Familja e krishterë – mundësi apo utopi?

Dec 7 • Familja

Nga Don Lush Gjergji

 

Vetë titulli shtron një dilemë dhe pyetje jo të vogël dhe të lehtë: a është e mundshme që edhe sot dhe në rrethana të ndryshme, familja shqiptare e krishterë, të jetë ende dhuruese, bartëse, edukuese e jetës dhe dashurisë? Përgjigjja nuk është teorike,  e përkohshme, me fjalë apo mendime, por kërkon që jeta ta vërtetojë dhe  dëshmojë këtë.

Koncili II i Vatikanit (KDV) e trajton familjen e krishterë si “Kishë shtëpiake”, domethënë të shenjtë, të pandashme, si burim dhe frymëzim dashurie, dëshmi e jetës së krishterë.

Jezu Krishti lidhur me kurorë është mjaft i qartë dhe shumë i vendosur. Ta dëgjojmë: “Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup. Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!” (Mt 19, 5-6).

Në një vend tjetër Ai thotë kështu: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bënë kurorëthyerje kundër të parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bënë kurorëthyerje” (Mk 10, 11-12).

Kështu flet dhe mëson Shëlbuesi ynë Jezu Krishti. Cilat janë elementet që i thekson Krishti dhe pa të cilat nuk ka familje dhe martesë të krishterë?

Lërja apo largimi prej babës dhe nënës, pra, prej familjes së prejardhjes, e cila mund të jetë ndihmesë e madhe, qysh me edukimin e fëmijëve dhe të rinisë, si pasqyre jete, dashurie, lumturie. Kjo shkëputje apo ndarje, largim prej familjes së prejardhjes, ndodhë vetëm fizikisht dhe pjesërisht, shkakton vështirësi të mëdha, është një lloj “lindjeje”, dalje prej rrjetit, pa të cilin nuk ka jetë të re, bashkëshortore. Sa familjet tona janë vërtet pasqyrë jete, dashurie dhe lumturie, që edhe rinia të ketë dëshirë  të jetë si prindërit, model pozitiv, apo diçka tjetër?

Përzierja e prindërve  në jetën e bashkëshortëve të bijve apo bijave, shpesh me këshillime dhe udhëzime negative, si p. sh. mos e duro më, se ai (ajo) nuk e meriton besnikërinë dhe dashurinë tënde, tregoja edhe ti dhëmbët…

Në mes të burrit dhe gruas nuk është, nuk do të duhet të jetë askush tjetër, përpos Zotit.

Shën Nëna Tereze thotë: “Familja që lutet së bashku, jeton bashkërisht”.

“Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm”. Kjo kryesisht domethënë ndjenja e përkatësisë së përbashkët, ji i im (e imja), jam i yti (e jotja). Kjo ndjenë nuk krijohet shpejtë dhe lehtë, por është një proces apo rrugëtim jetësor, i cili nuk mund të krijohet vetëm me lidhjen, bashkimi dhe komunikim trupor, që është pikënisje, por jo edhe pikësynim apo arritje, por mundësi, fushëveprim, ushtrim gjatë tërë jetës.

A e ke ti këtë ndjenë që, burri yt – gruaja jote, është pjesë e rëndësishme, për shumëçka edhe vendimtare në jetën tënde? A e mendon, mund ta mendosh ti jetën tënde edhe ndryshe, pa burrin apo gruan tënde? Sa ti në tjetrin apo tjetrën e ke gjetur vetveten: të dua e jo më dua, si mundësi jete, dashurie, lumturie?

Që dy të bëhen një në vazhdimësi, duhen disa kushte themelore: njohja, pranimi, dhurimi i ndërsjellët si trup, psike dhe shpirt.

Trupi i njeriut është i përbërë prej shumë gjymtyrëve, megjithatë është një njësi, si qenie mjaft komplekse dhe dinamike. Nuk mjafton vetëm tërheqja trupore, sepse ajo është e njëanshme dhe na mashtron, jep shumë pak, është kënaqësi e përkohshme dhe asgjë tjetër. Shembull tipik i kësaj lidhje dhe marrëdhënie është prostitucioni, shitja apo blerja e trupit, epshit, në vend të dashurisë

Prej trupit kalojmë në psike, si nivel apo shkallë e dytë e jetës njerëzore. Jeta psikike ka qendrën në sistemin nervor qendror, por e tejkalon atë, është shumë më e lartë dhe më e thellë.

Aftësitë kryesore psikike janë:

vëmendja, si aftësi për t’u përqendruar për dikë apo diçka;

 kujtesa – grumbullimi dhe ruajtja e njohurive dhe përvojave;

 kuptimi – aftësia  për gjetjen e domethënies së njerëzve apo gjërave;

 mendimi – njohja dhe lidhja  me njerëz apo ngjarje;

njohuria – mundësia për njohje, zgjidhje të çështjeve të panjohura;

vetëdija – aftësia për të pasur vetëdije për vetveten dhe të tjerët;

 afekti – aftësia për të dashur, pranuar dhe dhuruar dashuri;

 vullneti – aftësia për të lëvizur dhe vazhduar ndonjë veprimtari;

 liria – aftësia për të zgjedhur dhe përcaktuar për dikë apo për diçka.  

Këto dhe shumë veti tjera psikike janë një lloj “orkestre apo kori” me shumë zëra apo vegla muzikore, që duhet t’i njohim dhe harmonizojmë në brendinë tonë – me një dirigjent, fuqi koordinuese dhe bartëse, për të arritur deri te identiteti dhe personaliteti bazik:

Kush jam unë?

Çka dua unë?

Si dua unë të realizoj atë çka dua.

Pa këtë njohuri dhe harmonizim të brendshëm, nuk ka jetë të mirë dhe të lumtur personale apo individuale, si parakusht për lidhje – marrëdhënie dhe bashkëpunim – bashkëjetesë me të tjerët.

Nëse je i “copëtuar” dhe në luftë, konflikt me vetveten, edhe më keq do të jesh me të tjerët.

Fajësimi – shfajësimi janë dy mekanizma që na rrejnë, mashtrojnë, nuk na lejojnë që të ballafaqohemi me vetveten, të harmonizohemi, dhe si të tillë pastaj të komunikojmë edhe me të tjerët.

Jeta shpirtërore ose fetare në lidhje me Absolutin, Zotin, si kërkesa e Zotit në vetvete, në brendinë tonë, që mund ta quajmë edhe ecja apo rrugëtimi shpirtëror, është shkalla e tretë dhe më e lartë në jetën e njeriut.

Çfarë synimi apo qëllimi ka jeta shpirtërore?

Krijimi i vetëdijes më e lartë – si krijesa, bij apo bija të Zotit.

Urtia më e madhe – për mënyrën e jetës dhe të veprimit.

Prania e Zotit në jetën tonë – nuk jam i vetmuar, apo në shoqëri vetëm me të ngjashëm, të njëjtë, si unë, me njerëz, por kam një Prani, Dashuri, Jetë, që më tejkalo, përcjell dhe ndihmon gjithnjë, këtu dhe në amshim.

Fitorja përfundimtare ndaj të keqes, mëkatit, vdekjes, është e siguruar me mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, me besim dhe jetësim të kësaj të vërtete themelore për jetën e krishterë.

Jeta shpirtërore ka dy rrugë apo drejtime:

Ngritja dhe përsosmëria personale në vazhdimësi;

Dëshmia e kësaj risie në lidhje dhe në jetë me të tjerët. /drita.info    

Shpërndaje

Comments are closed.

« »