët u cilësua si atlet i krishterë. Në anën tjetër, Skënderbeu u ndihmua nga Selia e Shenjtë me ndihmë materiale, morale dhe diplomatike. Nga Papa Piu II, ishte planifikuar të vihej në krye të një kryqëzate të përgjithshme antiosmane, planë i cili nuk u realizua për shkak të vdekjes së papës dhe me vonë edhe vetë Skënderbeut.

Aftësitë ushtarake të Skënderbeut, përveç mbrojtjes së Arbërisë, u bënë pengesë e madhe për zgjerimin osman, dhe ai u konsiderua nga shumë vende të Evropën Perëndimore të jetë model i rezistencës së krishterë kundër osmanëve.

Pikërisht në këto rrethana, rezistenca e Skënderbeut kundër ushtrive osmane, fitoi një rëndësi të veçantë strategjike, politike, ushtarake dhe kishtare për Romën, si kishë dhe si shtet. Madje, së bashku me Hungarinë dhe Bosnjën, Arbëria u konsiderua (sikurse shkruan, në këtë përmbledhje studimesh), Basilio Pandzic, një nga tri pikat nevralgjike të kryqëzatës, të cilën papa Eugjeni IV e kishte shpallur më 26 maj 1443.

Gjenerata e dytë, janë vetë autorët e kësaj përmbledhje, punimet e të cilëve, gjatë regjimit kuminist ishin të ndaluara dhe etiketuara. Në shërbim të ideologjisë komuniste, më qëllim të prezantimit të Selinë e Shenjtë dhe shtetit të Vatikanit si një armik të Shqipërisë, një pjesë e studiuesve shqiptar të viteve 70-80 –ta, raportet e Skënderbeut me Selinë e Shenjtë na i prezanton si raporte në mes të një të mashtruari (Skënderbeu) dhe një mashtruesi (Papa), duke njollosur edhe figurën e vetë Skënderbeut. Autorë në fjalë, të gjithë studiuesit shqiptarë të viteve të 30 të shek.XX (Anton Fishta, Martin Sirdani, Anastas Gegaj dhe Fan Noli, etj), që kishin shkruar mbi këtë tematikë në mënyrë objektive, bazuar në dokumente, i cilësonte se kishin shkruar në mënyrë të shtrembëruar. Studiuesit e huaj, sidomos ata arbëresh dhe italian (Zef Valentini, Alessandro Serra, Basilio Pandzic, Ignacio Parrino, Sofia Masci, Filippo Milloscevich, Gino Sottochiesa, etj) që studimet e tyre i kanë të mbështetura kryesisht në dokumentet e Arkivit Sekret të Vatikanit dhe to të Venedikut, për historiografinë komuniste shqiptare, këta ishin fashistë. Duke ju falenderuar për vëmendje, për më shumë, ju ftojmë ta lexoni librin. Lexim të Këndshëm!/drita.info

(Fjala në promovimin e librit në fjalë, në Rezidencën e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, në Prishtinë, më 9 nëntor 2018)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »