Britmë në shkretëtirë

Dec 9 • Këndvështrime

Nga Don Anton Uka

 

Koha e Ardhjes, siç theksohet nga tekstet e shumta biblike dhe liturgjike, është periudhë e volitshme për një kthim dhe shndërrim të vërtetë të jetës në të gjitha dimensionet e saja. Në këtë ecje kthimi dhe shndërrimi, Kisha si Nënë dhe Mësuese, bëhet jehonë e gjallë e Fjalës së Zotit, duke e shpallur atë me shenja (sakramente) dhe me dëshmi konkrete (vepra mëshire dhe dashurie).

Njeriu i sotëm, ashtu sikurse ai i kohërave të kaluara, për shumë arsye personale, familjare dhe shoqërore, është i veshur me petkun e trishtimit dhe të mjerimit, andaj, në brendësinë e tij shpirtërore dhe mendore vuan, qanë, rëndon, ankon dhe vajton për fatin dhe mjerimin e vet dhe të botës në të cilën jeton. Kjo gjendje pakënaqësie, përveçse ta trishtojë njeriun, në një farë mënyre e trishton edhe Hyjin, pasi që Ai ndjenë dhembshuri për bijtë e vet, jo dhembshuri në distancë apo jo përfshirëse, por, atë lloj dhembshurie që brenda vetës e ka vullnetin dhe guximin të ballafaqohet me situatat, vuajtjet, ankimet dhe rënkimet e atyre njerëzve që kanë nevojë për ndihmë dhe ngushëllim (krh Lk 10, 25-37).

Kjo është njëra ndër arsyet kryesore për të cilën leximi i parë i javës së dytë të Ardhjes, përmes gojës së profetit Baruk, e fton Jerusalemin, simbolin e Kishës dhe të mbarë njerëzimit, që ta heq petkun e trishtimit dhe të mjerimit, duke e zëvendësuar atë me petkun e shkëlqimit, të lavdit dhe të nderit të përhershëm që është dëftuar në personin e Krishtit Zot.

Fjala e Zotit, ashtu sikur edhe krejt jeta e Jezusit, është një ftesë e lirë që ju drejtohet njeriut të të gjitha kohërave që të dal nga vetvetja dhe nga çdo gjë që e rëndon dhe e robëron, për të shkuar në takim drejtë Atij që jep jetë dhe e çliron atë. Fakti se Hyji e thërret njeriun në vlera dhe në gjëra të larta, nënkupton se Hyji beson në njeriun dhe në fuqitë e tija që realisht posedon, për ta shndërruar dhe përmirësuar jetën brenda dhe jashtë tij. Jo rastësisht, krejt porosia biblike tregon se madhështia e njeriut qëndron në fuqinë e besimit të tij.

Mërgimi biblik, për të cilin na flasin Shkrimet e shenjta të kësaj të diele, përveç kuptimit historik dhe politik që realisht kishte asohere, ka edhe një kuptim shpirtëror dhe pedagogjik që mbetet i përhershëm.

Mëkati personal dhe ai kolektiv, adhurimi i zotave të rrejshëm, dhënia pas qejfeve dhe veseve, harresa e premtimeve të dhëna, mbështetja në udhëheqësit e kësaj bote etj., në këndvështrimin biblik, konsiderohen largim dhe mërgim nga Zoti dhe nga e vërteta, prandaj edhe shkaktojnë lodhje, vuajtje dhe trishtim; ndërsa, pendimi, kthimi, adhurimi ndaj Hyjit të vërtetë, dhënia pas gjërave të Zotit, rikujtimi dhe mbajtja e besëlidhjes, mbështetja në Mbretin e gjithësisë konsiderohen kthim në tokën e premtuar, gjëra këto që shkaktojnë gëzim dhe falënderim në zemrën e njeriut dhe të popullit. Këtë situatë mërgimi dhe kthimi shpirtëror, psalmisti e shpreh me këto vargje: “Në të shkuar ecnin e qanin duka mbartur farën për ta mbjellë, kurse në kthim do të vijnë plot gëzim duke mbartur dorëzat e veta” (Ps 125). Pra ikja nga e vërteta dhe Zoti, për çfarëdo arsye që mund të ndodh ajo, shkakton gjithmonë thatësirë shpirtërore dhe robëri e cila shprehet përmes simptomave të vuajtjes së vazhdueshme, të ankimit, të pakënaqësisë dhe të vajit dëshpërues, ndërsa, kthimi, edhe pse i vështirë, shkakton në njeriun fryte shpirtërore dhe çlirim i cili manifestohet përmes emocioneve të gëzimit, falënderimit, këndimit dhe lumturisë së brendshme.

Përmes leximit të dytë, Shën Pali dëshiron ta vetëdijesojë njeriun dhe njëkohësisht ta ngushëllojë atë: “Jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në Ditën e Krishtit Jezus” (Fil 1, ). Pra vetëdija, të cilën njeriu është i thirrur ta përvetësojmë gjithnjë e më tepër përmes lutjes dhe meditimit, qëndron në faktin se Hyji me krijimin e botës dhe të njeriut e ka filluar një vepër të mirë dhe të shenjtë e cila nuk do të shkojë huq edhe përkundër mëkatit dhe ikjeve të ndryshme të tija, përkundrazi, me dërgimin e një të vetmit Birit të vetë Jezu Krishtit, me vdekjen dhe me ringjalljen e Tij, e sidomos me ardhjen e Tij të dytë, në lavdi dhe madhëri, në fundin e kohërave, do ta kryejë në plotësi veprën e shëlbimit që e kishte filluar me krijim. Pra, nga fjalët e Shën Palit kuptojmë se shëlbimi nuk është meritë njerëzore, por dhuratë hyjnore për të cilën njeriu ka një përgjegjësi të madhe fetare, morale dhe shpirtërore. Ky është një ngushëllim i madh për njeriun dhe për botën dhe njëkohësisht një ftesë serioze për pendim dhe kthim.

Pjesa e Ungjillit na paraqet figurën e Gjon Pagëzuesit si të zgjedhur prej Hyjit për ta përgatitur ardhjen e Krishtit, duke e predikuar pagëzimin e kthimit dhe faljen e mëkateve.

Para se të kalojmë te porosia dhe kuptimi i predikimit të Shën Gjonit, e konsideroj të arsyeshme të paraqes shkurtimisht jetën e këtij njeriu dhe profeti të madh.

Nga të dhënat biblike kuptojmë se Gjon Pagëzuesi ka lindur në një familje priftërore, nga prindërit Zakaria dhe Elizabeta (krh. Lk 1, 5). Konsiderohet profeti i fundit i Besëlidhjes së vjetër dhe Apostulli i parë i Jezu Krishtit. Kishte një formim të mirë religjioz dhe një edukim të jashtëzakonshëm në jetën shpirtërore. I nxitur nga feja dhe dashuria për Hyjin bënte një jetë të thjeshtë, shumë të varfër dhe me pendesa të mëdha, saqë një pjesë e madhe e popullit mendonte se ishte Mesia. Njihet si predikues i shquar dhe paralajmërues i ardhjes së Jezu Krishtit. Është pagëzuesi i Jezu Krishtit. Shquhej për qëndrimet e tija të guximshme ndaj mbretit Herodit Antip, i cili bashkëjetonte me Herodiaden, gruan e të vëllait të vetë, e cila, e nxitur nga inati dhe xhelozia pse Gjoni e kundërshtonte qëndrimin e saj në mëkat, kërkojë vdekjen e tij.

Nga Ungjilli sipas Shën Lukës kuptojmë se Shën Gjonin e kishte paralajmëruar edhe Isai profet duke e paraqitur atë si zë që bërtet në shkreti: “Përgatitni udhën Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembra le të bëhen të drejta e ato gropa – gropa le të bëhen të rrafshëta. E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit” (Lk 3, 4-6).

Thirrja e Shën Gjonit që t’i përgatitet udha Zotit që po vjen ka një kuptim të thellë teologjik, shpirtëror dhe moral. Teologjia e ardhjes së Zotit kuptohet dhe shpjegohet më së miri në jetën dhe në veprën e Jezu Krishtit, i cili ka ardhur në botë dhe ia ka zbuluar njeriut fytyrën e vërtetë të Hyjit dashuri dhe mëshirë. Por, që të kuptohet ky mister teologjik i ardhjes së Hyjit në personin e Jezu Krishtit, kërkohet dimensioni shpirtëror i njeriut, që nga shembulli dhe propozimi i Shën Gjon Pagëzuesit, është i ftuar që të përgatitet dhe të zgjohet nga gjumi i mosbesimit, i dyshimit, i mbylljes në vetvete, i frikës, sepse: “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë (Gjn 1, 9).

T’ia përgatitësh udhë Zotit nënkupton edhe dimensionin moral, që domethënë t’i lejosh vetit që më besim, gëzim dhe veprime konkrete ta ndjekësh të njëjtën rrugë që e ndoqi Krishti Jezus, që në thelb domethënë të mos bësh kompromis me një botë dhe me një botëkuptim që është në kundërshtim me vlerat dhe parimet ungjillore të cilat në qendër të vëmendjes kanë Mbretërinë e Hyjit, shenjtërinë e njeriut dhe mbrojtjen e dinjitetit të tij. Të vepruarit kështu nënkupton rrafshimin e shtigjeve, luginave, maleve, kodrave, udhëve të shtrembra, simbole këto të të gjitha atyre gjërave, tundimeve, mëkateve dhe njerëzve që e pengojnë ecjen tonë, të lirë dhe të gëzueshme, drejt Hyjit shpëtues dhe shëlbues./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »