Vizita baritore e të rinjve në Dekanatin e Prizrenit

Dec 10 • Bota e të rinjve, Kisha në Kosovë

Në tetor të këtij viti, Papa Françesku mblodhi ipeshkvijtë nga mbarë bota për të zhvilluar Sinodin, i cili u mbajt në Romë, për të diskutuar mbi të rinjtë. Sinodi kishte si temë: “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”.

Ipeshkvijtë u mblodhën që të diskutonin mbi të rinjtë, të tashmen, të ardhmen e tyre, duke përfshirë brengat, shqetësimet, entuziazmin e tyre dhe çfarë mund të bëjë kisha më shumë për ta. Në këtë Sinod mori pjesë edhe Ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, si Ipeshkëv i Kishës katolike të Dioqezës Prizren-Prishtinë, por edhe si përfaqësues i Konferencës Ipeshkvore Shën Çirili e Metodi.

Pas kthimit të tij nga Sinodi, Ipeshkvi ynë i bëri thirrje mbarë kishës në Kosovë që të përgatitej mbi vizitën baritore të të rinjve, të cilën do ta zhvillojë nga nëntori i këtij viti deri në mars të vitit 2019, në fund të së cilës do të mbahet takimi dioqezan i të rinjve në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Vizita baritore ka filluar me 30 nëntor në Dekanatin e Prizrenit, vizitë në të cilën Ipeshkvi ynë takoj të rinjtë e famullive të Velezhës, Zymit dhe Prizrenit. Shumë të rinj, së bashku me famullitarët, e pritën Ipeshkvin duke treguar gëzimin që po e takonin Bariun e tyre. Shfaqën brengat dhe shqetësimet e tyre sidomos mbi të ardhmen, mbi shoqërinë në të cilën jetojnë dhe veprojnë, sfidat e përditshme, problemet e tyre, por nuk munguan as momente në të cilat u tregua vullneti dhe zelli për punë.

Ipeshkvi i përcolli të rinjtë me këshillat e tija, duke u treguar mbi zhvillimin e Sinodit, atë që Kisha dëshiron të arrijë e të bëjë me të rinjtë dhe i nxiti që të shfaqnin kërkesat e tyre sepse Kisha po vihet në dëgjim të të rinjve.

Tre gjëra të cilat Ipeshkvi ynë ua tha të rinjve në lidhje me Sinodin e zhvilluar në Romë ishin si pikënisje e asaj që Kisha dëshiron të arrijë:

  1. Dëgjimi – Kisha vihet në dëgjim të të rinjve. Për shumë kohë të rinjtë kanë qenë dëgjues para fjalëve dhe mësimeve të kishës. Tani kërkohet një ndryshim. Kërkohet prej të rinjve: Çka dëshironi ti thoni Kishës? Çka kërkoni prej saj?
  2. Shoshitja – Kisha nuk dëshiron t’i lë të vetmuar të rinjtë, dëshiron të jetë krahu që i përcjell dhe të ec me ta në zgjedhjet e mëdha të jetës. Duke pasur parasysh se janë në një moshë delikate dhe para hapave të mëdha të jetës, Kisha dëshiron të jetë me ta, t’i udhëzojë, t’i udhëheqë, t’i përcjellë dhe t’u ndihmojë.
  3. Shoqërimi –  Rinia në përgjithësi përballet me sfida të ndryshme. Ata, vazhdimisht shprehin pakënaqësitë, brengat dhe shqetësimet e tyre. Kisha është e thirrur të jetë Nënë e në këtë mënyrë t’i shoqërojë të rinjtë në përballjet e tyre.

Në përfundim të takimeve Ipeshkvi ynë kërkoj nga rinia që, në bashkëpunim me meshtarët dhe motrat që janë në famulli, të krijohet këshilli i të rinjve, nga 5 anëtarë, në mënyrë që të jenë si ndihmës dhe përgjegjës në organizimin e takimeve dhe aktiviteteve nëpër famulli. Pastaj secili këshill do të zgjedhë një përgjegjës të grupit rinor të famullisë, i cili do të bashkëpunojë drejtë për së drejti me këshillin rinor të meshtarëve, duke krijuar kështu një rrjet më të gjerë dhe më të frytshëm në zgjedhjen e aktiviteteve dhe takimeve rinore që do të mbahen për mbarë dioqezën.

Vlen të theksohet dhe të përmenden disa mendime të shkurtra rreth këshillave që dha Ipeshkvi ynë në këto takime me të rinjtë në Dekanatin e Prizrenit:

  1. Njeriu e kërkon gjithmonë më të mirën për jetën e vet. Ju nëse nuk ia shprehni Kishës këtë të mirë që kërkoni atëherë nuk do ta dimë kurrë se çka mban secili në zemrën e vet”.
  2. Gjatë takimeve mundohuni të shprehni atë që keni për zemër e që ju brengos më së shumti. Krijoni debate të forta mbi jetën, mbi martesën, punën, shoqërinë, ambiciet…”
  3. Ndoshta shumë prej jush kanë ende paragjykime ndaj njëri – tjetrit, nuk e ndani një mendim të përbashkët, por mos kini frikë nga kjo, sepse secili dhe të gjithë së bashku mund ta drejtojmë shikimin tonë kah një person i vetëm, Jezu Krishti”.

Me datën 9 dhjetor u mbajt edhe mesha e përbashkët, në famullinë e Velezhës, të cilën e udhëhoqi Ipeshkvi ynë. Kisha në Velezhë, e dedikuar Shën Nikollës, ishte e mbushur me të rinjtë nga i gjithë Dekanati i Prizrenit. Qe një mundësi e mirë që të rinjtë të takoheshin me njëri-tjetrin, të luteshin së bashku dhe të qëndronin me meshtarë, motra dhe me Bariun e tyre, i cili edhe gjatë homilisë nuk pushoj së nxituri të rinjtë që të punojnë për këtë vend, të shprehin entuziazmin dhe gëzimin e tyre se janë të krishterë, dhe siç thoshte Papa Gjon Pali II, e që është edhe motoja e vizitës baritore në Dioqezën tonë: “Bëjeni jetën tuaj një Kryevepër”.

Përgatiti për Dritën: Don Alfred Sokoli, përgjegjës i dioqezës për baritoren e të rinjve

Shpërndaje

Comments are closed.

« »