E Diela II e Ardhjes: çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit!

Dec 8 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela II e Ardhjes (C)

 

Leximi i parë   Bar 5, 1-9

Profeti Baruk i këndon Jeruzalemit si qytetit që merr misionin të jetë në mes popujve qyteti i paqes. Kjo paqe nuk është rezultat i fuqisë, por i dashurisë së Hyjit.  Hyji po përgatit një botë të mrekullueshme, ku çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Hyjit, në orën e takimit të gëzueshëm mes Shpëtimtarit dhe njerëzimit. Një takim të tillë Hyji ka guximin tua premtojë bijve të tij dhe ne kemi guximin ta shpresojmë.

 

Lexim prej Librit të Barukut profet

Hiqe, Jerusalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd e veshu me shkëlqim të lavdisë të nderit të përhershëm që po të vjen prej Hyjit! Mbështillu me mantel të drejtësisë që vjen prej Hyjit, vëre në krye kësulën e lavdisë së të amshueshmit! Sepse Hyji do t’ia dëftojë nderin tënd gjithkujt, gjithkund nën qiell. Për amshim do ta qesë emrin: “Paqja e drejtësisë”, “Lavdia e shërbimit hyjnor!” Ngritu, Jerusalem, e qëndro në majë, këqyr përreth në lindje, shih si janë bashkuar bijtë e tu prej ku lind dielli u ku perëndon, në urdhrin e Shenjtit, plot gëzim për kujtimin e Hyjit! Prej teje dolën këmbë të dëbuar nga armiku, do t’i bjerë te ti Hyji të mbartur me nder porsi froni i mbretit, sepse Hyji urdhëroi të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur, të mbushen luginat e të barazohen me tokë, që të kthehet Izraeli i sigurt nën lavdinë e Hyjit!  Me urdhër të Hyjit Izraelit hije do t’i bëjnë pyjet dhe të gjitha lëndët e erandshme. Sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit me dritën e lavdisë së vet, me mëshirë e me drejtësi që vijnë pre të lumit. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  126

 

Ref: Punë të mëdha bëri Zoti për ne

——————————————

O Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

—————————————-

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

————————————-

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

————————————-

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

————————————-

 

Leximi i dytë   Fil 1, 4-6.8-11

Shën Pali do t’i drejtojë të krishterët filipianë drejt një besimi të pjekur dhe gëzohet që ata po rriten në dëshminë dhe në përhapjen e Ungjillit. Edhe për ne është e nevojshme që jeta jonë si bijtë e Hyjit të rritet në kuptimin që do Hyji. Është e mjaftueshme të pranosh veprën e shpëtimit që Ai ka kryer në ne nëpërmjet besimit.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, gjithherë e në çdo uratë që them, lutem me gëzim për ju të gjithë për arsye të pjesëmarrjes suaj në përhapjen e ungjillit qysh prej ditës së parë e deri tani. Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në ditën e Krishtit Jezus. Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit! Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për ditën e Krishtit, plot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin – për lavdi e nder të Hyjit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 3, 1-6

Gjoni, profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, shpall se shpëtimi i Hyjit po vjen për të gjithë njerëzit e jo vetëm për popullin hebraik. Paraardhësi, për të shpallur ardhjen e Mesisë dhe për të përgatitur dishepujt e parë, i referohet profetit Isaia që shpall kohën e Mesisë si kohë çlirimi. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, kur Herodi ishte tetrark i Galilesë, Filipi, vëllai i tij, tetrark i krahinës së Ituresë e i Trakonitidës, Lizania tetrark i Abilenës; kur Ana e Kajfa ishin kryepriftërinj, fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, birit të Zakarisë, në shkreti. Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve në përkim me sa shkruan në librin e predikimeve të Isaisë profet: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembra le të bëhen të drejta e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshëta. E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Qendra e historisë nuk është fuqia politike botërore as fuqia politike fetare, por Fjala e Hyjit që zbret në zemër të një zëri që bërtet në shkretëtirë, për t’i thirrur të gjithë njerëzit të shpëtohen.

“Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar”. Përkujtohet perandori, guvernatori i tij, përgjegjësit politikë, udhëheqjet shpirtërore të popullit, për të prezantuar hyrjen e Krishtit, që po ndryshon historinë universale. Fjala e Hyjit vjen mbi Gjonin, në shkretëtirë. Shkretëtira për popullin e Izraelit ishte vendi i miqësisë së ngushtë me Hyjin, ku pastrohet e pjekët zemra e besimtarit. Është vendi ku njeriu përgatitet për betejën, duke rrezikuar vetminë e duke zbuluar që Hyji është gjithçka. Këtu Gjoni shpall ardhjen e Jezusit, shpëtimin e Hyjit për njerëzit.

“Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit”. Gjoni i fton ta pranojnë shpëtimin që po vjen, nëpërmjet personit të Jezusit, duke predikuar ndryshimin e zemrës e të mendjes e duke dhënë pagëzimin për faljen e mëkateve, në lumin larg nga liturgjia zyrtare e Tempullit. Një pagëzim i tillë duket se është edhe hapi i parë për t’u bërë të krishterë.

“Zëri i atij që bërtet në shkreti”. Në interpretimin e krishterë kjo profeci i atribuohet ardhjes së Krishtit, e zëri që bërtet në shkreti është ai i Gjon Pagëzuesit.

“E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit”. Çdo njeri i çdo vendi e i çdo kohe, si krijesë e brishtë, është thirrur të përjetojë shpëtimin.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, Hyji dëshiron shpëtimin e çdo njeriu. Të lutemi që të mund të përgatitemi të pranojmë Zotin që po vjen dhe të angazhohemi si bashkësi e krishterë për ta jetuar më thellësisht mesazhin e Ungjillit të tij. Të lutemi së bashku duke thënë:

Pranoje, o Zot, lutjen tonë.

L. Për të gjithë Kishën dhe në veçanti për bashkësinë tonë famullitare: që me veprime konkrete mirësie dhe besimi të përgatitet të pranojë Zotin që po vjen. Të lutemi.

L. Për politikanët dhe përgjegjësit e kombeve, që të angazhohen për të garantuar respektin dhe dinjitetin e çdo personi. Të lutemi.

L. Që angazhimi ynë i përditshëm për të bërë të mirën dhe për të dëshmuar Ungjillin në mjedisin tonë të jetës dhe të punës, të mos pakësohet. Të lutemi.

L. Që pjesëmarrja në Eukaristi të na japë një forcë gjithnjë e më të madhe për të shpallur dhe për të dëshmuar lajmin e mirë. Të lutemi.

M. Pranoji, o Zot, lutjet tona: Ti që në Jezusin u ke zbuluar njerëzve dashurinë tënd të madhe, na ndihmo të jemi edhe ne më të aftë të duam dhe të falim, ashtu si ti na ke mësuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »