Ndryshimi – një proces i vullnetshëm

Dec 7 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Njerëzit, gjatё jetёs sё tyre, mё shumё se njё herё, e ndjejnë nevojën dhe domosdoshmёrinё për ndryshim. Natyrisht, dёshira dhe pritshmёritё janё pothuajse gjithmonё pёr njё ndryshim pozitiv, që është më se i rëndësishëm dhe i nevojshëm si për veten e tyre, ashtu edhe për rrethin shoqëror ku bёjnё pjesё. Mirëpo, nuk flitet kёtu për ndryshimin nё kuptimin e gjerё tё fjalёs, që të mos keqkuptohemi, nuk është fjala, dhe nuk  ka të bëjë me një ndryshim transgjinor, ose ndryshim estetik pёrmes operacioneve të ndryshme plastike, që sot, duket se është bërë trend i modёs prej sё cilёs ndikohen kryesisht brezi i ri, pa përjashtuar këtu edhe moshat e tjera, as nuk flitet për njё ndryshim shtëpie, profesioni, apo nё pёrzgjedhjen e universitetit, punёs, ndryshim partneri, shoqërie. Gjithashtu, nuk ka të bëj as me ndryshimet biologjike, si fazat e zhvillimit që ndodhin natyrshëm në trupin e njeriut. Këtu bёhet fjalё, për një ndryshim individual, intim, të thellë, të brendshëm e të përditshëm, që ka të bëjë me mënyrën e të menduarit, të vepruarit, të sjellurit, të qëndruarit, të gjykuarit e vetes e tё tjetrit, të  larguarit e veseve, të mënyrёs së të folurit etj.

Njё ndryshim i tillё, edhe pse, herё ёshtё i dёshiruar, e herё lind nga nevoja e papritur prej situatash dhe rrethanash qё janё vazhdimisht nё ndryshim e sipёr, ndaj dhe bёhet edhe i nevojshёm, i domosdoshёm, prapëseprapë shumë persona i tremben idesё së kёtij ndryshimi, u duket i vështirë dhe i pamundur. Kjo vihet re nga mënyra e të shprehurit, nga reagimi i parё që vjen krejt spontan dhe pa filtra interpretues, dhe si rrjedhojё dëgjojmё tё thuhet nga shumë persona: “unë nuk mund të ndryshoj, kështu jam, nëse ndryshoj nuk jam vetvetja…

Lind pyetja: Vërtetë është i pamundur ndryshimi? Vërtet, nëse ndryshojmё nuk jemi vetvetja? Që të dyja këto pyetje lënë për tё dëshiruar. E vërteta qëndron se ndryshimi nuk është i lehtë, nuk është i këndshëm, nuk është i menjëhershëm, por nuk është i pamundur dhe i parëndësishëm, të pamundur e bën vetë individi. E kjo ndodh, pёr fat të keq, vetëm kur bëhet fjalë për ndryshimin e brendshëm, sepse për ndryshimin e jashtëm tё individit, siç ёshtё p.sh. ai estetik, pёrkundrazi jo vetёm bёhen pёrpjekje tё jashtёzakonshme, por nё tentativa pёr t’ia arritur qёllimit vihen nё lёvizje tё gjitha sferat individuale e shoqërore, bёhen përpjekje tё tilla ku shihet qartё sesa shumë para, sa shumë energji e nerva harxhohen, e mjerisht edhe duke bërë operacione të ndryshme e të rrezikshme, vetëm e vetëm për të  ndryshuar pamjen e jashtme, formёn e trupit, madje shkohet deri aty sa e komprometojnё rёndё bukurinё dhe hijeshinё e tyre fizike dhe estetike, tё cilёn Zoti ua ka dhënë, pa dallim racor apo fizik, dhe e gjitha ndodh thjesht  për t’u dukur ndryshe. Megjithatё, vetvetiu lind pyetja: a është ky njё ndryshimi real? Përgjigjja vjen natyrshëm me një JO, të madhe. Ky është vetëm një mashtrim i madh, që individi ia bën vetes, mjerisht, duke menduar e besuar  se i bind edhe i mashtron edhe të tjerët.

Nё rastin tonё, bёhet fjalё për një ndryshim tjetër, për ndryshim të brendshëm, që përfshin të menduarit, tё vepruarit, tё sjellurit, të gjykuarit… Por nga ajo çfarë vihet re, mund të thuhet se njeriu, si individ angazhohet pak ose aspak për një ndryshim të brendshëm e të vazhdueshëm.  Mjerisht, vazhdon duke e bindur veten, se kështu jam, nuk mund të ndryshoj. Por është më se e nevojshme që të arrihet deri tek ndërgjegjësimi e pranimi, se njeriu nuk është perfekt, nuk është i përkryer, e të pranojё sesa është i mirë dhe i nevojshëm ndryshimi. Sidomos kur tërhiqet vërejtja e kur thuhen, se disa gjëra janë të dëmshme, si për vetë personin edhe për tjetrin, por edhe pёr shoqërinё.

Goethe thotë: Kush është gjallë duhet të jetë gjithnjë gati për ndryshim. Mund të thuhet se është e pa perceptueshme që njeriu të mos ketë nevojë për ndryshim, sepse secili prej nesh ka defekte, tё meta, që kërkohet jo të zhduken, por të njihen, tё pranohen, të emërtohen e të përmirësohen. Kjo mund të arrihet vetëm nëse e praktikojmё kёtё gjё çdo ditë.

Sigmund Freud thotë: Nëse brenda një viti nuk ke ndryshuar, prek pulsin se mund të kesh vdekur. Pra, që të tregojmё që jetojmё, nuk mjafton vetëm të marrim frymё, të duam, të veprojmё, duhet patjetёr tё ndryshojmё sё brendshmi, sepse është një pikë e nevojshme dhe e rëndësishme si për personin, ashtu edhe për shoqërinё, për një funksionim sa më të mirё e të shëndoshë tё saj. Gjërat nuk ndryshojnё vetvetiu, por jemi ne, unë dhe ti, që ndryshojmë. Një proces ky, i cili nuk mund të bëhet menjëherë, por ndodh ngadalё, gjatё gjithё jetёs sonё. Gjithashtu, është një veprim i personalizuar që varet nga vetë individi, pasi njё gjё tё tillё nuk mund ta bëjmё tek tjetri, e as nuk mund ta dhurojmё tek tё tjerët. Je ti, ai, ajo, që vendos të  ndryshojё dhe si. Pra, kërkohet nga ne të zgjedhim ndryshimin.

 

Çfarë do të thotë të ndryshosh?

Të ndryshosh, nuk do të thotë të marrësh disa mësime, të bësh disa trajnime, të pajisesh me çertifikata të ndryshme, të kryesh kurse të ndryshme, të lexosh libra, të vizitosh vende të ndryshme… të gjitha këto nuk janë të pavlera, mund ta ndihmojnё individin, por nuk mund ta  ndryshojnё atë. Të ndryshosh, do të thotë të pranosh se ke nevojё për ndryshim. E gjithashtu, do të thotë të ndryshosh vetveten, individin brenda teje, e kështu duke i dhënë vetes një ripërtёritje të përditshme e të përhershme. Po ashtu, duke u munduar qё t’i shohёsh gjërat çdo ditë, si një ditë e re.

Lev Tolstoj thotë: Të gjithë mendojnë të ndryshojnë njerëzimin, por askush nuk mendon të ndryshoj veten. Pra, harrohet kёshtu se ndryshimi fillon nga vetja, e nga gjërat e vogla e të përditshme për të arritur tek një ndryshim i madh. Ndryshimi, fillon nga unë, që nga mënyra e të menduarit, të vepruarit, të sjellurit, të gjykuarit, të folurit. Mënyra sesi i mendoj, e si i përceptoj gjërat, është ndryshimi më i rëndësishëm. E nëse nuk arrihet kjo, atëherë ndryshimi vështirësohet, por jo aq sa tё jetё i pamundur.

Gregore Bernard Shaw thotë: Ata që s’mund të ndryshojnë mendim, s’mund të ndryshojnë asgjë.  Nga ky pohim, mund të kuptohet sa shumë rëndёsi ka mënyra e të menduarit, dhe se ndryshimi i tij, nuk ka njё kohë të pёrcaktuar, por është i përditshëm, aq kohё sa njeriu jeton, po aq kohё ka nevojё për mësim, pёr përmirësim, pasi vetё procesi i të mësuarit e shtyn individin drejt ndryshimit. Gjë që e përforcon edhe Henri Bergson: Të ekzistosh, do të thotë të ndryshosh, të ndryshosh, do të thotë thotë të bëhesh më i pjekur, dhe të bëhesh më i pjekur, do të thotë që të vazhdosh pafundësisht formimin (edukimin) e vetes. Me një fjalë, të ndryshosh, do të thotë të rritesh. Nëse deri tani nuk është praktikuar, nuk është vonë, provojeni tani, ndryshoni mënyrёn e të menduarit, sepse duke ndryshuar mënyra e të menduarit, ndryshon edhe jeta.

Të ndryshosh, nuk do të thotë të pretendojmё qё tё ndryshojmё domosdoshmёrisht edhe tjetrin, sepse kjo nuk është në dorën tonë. Tenyin Gyatso thotё: Isha inteligjent e doja të ndryshoja botën, kurse tani jam i urtë e dua të ndryshoj veten.

 

Çfarë kërkohet për të ndryshuar?

Për të ndryshuar, është më se e nevojshme të kthehet vëmendja tek vetja e të zbulohen, defektet, pengesat që ndodhen brenda saj. Të dish kush je? Po, por nga ana e brendshme që vetëm ti e njeh. Po ashtu, është  shumë e nevojshme që të pranohet se kemi nevojё për ndryshim. Të pranohet vetvetja me anët e saja pozitive e negative, sepse kur njeriu njeh vetveten dhe e pranon atё ashtu siç ёshtё, atëhere ka mundësi t’i njohё e dallojё gjërat, tё cilat duhen ndryshuar.

Mirëpo, kuptohet, se nuk është aq e thjeshtë dhe e lehtë ashtu siç shprehet me fjalë. Për të ndryshuar kërkohet kurajo e motivim. Duhet qё të thyhen skemat që njeriu ka krijuar e krijon në kokën e tij, gjithashtu duhet, që ai të lirohet nga ideja se çfarë mund të thonë të tjerët nëse sillem, mendoj e veproj ndryshe. Me një fjalë, kërkohet që personi të lirohet nga opinioni publik, nga dëshira për t’u dukur mirё e bukur vetëm para tё tjerëve. Po ashtu, kërkohet një ecuri graduale me hapa të vegjël, kërkohet një shoshitje e gjërave në të përditshmen. Domethёnё nevojitet kohё, durim, besim, qëndrueshmëri, vullnet dhe fleksibilitet, vetёm atëherë gjithçka është e mundur. Mbi tё gjitha, lipset një mendje e hapur, elastike, sepse asgjё nuk mund të ndodhë si me shkop magjik, e nuk mund të vijё vetvetiu.

Nevojitet të ndryshohet mënyra e të menduarit, sepse kur ndryshon të menduarit pastaj ndryshon edhe sjella, qëndrimet, gjykimet. Duhet që të mos pretendohet që ndryshimi të ndodhë brenda njё nate, se kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur asnjëherë. Ndryshimi, është një udhëtim që kërkon, të kemi të qartë distinacionin, ku dëshirojmё të mbёrrijmё dhe cili është qëllimi. Por, ajo që është më kryesorja për ndryshimin, është që të besohet se është i mundur. Nëse nuk është besimi se mund të ndryshojmё, mund të bëhen shumë përpjekje, por pavarёsisht tyre ai nuk ndodh, sepse mungon besimi, e kur mungon besimi shfaqet edhe paqendrueshmëria, e cila nuk ndihmon aspak.

Mos të harrohet se nga ndryshimi mund të mësohet shumë për veten, ndaj bëni atë që ndjeni për të ndryshuar e kushtojini rëndësinё e duhur çdo ditë këtij procesi. Renzo Piano thotë: Ndryshimet janë një vlerë e jo një problem.

Mos kini frikё nga ndryshimi! Mos ngurroni qё tё ndryshoni!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »