JEZUSI: Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time!

Nov 24 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXXIV gjatë vitit (B) – Krishti Mbret i Gjithësisë

 

Leximi i parë   Dan 7, 13-14

Kush është “Biri i njeriut”?  Biri i njeriut mund të tregojë të gjithë popullin e Izraelit, por edhe një personazh të panjohur që ka fuqi mbinatyrore.  Jezusi merr mbi vete këtë emër, sepse është plot me domethënie shpëtuese. Në këtë profeci profeti Daniel deklaron që populli i poshtëruar në histori ka një besëlidhës në qiell. Jezu Krishti do të shfaqet si njeriu i të gjithëve, kudo i pranishëm, por edhe aq i mbinatyrshëm dhe i pakapshëm.

 

Lexim prej Librit të Danielit profet

Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   93

 

Ref: Ardhtë Mbretëria jote, o Zot

——————————————–

Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!

Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.

Të palëkundshme e bëri botën;

assesi s’do të trandet!

I patundshëm është froni yt

qysh prej fillimit,

ti je i amshueshëm!

————————————-

Dëshmitë e tua

janë plotësisht të besueshme,

shenjtëria i përket shtëpisë sate

përgjithmonë e jetës, o Zot.

————————————–

 

 

Leximi i dytë   Zb 1, 5-8

Gjoni u zbulon të krishterëve të persekutuar dhe të shtypur kuptimin e ekzistencës së tyre dramatike. Një njeri, Jezusi, që paraqet të gjithë njerëzit, ka kaluar nëpërmjet provave dhe dështimeve të përditshme që i ndodhin çdo njeriu. Ai është i parëlinduri i një njerëzimi që do të rilindë përtej vdekjes dhe u tregon të gjithë njerëzve fatin e tyre të vërtetë: të bëhen meshtarë të botës dhe familjarë të Hyjit.

 

Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull

Jezu Krishti është Dëshmitari besnik, i Parëlinduri ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, që na bëri Mbretëri priftërinjsh për Hyjin, Atin e vet, Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.  Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! Unë jam Alfa dhe Omega, thotë Zoti Hyj. Ai që është, që ishte, dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.

Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 18, 33-37

Në Ungjillin e Gjonit takohet kjo pyetje: Kush është Jezusi? Në këtë pjesë përgjigjja është ajo që vijon: Jezusi është mbreti i universit, ai që ka fuqinë mbi gjithçka e mbi të gjithë. Me vdekjen e tij ka arritur ora e së vërtetës, kryqi bëhet froni mbi të cilin mbretërohet. Vdekja e Jezusit nuk është një fund, por fillimi i një bashkimi me Hyjin që nuk do të mbarojë kurrë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Pilati e thirri Jezusin dhe e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi i përgjigji: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?”. Pilati përgjigji: “Pse, a mos jam unë judeas? Popullit yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?” Jezusi përgjigji: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.” “Pra, ti qenke Mbret?” – i tha atëherë Pilati. “Mirë thua!” – i përgjigji Jezusi – “Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Kush është mbreti i vërtetë në historinë e njerëzve? Ai që zotëron me fuqi politike e ushtarake apo kush shërben të vërtetën mbi Hyjin Dashuri, mbi njeriun dhe fatin e tij, mbi jetën e mbi vdekjen?

“A je ti mbreti i judenjve?” Ka një keqkuptim total mes të dyve: Pilati ka parasysh mbretërinë në kuptimin e zotërimit politik, kurse Jezusi në kuptimin e shërbimit për shpëtimin e njeriut.

“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote”. Mbretëria e Jezusit nuk është një fuqi tokësor, nuk ka një ushtri që lufton për të. Nuk duhet të mendojmë se Mbretëria e Jezusit i përket vetëm botës hyjnore. Ai ushtron për njerëzimin një fuqi që bëhet shërbim dashurie e dhuratë për shpëtimin e të gjithëve mbi tokë.

“Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dësh-muar të vërtetën”. Pilati do të dijë vetëm nëse Jezusi është mbreti i Judenjve. Por ungjilltari zgjeron kuptimin e mbretërisë së Jezusit: ai është mbret jo vetëm i Judenjve, por i gjithë universit. Jezusi përgjigjet se është mbret përtej kuptimit tokësor që Pilati i jep fjalës ‘mbret’. Ai është mbret sepse ka ardhur në botë të japë dëshminë e së vërtetës. Jezusi është dëshmitar i Atit, dhe e zbulon njerëzve, duke dhuruar atyre dhuratën e bashkimit me Hyjin. Të jesh mbret i universit d.m.th. të hysh në të vërtetën e ta dëshmosh. Të gjithë dishepujt e Jezusit mund të bashkëndajnë mbretërinë e tij, nëse “dëgjojnë zërin e tij”. Ai është mbret sepse ka fituar lirinë nga e vërteta.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Hyji Atë ka shuguruar Meshtar të amshuar dhe mbret të universit Birin e tij të vetëm, Jezusin. Të lutemi që të përhapet në botë mbretëria e tij e dashurisë, drejtësisë dhe paqes. Të themi me besim:

Ardhtë mbretëria jote, o Zot.

 

L. O Krisht Jezus, mbret i çdo kohe, mbroje Kishën tënde të shpërndarë në mbarë botën: le të rritet në dashuri dhe në respekt ndaj Hyjit Atë e të jetë plot me Shpirtin Shenjt. Të lutemi.

L. O Krisht Jezus, mbret i gjithësisë, bekoje Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, që të dinë të ndërtojnë Mbretërinë tënde të Dashurisë e të paqes. Të lutemi.

L. O Krisht Jezus, mbret, bari e gjykatës i njerëzve, jepu diturinë tënde burrave e grave të kohës sonë. Të lutemi.

L. O Krisht Jezus, mbret i gjithësisë, na bëj ne, popullin tënd të shenjtë, që të jetojmë në dashurinë tënde për të arritur pasurinë e përjetshme që Ati ka përgatitur për ne që nga krijimi i botës. Të lutemi.

L. Në lutjen besimplote që të kemi drejtuar, o Zot Ati ynë, njihe përsëri zërin e Birit tënd, Jezu Krishtit, Zotit tonë, e me ndërmjetësinë e tij, na bëj gjithmonë më të dëgjueshëm ndaj vullnetit tënd. Ai që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »