Do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re

Nov 15 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXXIII gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Dan 12, 1-3

Me një fjalor plot imagjinatë Danieli, një profet i Besëlidhjes së Vjetër, transmeton një mesazh të thellë shprese: të drejtët janë të thirrur në jetën e amshuar. Ky lajm do të shpallet plotësisht në Ungjijtë pas ringjalljes së Jezu Krishtit. 

 

Lexim prej Librit të Danielit profet

Në atë kohë do të ngritet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.  Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   16

 

Ref: Më ruaj, o Zot, sepse në ty shpresoj

—————————————

Zoti është pjesa e trashëgimit tim

dhe gota ime,

në dorën tënde është fati im!

Zotin e kam gjithmonë para sysh,

më rri në të djathtë,

nuk kam sesi të rrëzohem!

—————————————

Prandaj galdon zemra ime,

gëzon shpirti im,

mbarë trupi im pushon në qetësi.

S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,

as s’do të lejosh

që Shenjti yt të kalbet në dhe.

—————————————

Ti do të ma tregosh udhën e jetës,

gëzimin e plotë para fytyrës sate,

kënaqjen e amshueshme

në të djathtën tënde.

—————————————

 

Leximi i dytë   Heb 10, 11-14.18

Në besimin e Besëlidhjes së Vjetër shpesh besohej se Zotit mund t’i merrej falja me forcë, nëpërmjet riteve, ofertave dhe flive.  Nëpërmjet Krishtit ne e kemi marrë faljen njëherë e përgjithmonë dhe për të gjitha mëkatet.  Hyji nuk do vdekjen e mëkatarit, por që ai të kthehet dhe të jetojë. Një i krishterë njeh praninë e mëkatit, por beson me qëndrueshmëri më të madhe në fitoren e Krishtit mbi mëkatin.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli, të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet. Krishti, përkundrazi, duke pasë kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, vërtetisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit. Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to! Fjala e Zotit.

 

Aaleluja.

Rrini zgjuar, thotë Zoti, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 13, 24-32

Jezusi shpall fundin e botës kur do të kthehet për të gjykuar historinë e njerëzve.Mund të ndodhë që njerëzit e sotshëm që janë të pangopur me pasuri, kënaqësi dhe pushtet, të goditen nga katastrofa të mëdha. Edhe në këtë rast për besimtarin mund të ketë “një lajm të mirë”, nëse njeriu pas katastrofës pranon të bashkëpunojë në ndërtimin e historisë sipas planit të Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës – prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit. Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut: Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë. Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Faktet e jetës sonë mund të lexohen si një fatkeqësi ose një rast për t’u vlerësuar. Edhe në tragjedi të paparashikuara mund të ndodhë takimi me Hyjin, që do të na bëjë të kuptojmë diçka më të thellë.

“Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset”. Gjendemi përballë ngjarjeve përfundimtare. Dielli, hëna e yjet do të bien, i gjithë krijimi do të shohë fundin e vet për të patur një fillim të ri. Në këto ‘shenja’ është prania e Hyjit që ndërhyn për të na shpëtuar.

“Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re”. Fundi i krijimit është fillimi i mbërritjes së Birit të njeriut, Jezusit, që shfaqet në të gjithë lavdinë e tij. E duke mbledhur të zgjedhurit e tij zbulon se do të ketë një gjykim.

“Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut”. Ashtu si filizi i butë shpall verën e afërt, kështu ardhja e Jezusit tregon që koha përfundimtare është afër. Nëse çdo ditë e jetës është vigjilja e ardhjes së fundit të tij, na takon të vigjilojmë çdo ditë.

“Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush”. Në përfundim do të ndodhë akti i fundit i mëshirës: historia do të dorëzohet në duart e Hyjit. Atë orë nuk e di as Biri. Nuk është e rëndësishme të dimë kur, si e pse bota do të përfundojë, gjëja e rëndësishme është të dëgjojmë fjalën e Hyjit e të kërkojmë në të gjitha mënyrat të jemi besnikë ndaj Tij.

Gjithçka kalon; vetëm fjalët e Jezusit nuk kalojnë kurrë, sepse Ai ka ardhur të na thotë që “gjithçka është hir”, gjithçka është dhuratë.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, Krishti na ka parathënë që në fund të kësaj bote do të kthehet për të gjykuar njerëzit. T’i kërkojmë Zotit të rrimë zgjuar e në veprim në pritje të ardhjes së tij. Të lutemi së bashku duke thënë:

 

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën, që të kujtojë se jeta tokësore ka kuptim nëse është e drejtuar drejt amshimit. Të lutemi.

L. Për përgjegjësit e shoqërisë sonë, që duke u shqetësuar për të mirat materiale të popujve, të favorizojnë edhe vlerat e shpirtit. Të lutemi.

L. Për lëvizjet kishtare, që duke pranuar shumicën e dhuratave të Shpirtit Shenjt të ndihmojnë bashkimin vëllazëror dhe misionin ungjillëzues. Të lutemi.

L. Për secilin prej nesh në udhën që na çon drejt Atit, që të dijë të punojë për të mirën e të afërmit. Të lutemi.

M.O Atë i mëshirshëm, që ke bërë Krishtin tënd pikën e takimit mes të gjithë njerëzve, bëj sa më shpejt bashkimin e familjes njerëzore të mbledhur në Mbretërinë e të vetmit Shpëtimtar. Ai që jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »