Disa fjalë për librin: Fuqia e përvujtërisë

Dec 11 • Recension

Nga Don Marjan Sh. Uka

 

Të gjithë ne jemi dëshmitarë se njerëzimi anembanë botës po përjeton një krizë të thellë të identitetit – qoftë kombëtar, kulturor apo fetar. Politika e destabilizuar në hapësirën tonë ballkanike, sikur po i gllabëron idealet, po e ngulfat lirinë dhe po e ngadalëson frymëzimin e artit të bukur, prandaj të krijosh në një ambient të tillë të zymtë dhe të amullt sikur rreth teje të mos ndodhte asgjë, nuk është e lehtë. Shkrimtari i njohur amerikan, Mark Twain, pati thënë: “Sa herë e gjen veten në anën e shumicës, është koha të reflektosh dhe të ndryshosh”.

Një ndër ata që nuk pajtohet me “shpirtin” e kohës, është edhe eruditi Prof. Dr. Don Anton Uka, i cili kësaj radhe na vjen me vëllimin e tij të dytë kushtuar Psalmeve me titullin “Fuqia e përvujtërisë”. Mjafton vetëm t’i hedhësh një sy, për t’u bindur se si ai me një mjeshtëri artistike po i tejkalon sfidat e kohës dhe prej një realiteti të shëmtuar e prej një përditshmërie banale, i futur në botën e kulturës dhe të përsiatjes, po krijon art të bukur për të gjithë ne.

Individualiteti krijues, i pasur në gjuhë, i begatshëm në figura stilistike dhe frymëzime alegorike, përçon te lexuesi një mesazh buçitës inkurajimi dhe shprese që i mbetet besnik aktualitetit të çdo kohe, duke i dhuruar kënaqësinë e një shkalle të lartë artistike, të sendërtuar mbi një teologji dhe psikologji të kristalizuar, e cila përmes ndjeshmërisë dhe intelektit, shpreh imazhin e jetës, të kohës dhe atë të së vërtetës.

Autori i pasionuar, duke u përcaktuar për këtë studim-reflektim, po rrah shtigjet e panjohura dhe të palëvruara të kësaj fushe në gjuhën tonë të lashtë shqipe, duke shpallur një pjesë të atij mozaiku të vlerave biblike, pa të cilat s’mund të përfytyrohej jeta shpirtërore e njeriut. Me këtë mëton të përbluajë dhe të gatuajë shpirtin e çdo shqiptari për një pastrim të thellë shpirtëror kudo që ai jeton.

Origjinaliteti i tij ka të bëjë me mendim të qartë dhe të mprehtë, me qëndrim të drejtë dhe të prerë, që shfaqet në tërë veprën e tij, ku spikat ndjenja psiko-shpirtërore me shembuj dhe shpjegime të rrallëhasura në literaturën shqipe. Kjo përbën karakterin kureshtar që në labirintin e saj përmban dëshirën e paepur për të shkelur në udhët e panjohura, duke i shndërruar ëndrrat idilike në realitet.

Autori, duke u frymëzuar në librin e Psalmeve, nga njëra anë dëshmon pasionin për vlerat etike dhe morale, që aq shumë po i mungojnë shoqërisë tonë të brishtë, ndërsa nga ana tjetër, përmes përsiatjes së thellë, sikur mishërohet me psalmistin dhe nën shoqërimin e vazhdueshëm të etërve të Kishës tregon rrugën përmes së cilës arrihet edukimi dhe ndërgjegjësimi fetar dhe kombëtar. 

Sipas autorit André Chouraqui “Psalmtari është një memorial i historisë së Izraelit, libër i lirimeve universale… Shën Toma nga Akuini i cilësonte Psalmet si sublimin e gjithë Shkrimit të shenjtë… Në luftën kundër bishës (të keqes) Psalmtari ndërtonte vendruajtjen (depozitimin) e armëve të vërteta të luftimit; çdo varg, çdo fjalë ishte një shpatë dhe çdo shpatë kishte fuqinë e vdekjes mbi demonët….” (Shiko librin “Psalmet” me shqipërim dhe parathënie të studiuesit tonë të mirënjohur, Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, Shkodër 2017, fq. 10-11.)

Shën Ambrozi shprehet kështu: “Tërë Shkrimi hyjnor kundërmon mirësinë e Hyjit, por sidomos libri i ëmbël i psalmeve. Historia mëson, ligji ushtron, profecia paralajmëron, korrigjimi ndëshkon, sjellja e mirë bind, por libri i psalmeve është porsi një sintezë e të gjithë kësaj dhe si një ilaç i shëlbimit njerëzor. Kushdo që i lexon, gjen me çka t’i shërojë plagët e epsheve të tij me një bar të veçantë…

Psalmi është me të vërtetë bekim për besimtarët, lavd i Hyjit, himn i popullit, pëlqim i të gjithëve, fjalë e përgjithshme, zë i Kishës, dëshmi dhe këngë feje, shprehje devotshmërie të vërtetë, gëzim lirie, klithje ngazëllimi, tingull hareje. E zbut hidhërimin, liron nga shqetësimet, nxjerr nga pikëllimi. Është mbrojtje gjatë natës, mësim gjatë ditës, mburojë gjatë frikës, festë në shenjtëri, shëmbëllesë e qetësisë, peng i paqes dhe i harmonisë që, ashtu sikurse cetra prej zërave të shumëfishtë dhe të ndryshëm nxjerr një melodi të vetme. Psalmi i këndon agimit të ditës, psalmi i rikumbon perëndimit.

Në psalm, shija bën garë me mësimin. Njëherësh këndohet prej kënaqësie dhe kuptohet me anë të mësimit. Çfarë nuk gjen kur lexon psalmet? Në to lexoj: ‘Këngë dashurie’ (Ps 45, 1) dhe e ndiej se digjem prej dëshirës së një dashurie të shenjtë. Në to i shqyrtoj hiret e zbulesës, dëshmitë e ringjalljes, dhuratat e premtimit. Në to mësoj se si t’i ik mëkatit dhe të mos turpërohem për shkak të pendesës për mëkate. Çka tjetër është psalmi, veçse vegla muzikore e virtyteve, të cilën duke e luajtur me pendën e Shpirtit Shenjt, profeti i përnderuar bën që të jehojë në tokë ëmbëlsia e tingujve qiellorë?”

Në Kushtetutën apostolike “Divine afflantu”, të papës Shën Pio X, lexojmë thënien e Shën Agustinit: “Sa kam qarë duke dëgjuar himnet dhe këngët në nder tëndin, i prekur thellësisht nga zërat e Kishës sate që këndonte me plot ëmbëlsi! Këta zëra dridheshin në veshët e mi dhe e vërteta ulej ngadalë në zemrën time e çdo gjë shndërrohej në ndjenjë dashurie dhe më jepte aq shumë gëzim, saqë unë shkrihesha në lot.”

Don Antoni, i vetëdijshëm për kohën në të cilën jeton, vazhdon ta inkurajojë lexuesin, duke u shprehur: “Në mënyrë të veçantë zemra e nxënësit të Krishtit ka nevojë të shërohet nga kujtimet dhe dëshirat e këqija. Janë të shumta situatat negative që njeriu mbart në zemrën e vet… Dhurata e parë që duhet t’i kërkojmë Hyjit është shërimi nga kujtimet negative. Zoti nuk i shlyen nga kujtesa ngjarjet e dhimbshme, por e largon hidhërimin; nuk e eliminon fatkeqësinë e ndodhur më parë, por e kthen në hir…

Vetëdija se Zoti është i pranishëm në barkën e jetës tonë, se Atij mund t’i drejtohemi për të gjitha përmbytjet tona, me besimin se Ai e ka fuqinë ta qetësojë dhe ta shuajë të keqen që na kërcënon është një ngushëllim dhe një përkrahje e madhe shpirtërore dhe psikologjike që e ndihmon ecjen tonë drejt kalimit në pjesën tjetër të detit të trazuar.”

Dhe duke iu referuar kësaj skene biblike, Autori e përforcon mendimin e vet me fjalët e Shën Atanazit: “Hyji është i ulur në oqeanin e jetës tonë, është i ulur në mesin e turmës së madhe të të gjithë atyre popujve që besojnë në Krishtin për t’u dhënë fuqi dhe paqe”. 

Autorit nuk i ikën as konstatimi i Shën Agustinit për Barinjtë që japin shembull të keq. Ai sikur dëshiron t’i bëjë të vetat fjalët e tij qortuese, duke iu përkujtuar Barinjve detyrat që i kanë para Zotit: “Udhëheqës i keq është ai që ka harruar që, para se të jetë prijës, është i krishterë. Udhëheqës i keq është ai që ka harruar që në dinjitet është i barabartë me ata që udhëheq. Udhëheqës i keq është ai që ka harruar që detyra për të udhëhequr nuk është pushtet, por thirrje për të shërbyer… Udhëheqës i keq është ai që manipulon me vlera dhe e mashtron popullin për interesa personale dhe ato të klaneve të tij. Udhëheqës i keq është ai që tregton me jetën dhe fatin e popullit… Udhëheqës i keq është ai që nuk i afrohet njeriut për ta dëgjuar dhe ngushëlluar… Udhëheqës i keq është ai që këmbëngul mbi qëndrimet e tij të gabueshme… Udhëheqës i keq është ai që nuk jep llogari për përgjegjësitë dhe detyrat e besuara. Udhëheqës i keq është ai, i cili i lejon vetes të nxitet nga ndjenja e krenarisë dhe e madhështisë. Udhëheqës i keq është ai që mendon se nuk ka nevojë për ndihmën, këshillën dhe përkrahjen e të tjerëve… Udhëheqës i keq është ai që ka harruar se ekziston një udhëheqës tjetër që e ka në dorë fatin e njeriut dhe të botës.”

Libri në fjalë mund të konsiderohet si një kontribut i vyer i kulturës tonë shqiptare në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili, sikur edhe psalmisti, nuk kishte paqe në zemër, derisa nuk iu kthye tërësisht Zotit. Dashtë Zoti që mesazhi i këtij libri t’i prekë dhe t’i nxisë shpirtrat dhe mendjen e çdo shqiptari për një kthim rrënjësor.

Duke falënderuar Zotin që si redaktor pata mundësi të bashkëpunoja në mënyrë të drejtpërdrejtë me manifestimin e ndjesisë së Autorit për Psalmet, konstatoj se ky libër është një thesar i çmuar për kulturën shqiptare dhe uroj që njësoj si libri i mëparshëm, të mirëpritet e të lexohet me ëndje nga lexuesi shqiptar./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »