Rizbulohet i restauruar Portreti i Gjergj Kastriotit në Katedralen e Prizrenit

Dec 5 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Kisha Katolike në Kosovë, ka shënuar përfundimin e vitit jubilar të 550-vjetorit të kalimit në amshim të heroit tonë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, më 27 nëntor 2018 në Prizren, me një akademi solemne kushtuar rizbulimit të pikturës së restauruar të Heroit tonë, e cila gjendet brenda Katedrales Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Në akademi morën pjesë Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi, kryetari i komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka e shumë autoritete tjera shoqërore, kulturore dhe artistike. Këtë takim e bëri edhe më madhështor prania e Ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergji, së bashku me 3 ipeshkvi të tjerë të ardhur nga Mali i Zi dhe Shqipëria, një numër i madh meshtarësh dhe motra të nderit e natyrisht një numër i madh i popullit që i përkiste besimeve të ndryshme fetare.

Akademinë e hapi shkolla e muzikës “Lorenc Antoni” nga Prizreni, me këndimin e Himnit Kombëtar, e pastaj pasuan fjalimet e mirëseardhjes nga Don Shan Zefi, Vikar Ipeshkvnor dhe z. Mytaher Haskuka, Kryetar i komunës së Prizrenit.

Don Shan Zefi në mes të tjerash tha: “Përvjetori në fjalë, pas atij që u mbajt në vitin ’68 të shek. të kaluar, në mbështetje të Papës Pali VI në Vatikan, padyshim është më së domethënës, pasi që edhe bota shqiptare sikur detyrohet të rreshtohet përkrah perëndimit, siç kishte qenë dikur në vazhdën e shekujve, sikur edhe në periudhën e Gjergj Kastriotit, i cili, megjithëse i vdekur, ai fuqimisht është edhe sot shpirtërisht me ne, çfarë tregon edhe prania jonë. Deri sa të ketë Zot në qiell e Gjergj Kastriot në tokë shqiptarët do të jetojnë, sepse dashuria për Atdheun dhe për traditën e të Parëve nuk shuhet”.

Ndërkaq kryetari i komunës shtoi: “Murali i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i pikturuar në katedralen e Zonjës Ndihmëtare, tregon historinë e popullit tonë, luftën dhe synimet tona të përhershme për liri. Piktura është e veçantë për nga motivi dhe stili, gjë që paraqet vlerë të shtuar për qytetin dhe vendin tonë. Prandaj, në prag të festës sonë kombëtare të 28 Nëntorit, në vitin kushtuar Skënderbeut dhe në prag të festave të fundvitit, restaurimi i tij është dhurata më e mirë që mund të na dhurohet”.

Menjëherë pasi u këndua “Hymni i Flamurit Kombëtar” i Atë Gjergj Fishtës, fjalën e mori Kryeministri i vendit tonë z. Ramush Haradinaj i cili theksoi se: “për çdo shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është heroi ynë, prijësi ynë dhe do të mbetet gjithnjë… Ne nderuam veten dhe të gjithë ata me të cilët ndajmë kontinentin tonë. Shpreh respekt për të gjithë udhëheqësit fetar, dhe po ashtu një aftësi të veçantë që ka shqiptari që kurrë të mos arrijë askush të vendos pengesa e barriera ose dallime. Shqiptarë kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi gjithnjë”.

Pas fjalimit të tij u bë zbulimi i pikturës së restauruar të heroit tonë, zbulim të cilin e bënë Ipeshkëvi ynë Imzot Dodë Gjergji së bashku me Kryeministrin dhe Don Shan Zefin.

Pas zbulimit mbajtën fjalën e rastit edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi dhe piktori-restauratori z. Mustafa Arapi nga Shqipëria. Z. Kujtim Gashi tha: “Edhe sot, në këtë ditë dhe datë të shënuar, të zbulimit të pikturës së restauruar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me krenari themi se, historia jonë kombëtare, në djepin e së cilës u lind pavarësia e kombit, në veçanti i nderon pesë data fatbardhe të shqiptarisë: vitin 1444, kur Gjergj Kastrioti, ai Fatos i lirisë, mblodhi në Lezhë kuvendin e prijësve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë; vitin 1878, kur në Prizren, Abdyl Frashëri tuboi krerët e mbarë Shqipërisë; vitin 1912 kur lindi shteti shqiptar; 28 nëntorin e vitit 1997, kur u shfaq publikisht UÇK-ja dhe vitin 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Kosovës”.

Akademinë solemne e përmbylli Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji duke thënë se: “Figura e Heroit na ka përcjellë në vuajtjet tona historike dhe na ka motivua për qëndresë gjatë gjithë këtyre shekujve. Për 550 vjet, ai ka qenë figura më e rëndësishme që na ka udhëhequr në ecjen tonë si komb. Prandaj, Ai ka qenë, është  dhe do të mbetet Ati i Kombit tonë Shqiptar.

Figurën e tij, Kisha katolike ndër shqiptarë, e ka ruajtur me xhelozi në gjirin e vet, që as mos të  harrohet nga të vetët, që mos të përvetësohet nga të tjerët dhe  të mos përdhoset nga të huajt. Sepse kemi dashtë që ai të jetë pasqyrë  në të cilën të gjithë shqiptarët do të mund ta njohin vetën e vet. Ai është biri më i ndritur i kombit  dhe  model për të gjithë: për burrështetas, për gjeneral, për diplomatë, për qytetarë, po edhe burra e gra të  tjerë  të kombit, që gjatë historisë kanë kërkuar një model, se si duhet vlerësuar vetën, si duhet dashur kombi, atdheu. Po edhe kur kanë dashtë të vlerësojnë se sa e rëndësishme është liria, uniteti dhe identiteti i kombit, në figurën e Gjergj Kastriotit, e kanë gjetur modelin më të mirë.

Duhet vlerësuar guximi i Kishës, që  kishte vendosë këtë Portret në kohën e trazimeve të shumta dhe rreziqeve të mëdha, që ishte koha e lidhjes së Prizrenit. Sot, në rizbulimin e pikturës së tij të restauruar në  këtë Katedrale, akoma s’ka përfunduar rreziku dh kërcënimi i atëhershëm për kombin tonë. Këndej është më se e rëndësishme që  fytyra e tij të rishfaqet e shkëlqyer, e pastër, e dëlirë, fisnike. Lypet që të gjithë  të pajisemi me vlerat dhe virtytet e Tij, mbi të cilën do të duhej të projektohej e sotmja dhe ardhmja e jonë si komb. Mu ashtu si Papa Pali VI kishte uruar shtegtarët shqiptarë para 50 viteve, që të jetësohej projekti i Gjergjit tonë, i cili, siç tha Papa Françesku këto ditë, ka thadruar identitetin tonë kombëtarë. Këndej,  të bashkuar si vëllezër e motra, pa përçarje dhe përjashtime të  restaurojmë dashurinë për tokën tonë, vlerat tona, traditën tona të lashtë arbërore  dhe lidhjet tona me miq, me  qytetërimin perëndimor dhe me Selinë e Shenjtë.” – ishin fjalët e ipeshkvit, që e përfundoj me falënderim të veçantë për kontribut Don Shan Zefin, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Financave dhe Kryeministrin Z. Ramush Haradinaj,

Pas përfundimit të Akademisë, në oborrin e Katedrales u shtrua edhe një koktej rasti për të gjithë të pranishmit./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »