Cilat janë aftësitë e mia të kufizuara shpirtërore në ndjekjen e Jezusit?

Dec 10 • Meditimi i ditës

10 dhjetor 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 35,1-10; Ps 85,9ab.10-14; Lk 5,17-26)

 

Prania e Hyjit
Çfarë mund t’i jap unë Zotit, kur e di se jam i varfër?

Jepi atij zemrën.

A mund t’ia japësh zemrën tënde Zotit përsëri në këtë kohë të Ardhjes?

 

Liria
O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi
Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë gjë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Që ta sodis bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala
O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe ke punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt me vëmendje, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

Lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.


Is 35,1-10

1 Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme,

le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili!

2 Le të bulëzojë e le të lulëzojë,

le të gazmojë, në hare të shpërthejë!

Iu dhurua lavdia e Libanit,

e Karmelit stolia dhe e Saronit!

Do ta shohin lavdinë e Zotit,

shkëlqimin e Hyjit tonë!

3 Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura,

fuqi jepuni gjunjëve të marrakotur!

4 Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra:

“Mbahuni! Frikë mos kini!

Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja!

Ia behu shpagimi i Hyjit!

Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!”

5 Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve,

veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë;

6 atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri

gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare,

se në shkretëtirë do të burojnë ujërat,

përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkretëtirë.

7 Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet,

vendi i thatë mbushur me burime!

Në strofull ku strukej çakalli,

do të rritet kallam e xunkth.

Do të ketë shteg e do të ketë udhë,

do të quhet Udha e shenjtë:

i papastërti n’për të s’do të kalojë,

për ta do të jetë udhë e drejtë,

që të marrët të mos enden nëpër të.

9 Luanë në të nuk do të ketë,

bishë grabitqare n’për të s’do të kalojë

as në të kurrë më s’do të gjendet,

andej do të bien vetëm të çliruarit,

10 do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit.

Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi,

do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm,

do t’i shoqërojë gëzimi e hareja,

do të zhduket trishtimi e dënesa.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Si ndihem kur e dëgjoj Zotin se m`i thotë këto fjalë, kur e dëgjoj këtë premtim nga Hyji?
  • Meditimet e javës së kaluar kishin për qëllim të më ndihmonin t`i vëreja nevojat dhe dëshirat e mia personale dhe ato të botës. Këto fjalë të Hyjit – ky premtim i Hyjit – a lidhen me ndonjë nga këto nevoja dhe dëshira?
  • Duke e dëgjuar sërish leximin, vë re se cilat fjalë ose fraza ma tërhoqën vëmendjen më së shumti apo më prekën thellë.

 

Bashkëbisedimi

Çfarë dua t’i them Zotit tani, si përgjigje këtij premtimi?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Në ungjill flitet për mrekullinë që bën ti, o Jezus, duke shëruar njeriun në shpirt dhe trup. A mos jam edhe unë i/e paralizuar shpirtërisht? Çka më bën invalid, cilat janë aftësitë e mia të kufizuara shpirtërore në ndjekjen tënde, Jezus?

Pa ndihmën vendimtare të katër miqve i paralizuari nuk do të mund të vinte kurrë te ti, o Jezus, për t’u shëruar. Më jep një shpirt krijues, o Zot, që të mund ta ndihmojndonjë mik/mikeshë që të shërohet në ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »