Çka është e shenjtë në jetën time?
23 nëntor 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zb 10, 8-11; Ps 118; Lk 19, 45-48)
Prania e Hyjit
Ndërsa i afrohesh sot Zotit, a mund ta shohësh këtë kohë të lutjes si të shenjtë, si të caktuar për t’ia kushtuar Zotit?
Liria
“Ja, para derës qëndroj dhe trokas”, thotë Zotëria.
Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!
Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mund ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?
Fjala
Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.
Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Lk 19, 45-48
45 Kur hyri në Tempull, zuri t’i dëbojë jashtë shitësit. 46 U tha:
“Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje
e ju e bëtë shpellë cubash!’“
47 Çdo ditë mësonte në Tempull.
Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta vritnin, gjithashtu edhe krerët e popullit 48 por s’i gjetën assesi mënyrën, sepse mbarë populli e dëgjonte i rrëmbyer prej fjalëve të tij.
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- ‘Nuk duhet të jetë aty’. ‘Largohu nga rruga ime’. Sa herë e themi këtë nën zë, apo edhe me zë të lartë, rrugës për në punë dhe duke u kthyer në shtëpi? Tregtarët e rrugës dhe ‘grabitësit e bamirësisë’ – pa i përmendur lypësit – zënë një hapësirë që do të dëshironim të mbahen të pastra, të lira. A i njeh këto bezdi, zemërime, këto ndjenja, te vetja jote?
- Mbajtja e hapësirës së lirë, të pastër, duket të jetë pikërisht ajo që po bën Jezusi këtu – e liron hapësirën në mënyrë që të mund të ri-investohet për shenjtërinë e saj. Cilat janë hapësirat në jetën time – qoftë vende fizike apo ndoshta zona të jetës sime – që kanë njëfarë shenjtërie për mua?
- Mund të mendosh se pastrimi i një hapësire për të cilën ke shumë nevojë nuk duhet të jetë kontroverse, por një çështje mjaft e thjeshtë. E pra, ndërsa e dëgjon përsëri leximin, vë re se çfarë zemërimi dhe rezistenca ngre ajo.
Bashkëbisedimi
A mund t’i kërkoj Zotit tani që të më ndihmojë ta vërej dhe ta respektoj hapësirën e shenjtë në jetën time dhe shtëpinë e lutjes brenda meje?
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt. Po e pyes veten: A mund të të kërkoj, o Zot tani që të më ndihmosh të vërej dhe të respektoj hapësirën e shenjtë në jetën time dhe shtëpinë e lutjes brenda meje?
Kurrë nuk e imagjinojmë Jezusin se si e humb durimin, por pikërisht këtë e ka bërë kur hyri në Tempulldhe pa se kishte marrë pamjen e njëtregu. Zemërimi nuk është gjithmonë një gjë e keqe –me rëndësi është ajo që bëjmë me zemërimin që shkakton dhimbje dhe shqetësim.
O Zot, na ndihmo që të kthehemi tek ti sa herë që ndihemi se jemi jashtë kontrollit. Qëndro me ne dhe na ndihmo të bëjmë atë që është e drejtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Në Katedralen e Prizrenit do të bëhet zbulimi i pikturës së restauruar të Gjergj Kastriotit Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut »