A e njohin njerëzit më mirë Krishtin nëpërmjet meje?

Nov 30 • Meditimi i ditës

30 nëntor 2018 – E premte, Shën Andreu Apostull (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 10,9-18; Ps 18; Mt 4,18-22)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj të gjitha brengat e mia,

që të jem i/e hapur përballë asaj se çfarë kërkon Zoti prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?

Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur se ekzistoj.

Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.

E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.

Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me shpresë, besim.

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


 

Rom 10, 9-18

 

9 Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. 10 Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë. 11 Sepse, Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Kush beson në Të nuk do të turpërohet.’

12 Kështu, pra, nuk ka dallim mes hebreut e grekut: të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur kundrejt atyre që e thërrasin në ndihmë. 13 Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’

14 Por, si do ta thërrasin Atë, në të cilin nuk besuan? E si do të besojnë në Atë, për të cilin nuk dëgjuan? Si do të dëgjojnë, nëse ndokush nuk ua predikon? 15 E si do ta predikojnë pa qenë dërguar? Kështu është në Shkrimin e shenjtë:

‘Sa të bukura janë këmbët

e atyre që sjellin sihariq!’

16 Por të gjithë nuk iu bindën Ungjillit. Sepse Isaia thotë:

‘O Zot, e kush i besoi predikimit tonë?’

17 Kështu, pra, besimi vjen nga predikimi, e predikimi është shpallja e Fjalës së Zotit.

18 Atëherë pyes: A nuk dëgjuan?

Po si jo! ‘Zëri i tyre mori mbarë dheun, e fjalët e tyre arritën deri në skajet e botës.’


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pali na kujton nevojën që Krishti ka për misionarët: njerëz që e bëjnë atë të njohur në botë nëpërmjet modelit të një jete të mbushur me Krishtin. Pra, është një ditë e mirë për t`iu kthyer atyre, shembujt e të cilëve na kanë prekur dhe ka shkaktuar njëfarë transformimi, kthimi në zemrat tona. Për një moment, kujtoje përsëri fëmijërinë tënde, adoleshencën tënde: ktheje mendjen tënde në ato vitet e hershme të jetës sate…
  • Kush më mësoi ta njoh Jezusin? Kush më mësoi të dua? Të fal?
  • Kush më mësoi ta pranoj veten? Të mos frikësohem? Të dalë nga vetja ime?
  • Kush më mësoi ta pranoj vështrimin e dashur të Krishtit në jetën time?
  • Ndërsa i dëgjoj përsëri fjalët e Palit apostull, i shikoj njerëzit që po më kujtohen, duke i parë ata si pjesë të popullit apostolik të Hyjit nëpërmjet të cilit Krishti arrin në mbarë botën.

 

Bashkëbisedimi

Me një ushtri të tillë dëshmitarësh prapa meje, mund t`i drejtohem Atit për t`i folur Atij për jetën time dhe ndoshta të kërkoj që edhe unë të jem një apostull i cili e sjell fjalën e tij shëruese deri në skajet e përvojës njerëzore.

 

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Thirrja e nxënësve është e rrënjosur nëthirrjen tënde, Jezus, dhe kjo thirrje do t`i ndryshojë jetët e tyre përgjithmonë.Nxënësit jo vetëm që do të dëgjojnë fjalën e Zotit, por, në përputhje me të edhe do të veprojnë. Kështu dishepujt e parë lënë çdo gjë dhe shkojnëpas teje, Jezus. Ti do të fillosh t`ua mësosh atyre një mënyrë të retë jetës, sepse nuk mund të jenë të hapur për veprën e Hyjit derisa të mos i kenë të hapur veshët e tyre për fjalën Tënde.

Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë. O Zot, na mëso rrugët tua. Ti i fton njerëzit që të ndjekin ty ashtu siç janë dhe duke lënë gjithçka, ata bënë pikërisht atë që ke kërkuar. Jezus, ti nuk kërkon tëbraktisim gjithçka, portë ndjekim Ty, të jesh Ti kryesori në udhëtimin tonë të përditshëm gjatë jetës.Dhe atyre që zgjedhin të të ndjekin në mënyrë radikale në thirrjen shpirtërore qofsh Ti ndihma e tyreqë këtë edhe ta realizojnë. Ati ynë…

Shpërndaje

Comments are closed.

« »