Teologjia dhe porosia e kohës së Ardhjes

Nov 30 • Këndvështrime

Nga Don Anton Uka

 

Koha e Ardhjes, e quajtur ndryshe edhe koha e Adventit (adventus është fjalë latine që ka kuptimin e ardhjes dhe të pranisë, që domethënë Zoti është këtu, nuk ka ikur nga bota, nuk na ka lënë bonjakë), sipas kalendarit kishtar gregorian, është kohë katër javore që i paraprinë festës së Krishtlindjes. Kjo është arsyeja kryesore pse kjo kohë e shenjtë nga shumë të krishterë është kuptuar dhe vazhdon të kuptohet edhe sot si kohë që ekskluzivisht na thërret në përgatitjen shpirtërore për festimin e ditëlindjes së Krishtit. Megjithatë, mësimi i Kishës dhe tradita e lashtë e krishterë dëshmojnë se koha liturgjike e Ardhjes nuk është vetëm një kohë, në të cilën Kisha na thërret të mendojmë dhe të reflektojmë mbi të kaluarën e historisë tonë të krishterë që ndërlidhet me ngjarjen e madhe dhe të gëzueshme të Krishtlindjes, apo më saktësisht me ngjizjen, lindjen, kushtimin dhe pagëzimin e Jezu Krishtit, por se në qendër të porosisë së saj, ka dimensionin eskatologjik, d.m.th. gjërat e fundit të jetës që me fe i besojmë dhe me shpresë i presim; ku për të krishterin jeta, vdekja, ringjallja dhe pritja e Ditës së fundit – Gjykimit, bëhen një thirrje konkrete për të qëndruar zgjuar në fe, shpresë dhe dashuri për t’u takuar me Emanuelin – Zotin me ne.

Që në kohët e para të krishterimit, porosia e kohës së shenjtë të Ardhjes ishte dhe mbetet ajo e përgatitjes me gëzim e të krishterëve, e cila duhet të ndodhë përmes lutjes, meditimit, pendesës dhe formave tjera personale dhe kishtare, të cilat kanë qëllimin të na rrisin në dashuri, të na forcojnë në fe dhe ta na mbushin me shpresë, në mënyrë që takimi me Krishtin të mos na gjejë të përgjumur e ‘me drita të fikura’, sikurse iu ndodhi pesë virgjërave marroqe të Ungjillit (krh. Mt 25, 1-13).

Pra, koha e Ardhjes është përgatitje për një ngjarje të dyfishtë: për Krishtlindjen, si kujtim i lindjes së Jezusit, që para dymijë viteve erdhi në mesin e njerëzve, si dhe për Ardhjen e dytë e përfundimtare të Krishtit, që ka për të ndodhur në fund të kohërave.

Kështu që karakteri i dyfishtë i kohës së Ardhjes synon të na kthejë te e vërteta, d.m.th. të rrënjët e fesë sonë, dhe njëkohësisht na orienton drejt shpresës apo drejt takimit tonë të ardhshëm me Krishtin në lavdinë e Tij të përjetshme.

Leximi i parë, i dielës së parë të Ardhjes, përmes gojës së Jeremisë profet na rikujton dimensionin teologjik dhe atë eskatologjik të kohës së Ardhjes. Për këtë ai shpall se po afrohen ditët dhe do të shkojë në vend fjala e mirë, që Hyji ia ka premtuar Izraelit (krh. Jer 33, 14). Cilat janë ato ditë që po afrohen? Fakti që njeriu jeton në chronos (në kohë kronologjike, ku ditët e kalendarit kalojnë dhe nuk kthehen më) dhe në kairòs (kohë kjo e favorshme hiri dhe përgjegjësie për njeriun, në të cilën Hyji kalon për ta takuar dhe shëlbuar) është një e vërtetë, sa e dhimbshme, aq edhe ngushëlluese dhe shpresëdhënëse për të.

Është e dhimbshme për faktin se në aspektin psikologjik kalimi i jetës, sëmundja, pleqëria dhe ndarja nga të dashurit apo vdekja shkaktojnë plagë të thella në mendjen dhe në zemrën e njeriut; ndërsa, është ngushëlluese dhe shpresëdhënëse, për faktin se në logjikën e krishterë, sosja shndërrohet në përsosje, vuajtja në gëzim, vdekja në ringjallje. Prandaj, dëshmia e Jeremisë profet dëshiron ta vetëdijesojë njeriun për afrimin e paevitueshëm të ditëve të tija, të kufizuar në kohë kalimtare (chronos), me ditët e amshueshme të Zotit, të pakufizuara në kohë dhe hapësirë (kairòs).

Ndërsa, pjesa e psalmit njëzetepesë, e cila na propozohet në fillimin e kohës së Ardhjes, na paraqet dimensionin shpirtëror dhe atë moral përmes të të cilave njeriu formohet dhe aftësohet, që ta duaj Hyjin dhe të afërmin si vetveten.

Liturgjia e kësaj kohe të shenjtë, sikur dëshiron të na thotë se klithja e psalmistit: “Bëjë t’i njoh, o Zot, udhët e tua”, duhet të përvetësohet nga të krishterët, gjatë gjithë kësaj kohe, në lutje të vazhdueshme, me dëshirën që të njihet dhe të ndiqet udha e Zotit.

Njohja nënkupton pranimin e dimensionit shpirtëror, që karakterizohet nga dëgjimi, meditimi, kundrimi, lutja dhe adhurimi, ndërsa ndjekja nënkupton aspektin moral, që domethënë veprimet sipas modelit dhe stilit të Jezusit. Kështu që feja dhe veprat na paraqiten si një rrugë e vetme që qojnë në takim me Krishtin.

Ndërsa, përmes leximit të dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve, liturgjia kishtare shpreh urimin e vet për të gjithë të krishterët, duke dëshiruar që gjatë kësaj kohe të shenjtë të rritet dhe të shtohet përherë e më tepër dashuria ndaj njëri-tjetrit, forcimi në shenjtëri dhe përcaktimi për të njëjtën rrugë që Jezu Krishti e ka ndjekur dhe e ka paraqitur si të vetmen të vërtetë, që shpie drejtë jetës.

Pjesa e Ungjillit, përveçse të na rikujtojë dimensionin eskatologjik, për të cilin folëm më parë, na ri-thërret që ta kemi kujdes veten, në mënyrë që zemrat tona të mos kalamenden prej grykësisë, shfrenisë dhe preokupimit të tepruar për gjërat materiale, të cilat, po e lidhëm zemrën fort për to, e kanë fuqinë të na ndrydhin dhe të na fusin në rrethin vicioz të frustrimit të përhershëm.

Prandaj, terapia apo ilaçi që na propozon Krishti, në mënyrë që të ruhemi nga kalamendja e jetës si dhe nga ndjenja e frustrimit dhe e dëshpërimit, është lutja. Andaj edhe thotë: “Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut” (Lk 21, 36).

Ikona e pritjes, e kthimit dhe e shpresës së krishterë, karakteristika këto tipike të kohës së Ardhjes, është Virgjëra Mari.

Në traditën e krishterë, jo rastësisht, muaji dhjetor, në të cilin bie edhe festa e Zojës së Papërlyer, është i kushtuar veçanërisht Zojës së Bekuar, të cilën Kisha ia ofron njeriut si model jete dhe shenjtërie. Këtë e thoshte edhe Shën Pali i VI, papë, kur shkruante: “Në këtë mënyrë besimtarët, që e jetojnë shpirtin e kohës së Ardhjes së bashku me liturgjinë, duke e konsideruar dashurinë e papërshkrueshme, me të cilën Nëna Virgjër e priste Birin e Hyjit, janë të ftuar ta pranojnë si model dhe të përgatiten për t’i shkuar në takim Shpëtimtarit që vjen, të zgjuar në uratë dhe të gëzueshëm në këngët e lavdit”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »