Çka kuptoj se Zoti më premton?

Dec 11 • Meditimi i ditës

11 dhjetor 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 40,1-11; Ps 96,1-3.10ac.11-13; Mt 18,12-14)

 

Prania e Hyjit
Ky është momenti kur Shpirti Shenjtë, Një me Atin dhe Birin, vjen për të hedhur dritë në zemrat e besimtarëve.

Ndalu një moment, dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për Shpirtin e Shenjtë, të pranishëm këtu, që vjen për të dhënë jetë dhe dritë.

Ndalu një moment, dhe mirëprite atë dritë në jetën tënde.

 

Liria
Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Is 40,1-11

 

1 “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin

tim,

thotë Perëndia juaj!

2 Flisni zemrës së Jerusalemit,

dhe klithini atij

se mori fund skllavëria e tij,

u shpërblye paudhësia e tij,

sepse ka marrë prej dorës së Zotit

ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”

3 Një zë lëshon kushtrimin:

“Në shkretëtirë përgatiteni udhën e Zotit,

rrafshoni në stepë

shtigjet e Tenzot.

4 Le të ngritet çdo luginë,

le të ulet çdo mal e kodër,

rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë,

e rrëpira le të bëhet e rrafshtë:

5 do të zbulohet hiri i Zotit,

atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin

se ka folur goja e Zotit!”

6 Një zë kumton: “Shpall!”

Pyeta: “Çfarë të shpall?”

Çdo njeri është bar,

e tërë lavdia e tij porsi lulja e fushës;

7 thahet bari, vyshket lulja

kur fryma e Zotit bie mbi të.

Vërtet populli është si bari!

8 Thahet bari e bie lulja:

kurse fjala e Zotit qëndron për amshim.

9 Ngjitu mbi një mal të lartë,

ti që i sjell sihariqin Sionit;

ngrite me gjithë fuqi zërin tënd,

ti që i sjell sihariqin Jerusalemit!

Klith me të madhe, mos druaj,

thuaju qyteteve të Judës:

“Ja, Hyji juaj,

10 ja, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi,

zotëron krahu i tij:

ja, me të është shpagimi i tij,

e para tij shpërblimi i tij!

11 Si bariu e kullot grigjën e vet,

në dorë i merr qengjat,

n’përqafim i mbart;

i shikon me kujdes pëllejat.”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm nga Shkrimi Shenjt:

 

  • ‘Thahet bari,’ na thotë ky fragment biblik ‘vyshket lulja’. Por diçka që nuk thahet apo vyshket është duke u premtuar këtu – çka është ajo?
  • Këto fjalë duket se ofrojnë ngushëllim dhe pajtim. Mëkati falet. Borxhi shlyhet. Rruga e shtrembër bëhet e drejtë, e rrëpira bëhet e rrafshtë. Në cilat mënyra – ose në cilat fusha të jetës sime – dëshiroj shumë që kjo të ndodhë?
  • Ndërsa e dëgjoj përsëri paragrafin biblik, si i kuptoj këto fjalë, dhe domethënien e këtij leximi? Çfarë kuptoj se Hyji po premton këtu?

 

Bashkëbisedimi

‘Përgatiteni rrugën e Zotit’.

Këto fjalë më janë drejtuar mua.

A mund të flas me Zotin tani për atë që mund të kërkohet nga unë, çfarë roli duhet të luaj në përgatitjen e rrugës për Zotin në këto ditë?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Po të kisha qenë i vetmi person në botë që ka nevojë për shpëtim, ti, o Jezus, do të vdisje për mua. E pyes veten: A më sjell kjo kënaqësi a frikë? Pse?

Jezus, ti na tregon qartë se çdojetë është e çmuar në sytë e tu. Çdo person që e takoj është i pazëvendësueshëm dhe i paçmueshëm. Jezus, ti po epërmbys mendësinë e krijuar konvencionale: “të vegjlit”, njerëzit që bota s`i konsideron të rëndësishëm, janë më të vlefshmit nga të gjithë. Bëj, o Zot, qësjellja ime sot të reflektojë një qëndrim të tillë të Jezusit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »