Mesha kushtuar Gjergj Kastirotit në Katedralen Shën Nënë Tereza Prishtinë

Nov 14 • Kisha në Kosovë

Me rastin e vitit jubilar të 550 – vjetorit të kalimit në amshim të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, më datën 10 nëntor 2018, Ipeshkvia Prizren-Prishtinë organizoi meshën e shenjtë kushtuar kësaj ngjarjeje të madhe. Ishin të ftuara të marrin pjesë të gjitha famullitë e Kosovës, dhe siç ishte e paraparë, një numër i madh besimtarësh ngarendi në Prishtinë, tek Katedralja Shën Nënë Tereza për të marrë pjesë në këtë meshë. Meshës i priu Bariu ynë Imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me shumë meshtarë e rregulltarë të dioqezit.

Ipeshkvi filloi duke e falënderuar Zotin për këtë moment, për këtë ngjarje të madhe historike dhe kombëtare, e sidomos, për popullin që ishte i pranishëm dhe mundi ta përjetonte këtë ngjarje. Një bashkëndarje e popullit të pranishëm në këtë vend me ata që na kanë paraprirë dhe kanë jetuar në këtë tokë, dhe siç theksoi Ipeshkvi, një bashkëndarje edhe me jetën, veprimtarinë dhe historinë e Gjergj Kastrotit – Skënderbeut.

Drita, që është Krishti, tha Ipeshkvi gjatë homilisë – predikimit, për Pjetrin dhe hebrenjtë e pagëzuar, ishte një dritë që i përkiste vetëm pak të zgjedhurve, mirëpo Zoti e zgjodhi Shën Palin, që nëpërmjet tij ajo dritë të arrinte edhe tek paganët. Kjo Dritë ka arritur nëpërmjet Apostullit edhe tek populli ynë e vazhdon të shfaqet vazhdimisht.

Në pjesën e Ungjillit u tregua shëmbëlltyra e djalit të humbur dhe ecjes që ai e bën derisa kthehet te Ati i tij. Një Atë që është i mëshirshëm, pret kthimin e bijve të vet, dhe – shtoi Ipeshkvi, ashtu si Shën Pali dhe ky djalë i humbur, sot në mesin tonë kemi shumë prej atyre që janë kthyer në shtëpinë e Atit, përsëri. Në zemrën e tyre kanë lejuar që drita e Zotit të depërtonte, e kanë njohur të vërtetën dhe Kisha i ka pranuar me gëzim.

Fuqia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk ishte në shpatë, siç mendojnë shumë, mirëpo fuqia e tij më e madhe ishte vetëdija se ishte bir i madh i këtij populli. Fuqia e tij ishte në zemër, të cilën ia kishte dhuruar Zotit. Ishte në krejt qenien e tij.

Ne e kujtojmë Gjergj Kastriotin si njeriun dhe heroin më të madh që historia i ka dhënë popullit tonë, dhe vazhdojmë ta kujtojmë me atë zell me të cilin populli ynë e kanë kujtuar gjatë gjithë këtyre shekujve dhe kurrë s‘do ta harrojmë. Ai ka qenë mbret pa kurorë në krye, por ne mund të themi se kurora e tij jemi ne sot. Gurët e çmuar dhe xhevahirët e kurorës janë të gjithë ata që kanë guximin të kthehen dhe ta pranojnë, ta përqafojnë të vërtetën…

…kisha me të bijtë e saj ka mbajtur gjallë ndër shekuj shpresën që kjo e fundit të mos shuhet kurrë në zemrën e shiqptarit, dhe ka vazhduar me rezistencën pasive dhe qëndresën aktive ta mbajë gjallë këtë shpresë. Ne sot jemi dëshmitarë se kjo rezistencë, kjo qëndresë nuk ka qenë e kotë (shpresa të cilës i referohet Imzot Dodë Gjergji gjatë këtij predikimi është fakti se me vdekjen e Skënderbeut nuk ka përfunduar gjithçka, por jeta e tij, veprat e tij, shpirti i tij jehon ende në këtë vend, në këtë popull, në çdo njeri që e nderon emrin dhe figurën e heroit tonë).

Historia e popullit tonë shqiptar ka kaluar nëpër periudha shumë të vështira, sidomos ateherë kur shumë u munduan dhe mundohen ende sot që me anë të gënjeshtrave ta përlyejnë kujtesën tonë, por ja që e vërteta kurrë nuk vdes. E vërteta nuk digjet, ajo mbetet në zemrat e njerëzve, e gjallë dhe e përjetshme. Për të gjithë njerëzit është i nevojshëm një kthim i zemrës, një kthim kah e vërteta, një kthim kah shpresa, një kthim që kërkon ruajtjen e paqes mes njerëzve. Asnjë njeri të mos e ngrit flamurin kuq e zi vetëm për tu mbështjellur me të apo për të marrë të mira prej kombit, por le ta ngrit për tu përkulur para tij, të jetë në shërbim të vëllezërve e të motrave, duke sakrifikuar gjithçka. Vetëm nëpërmjet sakrificës ne mund ta arrijmë të ardhmen tonë të mirë, – përfundoi duke thënë Imzot Dodë Gjergji.

Menjëherë pas meshe u bë edhe bekimi i mozaikut kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që është vendosur në murin e këmbanares së katedrales gjatë këtij viti jubilar. Duke e ndjekur Ipeshkvin, Imzot Dodë Gjergjin, populli me të dalur nga katedralja iu afrua mozaikut për ta bërë bekimin. Pas një lutjeje të shkurtër, sidomos mbi popullin, Ipeshkvi e bekoi mozaikun.

Ky mozaik është punuar nga Edi Sinaj dhe i dedikohet pikërisht heroit tonë Gjergj Kastriotit. Pas këtij momenti pasoi edhe koreodrama e zhvilluar nga ansambli muzikor „Arbëresha“ nga misioni katolik shqiptar në Sirnach, Zvicërr. Koreodramë kushtuar Gjergj Kastriotit, kthimit të tij në trojet tona dhe takimit simbolik me Nënë Terezen. Në fund populli u mblodh për një koktej rasti të zhvilluar në ambientet e katedrales./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »