E diela I e Ardhjes: Rrini zgjuar dhe lutuni!

Dec 2 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela I e Ardhjes (C)

 

 

Leximi i parë   Jer 33, 14-16

Premtimet që Hyji u ka bërë njerëzve nëpërmjet Abrahamit, Jakobit dhe Davidit do të realizohen, sepse Hyji është besnik. Do të bëjë të lindë një farë, nga e cila do të lulëzojë një mbretëri drejtësie dhe paqeje; një farë që është shkruar të vdesë e pastaj të ringjallet. Historia e re e botës ku paqja dhe drejtësia mbretërojnë e ka origjinën nga Krishti. 

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Ja, po vijnë ditë – është shpallje e Zotit – e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës. Në ato ditë e po në atë kohë, do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie. Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Jerusalemi do të banojë në siguri. Dhe ja, emri me të cilin do të quhet qyteti: ‘Zoti është Drejtësia jonë’. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   25

 

Ref: Tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

—————————————–

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.

——————————————

I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.

—————————————–

Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë

për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.

Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë,

për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.

——————————————–

 

Leximi i dytë   1 Sel 3, 12.13 – 4, 2

Pali na kujton se, deri në momentin e ardhjes së Krishtit, angazhimi i besimtarëve është që të rriten nën dijen e Hyjit dhe në dashurinë ndaj vëllezërve. Krishti ka realizuar besëlidhjen e tij me njerëzimin nëpërmjet dashurisë ndaj Atit dhe ndaj njerëzve. Paqja dhe drejtësia marrin kuptim dhe plotësi kur ashtu si Krishti heqim dorë nga vetja për të rilindur në Atin dhe në vëllezërit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj juve! Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe atit tonë për ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij. Mandej, vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Na e trego, o Zot, mëshirën tënde, dhe na e jep shëlbimin tënd.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 21, 25-28.34-36

Jezusi nuk do të na frikësojë, madje do të na japë një kuptim të vërtetë për të gjitha tragjeditë njerëzore. Na mëson të kultivojmë një shpresë përtej historisë sonë, të rrimë zgjuar për të mos jetuar kot një jetë sipërfaqësore: duke na çliruar nga moskuptimi dhe ankthi i kësaj jetë. Na fton të shikojmë në thellësi ngjarjet e ndryshme dhe të bëjmë të mundur me angazhimin tonë drejtësinë e Hyjit që tani. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj! Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdesevet të jetës që ajo ditë të mos ju vijë papritmas, sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Shenjat e natyrës dhe të historisë duhet të dish t’i lexosh e sidomos duhet të interpretosh sinjalet e zemrës, sepse ajo është vendi ku luhen çështjet vendimtare të jetës, të vdekjes dhe të kuptimit të ekzistencës.

“Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje”. Krijuesi merr pjesë në ardhjen e Birit të Hyjit për gjykimin e njerëzimit. Dielli dhe hëna shfaqin shenja shqetësues, që ngjallin frikë në zemrat e njerëzve. Një frikë që çon drejt vdekjes.

“Drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!”. Luka flet për çlirimin e një bashkësie që po vuan persekutimin e keqkuptimin edhe në brendësi të familjes për shkak të ungjillit. Ai u drejton fjalë ngushëllimi besimtarëve: çlirimi i tyre është afër, nuk duhet të frikësohen, por shumë mirë mund të ngrenë kokën, si burra dhe gra të lira.

“Kini kujdes, veten që zemrat tuaja të mos kalamenden”. Përballë çmendurive të natyrës, i krishteri nuk duhet të lejojë t’i rëndohet zemra nga vese apo nga shqetësime të drejta të jetës nëse na bëjnë të humbasim vëmendjen nga fundi përfundimtar i jetës njerëzore. Nëse largohet vëmendja nga kuptimi i vetë ekzistencës, nëse zvogëlohet dëshira ndaj Hyjit, atëherë ardhja e tij do të jetë pikërisht si një kurth për zogjtë.

“Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment”. Dishepulli duhet të mbajë gjallë në të tashmen kontaktin me Hyjin, që të jetë i denjë në gjykimin përfundimtar për të hyrë në Jetën e amshuar.

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra, Ati ynë i përgjigjet dëshirës sonë për shpëtim, duke na dhuruar Fjalën e tij të jetës, që ndriçon dhe mbështet ecjen tonë të ardhjes dhe na tregon Birin e tij, të mishëruar për ne. Të lutemi së bashku duke thënë:

Eja shpejt, o Zot!

L. Për Kishën, që të shfaqë gjithnjë e më shumë fytyrën e Krishtit shpëtimtar drejt atyre që kërkojnë mëshirën. Të lutemi

L. Për popujt që nuk njohin Krishtin, që bamirësia e bashkësive të krishtera t’i përgatisë të pranojnë Ungjillin. Të lutemi

L. Për ne, që në fillim të kësaj kohe Ardhje, të pranojmë thirrjen të jemi përgjegjës, duke u kujtuar se një ditë do të gjykohemi nga Gjykatësi e Bariu i jetës sonë. Të lutemi

L. Për bashkësitë tona, që duke pritur Krishtin çlirimtar dhe duke dëgjuar fjalën e Hyjit, të kryejmë vepra drejtësie dhe paqeje. Të lutemi

L. Për bashkësinë tonë famullitare, që të jetë e hapur për të bashkëndarë gjërat materiale me ata që kanë vështirësi ekonomike apo janë pa punë. Të lutemi

M. Dëgjoji, o Zot Jezus, lutjet tona: bëj që të ndriçuar nga mirësia jote të dimë të ndihmojmë vëllezërit tanë që janë në vështirësi dhe vuajtje. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »