Misioni Katolik Shqiptar në Austri kremtoi jubileun e 25-vjetorit të themelimit

Nov 28 • Kisha ndër Shqiptarë

Në Vjenë të Austrisë, gjatë tri ditëve të muajit nëntor (16-18.11.2018), në mënyrë madhështore dhe të dinjitetshme, u kremtua Jubileu i 25-vjetorit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptar në Austri.

Në prani të qindra besimtarëve, shumë të ftuarve, personaliteteve të rëndësishme kishtare, shtetërore, shoqërore e akademike në mënyrë madhështore filloi kremtimi i Jubileut të 25 vjetorit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptar në Austri.

 

DITA E PARË – KONCERTI KLASIK

Prania e ipeshkvit imzot Dodë Gjergjit, argjipeshkvit imzot Rrok Gjonlleshajt, të dërguarit të posaçëm të kryeministrit të Kosovës zotit Haradinaj, zëvendësministri i punëve të jashtme zotëri Anton Berishës, ambasadorëve të Shqipërisë në Austri e Sllovaki, zoti Bimo e zonjës Merkuri, ambasadorit të Kosovës në Austri zoti Ukelli, meshtarëve nga Kosova e Austria, intelektualëve të shumët, biznesmenëve e personaliteteve të rëndësishme që jetojnë e veprojnë në Vjenë e Austri, anëtarëve të familjes së Habsburgëve, doktorëve shkence, biznesmenëve e aktivistëve, studentëve e shumë miqve e dashamirëve e bënë madhështore natën e fillimit të kremtimit të Jubileut të 25 vjetorit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptar në Austri.

Kremtimi i Jubileut zgjati tri ditë dhe u hap me koncert klasik në kishën e Misionit në Vjenë.

Koncerti u shfaq nga Orkestra e Dhomës ose “Österreichische Kammer Orchester”, e formuar nga violinisti i njohur shqiptar, anëtari i Filharmonisë së Vjenës, zotëri Shkëlzen Doli, nga 45 anëtarë të 20 nacionaliteteve të ndryshme, nën udhëheqjen e dirigjentit të njohur, Michael Maciaszczyk dhe në paraqitjen e shkëlqyeshme të mezosopranos shqiptare Flaka Gorancit, ku u shfaqën vepra muzikore austriake dhe shqiptare. Të gjithë të pranishmit mbetën të kënaqur nga ajo që u shfaq para tyre.

Në fillim të programit para të pranishmëve dolën moderatorët, zonjusha Donika Nushi dhe Andreas Gjeçaj, të cilët përshëndeten të pranishmit dhe paraqitën arsyen se pse po festojmë këtë Jubile duke theksuar se: “Arsyeja e gëzimit të sotshëm është se Misioni Katolik Shqiptar në Austri mbush 25 vite të ekzistimi. Ai sot është një shtëpi e madhe me rreth 1300 familje e më shumë se 6000 besimtarë të shpërndarë në gjithë Austrinë, Çeki e Sllovaki. Ata bashkohen rreth meshtarit të tyre për kremtuar meshën. Për t’u lutur. Këtu takohen mes vete. Këtu e gjejnë dhe e takojnë Atdheun. Këtu e ruajnë kujtimin për Atdheun. Këtu e mbajnë gjallë lidhjen me Atdheun, i cili u jep nderë e emër. Nëpërmjet fesë mbajnë gjallë traditën që e kanë marrë atje, dhe ecim para, me të njëjtën dashuri duke mos u shkëputur kurrë nga ai. Këtu luten shqip. Këtu e ushqejnë dhe e mbajnë gjallë vetëdijen se kush janë e nga vijnë. Kështu i ruajnë vetitë e tyre dalluese kombëtare të popullit që i përkasin, atij shqiptar.”

Pastaj ata ftuan misionarin aktual të Misionin, Don Nikson Shabanin, i cili si nikoqir i Jubileut, në emër të të gjithë besimtarëve përshëndeti të pranishmit dhe paraqite një historik të shkurtë në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht, për Misionin Katolik Shqiptar në Austri: “Misioni ynë është themeluar në vitin 1993. Kanë shërbyer katër misionar, i pesti ka pasur një përgjegjësi vetëm për Shtajermark. Jemi 1300 familje dhe 6000 besimtarë. Bashkohemi në 11 qendra. Gjithkund njerëz të mirë e besimtarë të devotshëm. Shumë të rinj. Punojnë në të gjitha sferat e shoqërisë. Janë mirë të integruar. Doktorë shkence, mjekisë, juristë, ekonomistë, biznesmenë të suksesshëm, arkitektë. Argjendarë të suksesshëm, filigranistë të zotë, familjarë të mirë, punëtorë të mëdhenj, patriotë të flakët dhe miq që si ka kush.“

Pastaj vazhdoi me paraqitjen e koncertit dhe falënderimet: “Për ta filluar kremtimin e këtij Jubileu po dalim para jush me koncert klasik, në të cilin janë dy shqiptar të suksesshëm në skenën kulturore austriake, po ashtu edhe miqtë e tyre jo më pak të suksesshëm. Orkestra jonë është një harmoni e shkëlqyeshme e shumë nacionaliteteve të cilët gjithë se bashku janë edhe pasqyra e shtetit tonë të dashur Austrisë. Duam ta falënderojmë Zotin për këtë hir. Duam ta falënderojmë Kishën katolike në Austri, Argjipeshkvinë e Vjenës që ka pranuar të kemi një meshtar shqiptar. Të gjitha ipeshkvijtë tjera të Austrisë ku kemi bashkësi shqiptare. Duam të falënderojmë Ipeshkvinë e Kosovës që kanë dërguar këtu një meshtar. Dëshirojmë të falënderojmë shtetin e Austrisë që na ka pranue dhe na ka dhënë mundësinë e një jete të re në gjirin e saj.

Në fund të koncertit, me fjalë miradije kardinali i Vjenës, emimenca e tij Christoph Schönborn e përgëzoi këtë manifestim dhe tha fjalë të mrekullueshme për besimtarët e Misionit: “Ju jeni në Vjenë dhuratë për Kishën e qytetin. Ju keni sjellë fenë me vete, fenë që e keni ruajtur dhe keni vdekur duke e ruajtur, fenë për të cilën keni dëshmuar, dhe kjo është gjëja më e vlefshme që keni mundur ta sillni me vete. Ju e jetoni fenë tuaj këtu në Vjenë.” Ai edhe na nxiti që të reflektojmë mbi të ardhmen tonë se si do të jetë Misionit jonë mbas 25 viteve? “A do ta ruani fenë? Çka do të ndodhë me ju pas 25 viteve? Shpresoj dhe e lus Zotin, që fenë që e keni sjellë prej Atdheut tuaj mos ta humbni këtu, por ta ruani.”- tha kardinali, duke na bekue dhe urue për jubileun – “Edhe një here Zoti ju pagoftë për të gjitha dhe ju dëshirojë një Jubile  të mirë e të bekuar, dhe bekimin e Zotit mbi të gjithë ju, mbi familjet, Atdheun dhe Bashkësinë tuaj. Faleminderit.”

Mbas koncertit besimtarët e Misionit kishin shtruar një agapé të pasur me ushqim e pije që kishin përgatitur nga bujaria e tyre.

 

DITA E DYTË – SIMPOZIUMI

Në ditën e dytë u mbajt Simpoziumi shkencor në sallën e famullisë “Austria dhe shqiptarët në vitin 550 të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.”

Ishin ftuar ligjërues të ndryshëm, shqiptar dhe gjerman, të cilët shpalosën dimensione të ndryshme mbi marrëdhëniet e Austrisë dhe shqiptarëve.

I pari nga ligjëruesit ishte misionari në Austri Don Nikson Shabani, me temën:  25 Jahre Albanische Katholische Gemeinde in Österreich. Die  Geschichte der Gründung. Pastaj vazhduan tjerët, si: Prälat Prof. Dr. Helmut Moll, Zwei selige Märtyrer im albanischen Kommunismus: Pfarrer Josef Marxen (Köln) und Pfarrer Alfons Tracki (Wien); Dr. Kastriot Marku, Fillimi i veprimtarisë françeskane në Shqipëri; Mr. Mikel Pllumaj, OFM, Françeskanët dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu; Dr. Kurt Gostenschnigg, Die sanfte Macht des Kultusprotektorats Österreich-Ungarns über die albanischen Katholiken im Osmanischen Reich;  Dr. Engelbert Deusch, Vom Schutz der albanischen Katholiken und den Ursachen für die steigende Subventionierung durch Österreich (-Ungarn) bis 1918; Dr. Italo Sarro, Le fasi e i modi dell’emigrazione albanese in Italia. Aty dëgjuam gjëra të reja e interesante rreth temës së lartpërmendur. Kumtesat e lartpërmendura do të botohen në një libër të posaçëm.

Ditën e dytë e përfunduam me meshën e shenjtë të cilën e udhëhoqi ipeshkvi ndihmës i Vjenës Imzot Franz Scharl, i dërguari i posaçëm i kardinalit Vjenës eminencës Schënborn, i cili ishte në pamundësi që ta kremtonte me ne këtë meshë. Në bashkëmeshim ishin edhe ipeshkvi i Kosovës Imzot Gjergji, ai i Tivarit Imzot Gjonlleshaj me meshtarët tjerë të ardhur nga Kosova dhe Austria. Kjo ishte mesha e falënderimit për 25-vjetorin e Misionit.

 

DITA E TRETË – MESHA

Mesha e udhëhequr nga ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji u kremtua për shpirtin e Gjergj Kastriotit në 550-vjetorin e vdekjes së tij. Ipeshkvi i Kosovës përshëndeti të gjithë, falënderoi besimtarët për organizimin e shkëlqyeshëm dhe një festë të mrekullueshme duke falënderuar Zotin për gjithçka e për të gjitha hiret që ja ka dhënë kësaj Bashkësie. Shprehi gëzimin e tij për pjesëmarrje në këtë Jubile. Ai falënderoi argjipeshkvin e Tivarit dhe meshtarët që kanë ardhur, Kardinalin, ipeshkvin Sharl dhe artisët që kanë mbajtur koncertin e mrekullueshëm në kishë. Falënderoj besimtarët që kanë përkrahur Misionin dhe janë bashkuar rreth Krishtit dhe sofrës së tij. Ipeshkvi përkujtoi fillimet e këtij Misioni, sepse vet kishte marrë pjesë në kremtimin e meshëve të para, para se të themelohej Misioni. Përkujtoj misionarët që kanë ardhur këtu.

Përkujtoi besimtarët e parë në Austri duke theksuar se njëri prej tyre ishte edhe babai i tij: “Këto ditë kanë qenë ditë të bukura, ditë gëzimi e ditë feste. E falënderoj Zotin për këtë mundësi që na ka dhanë. Më vjen mirë që keni organizuar një simpozium për të kujtuar jo vetëm historinë e misionit por edhe të popullit tonë, e posaçëm figurën e madhe të Gjergj Kastriotit. Duhet ta marrim guximin e tij e sikurse ai të kthehemi në Atdhe. Kardinali ju tha dje se kjo tokë e Austrisë ka nevojë për dëshmitarë të fesë sikur jeni ju. E ju e dini sa krenar ka qenë ipeshkvi juaj kur i ka dëgjuar këto fjalë. Që ju, jo vetëm jeni shembull për familjet e juaja, por jeni shembull për austriakët. Jeni shembull për këtë kishë e jeni shembull për këtë vend. Ju lumtë për këtë punë. Vazhdoni të jeni të

krishterë të devotshëm, të krishterë të mirë, familje të shenjta e që të mund të krenohemi prapë pas 25 viteve kur të vij me kremtu me ju nëse Zoti do.“

 

Dita e tretë dhe jubileu u përmbyll me një koncert familjar, popullor me këngëtarin shqiptar, Malësorin.

Dëshirat e mëdha dhe të shumta ishin që Zoti të bekojë këtë Bashkësi që po rritet dita-ditës me shumë hire dhe shërbime./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »