Ku kam nevojë që Hyji të më marrë për dore dhe të më ndihmojë?

Dec 13 • Meditimi i ditës

13 dhjetor 2018, E enjte, Shën Lucia, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 41,13-20; Ps 145,1.9-13b; Mt 11,11-15)

 

Prania e Hyjit
Ndërsa jam duke qëndruar këtu, të rrahurat e zemrës, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Do të ndalem një moment, dhe bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit në mua.

 

Liria
E lus Zotin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që përshkon përmes tyre.
Disa prej këtyre raporteve janë shtrembëruar, disa rrënuar, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye e ndiej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Is 41,13-20

 

13 Sepse jam unë Zoti, Hyji yt,

që të marr për dore

e të them: “Mos druaj,

unë do të të ndihmoj!

14 Mos u tremb, Jakob he krimb,

o burra të Izraelit!

Unë do të të ndihmoj” ‑ thotë Zoti,

Shpëtimtari yt, Shenjti i Izraelit.

15 Ja, po të bëj trinë të re trinojëse,

që ka grremça të dhëmbëzuar;

malet do t’i trinosh, do t’i gërryesh,

pluhur kodrat do t’i bësh.

16 Do t’i terplotosh, era do t’i tretë,

vorbulla do t’i shpërndajë

e ti do të gëzohesh në Zotin,

do të galdosh në Shenjtin e Izraelit.

17 Skamnorët e të varfërit ujë kërkojnë,

por ujë s’ka,

gjuha e tyre nga etja u tha,

Unë, Zoti, do t’i vështroj,

unë, Hyji i Izraelit, s’do t’i braktis.

18 Lumenj do të shpërthej në kodra të shogëta,

në lugina do të pëlcasë ujët e gjallë;

Shkretëtirën kënetë do ta bëj,

tokën e thatë burime ujërash!

19 Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin,

akacjen, mirtën e ullirin;

në shkretëtirë bredhin do ta mbjell,

bashkë me vidh e qiparis,

20 që të shohin e ta kuptojnë,

ta mendojnë e vesh ta marrin njëherësh,

se dora e Zotit këtë e bëri,

e krijoi Shenjti i Izraelit.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Imazhe të fuqishme këtu të pjellorisë dhe bollëkut, uji në shkretëtirë, frytshmëria dhe jeta. A i përgjigjet kjo ndonjë nevoje në mua apo në botën time? Ku në jetën time dhe në botën rreth meje unë shoh nevojën që toka e thatë të shndërrohet në burime uji?

Sepse jam unë Zoti, Hyji yt, që të marr për dore e të them: “Mos druaj, unë do të të ndihmoj!” Si ndihet njeriu kur i dëgjon këto fjalë nga Hyjit? Ku kam nevojë që Hyji të më marrë për dore dhe të më ndihmojë?

Ndërsa e dëgjoj sërish leximin, mund të mendoj se si lidhet kjo me dëshirat e mia, nevojat e mia, dëshirat e mia dhe ato të botës rreth meje.

 

Bashkëbisedimi

Çfarë roli mund të më duhet të luaj në realizimin e këtij vizioni të bukur?

Si mund të jem i/e thirrur për të ndihmuar në përmbushjen e saj?

Mund të flas lirshëm me Zotin tani për mënyrën se si reagoj dhe si dua t’i përgjigjem këtij premtimi.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Zot, ti nuk na imponohesh me forcë.Vetë duhet ta shti në dorë mbretërinë. Por, a kam etjepër ty, Hyjin e gjallë? A e dua atë mbretëri? O Zot, lutja ime, qoftë e mbushur me këtë dëshirëdhepërpjekje që të më udhëheq Shpirti Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »