E Diela III e Ardhjes: “Çfarë duhet të bëjmë?”

Dec 15 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III e Ardhjes C

 

Leximi i parë   Sof 3, 14-18

Profeti Sofonia i këndon gëzimit të takimit të ri mes dhëndrit, Hyjit, dhe nuses, Izraelit.  Hyji përtërin besëlidhjen me popullin e tij.  Pas shumë luftrash dhe lotësh që populli ka duruar, profeti sheh një të ardhme gëzimi dhe shpëtimi.  Ai shpall se gëzimi dhe dashuria e Hyjit do të fitojnë mbi fatkeqësitë. 

 

Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër, ti, bija e Jerusalemit! E tërhoq Zoti dënimin tënd, i shpërndau larg armiqtë e tu. Mbret i Izraelit është Zoti midis teje, s’ke pse më ta druash të keqen! Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: “Frikë aspak mos ki, Sion, assesi të mos mpaken duart! Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima, Shpëtimtar! Do të galdojë për ty hareshëm, i përmalluar nga dashuria, do të kërcejë për ty me gëzim porsi në ditë feste.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi / Kënga  Is 12, 2-6

 

Ref: Aleluja, në mesin tonë po vjen Hyji i gëzimit e i haresë

——————————————–

Qe, Hyji Shëlbuesi im,

kam besim e nuk kam frikë,

sepse fuqia ime e mburrja ime

është Zoti, Ai është shpëtimi im.

————————————-

Me galdim do të merrni ujë

nga burimet e shëlbimit.

Edhe thoni atë ditë:

“Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,

shpallni ndër popuj veprat e tija,

kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!

—————————————–

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,

le ta marrë vesh bota mbarë!

Brohoritni e këndoni lavde,

ju banorët e Sionit,

sepse i madhërishëm është

në mesin tuaj Shenjti i Izraelit!”

——————————————–

 

Leximi i dytë   Fil 4, 4-7

Të krishterët zotërojnë qartësinë se “Zoti është afër”.  Jeta është plot shqetësime dhe shpresa, por pas ardhjes së Jezu Krishtit, jetohet në paqe dhe gëzim.  Për këtë të krishterët duhet t’i dëshmojnë botës besimin përballë së ardhmes, qartësinë e qetë që jeta merr një kuptim me ardhjen e Krishtit. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 3, 10-18

Gjon Pagëzuesi shpall lajmin e mirë.  Mesia që vjen do të vërë drejtësi jo nëpërmjet shenjash të jashtme (erë, zjarr, tërmet, kërcënime), por nëpërmjet shenjave të përvuajtura dhe personale të një ndryshimi të dukshëm të mentalitetit.  Ai që kthehet është një njeri që jeton për të tjerët.  Njerëzit që ndihen mëkatarë përga-titen për ardhjen e Mesisë që do të japë Shpirtin Shenjt, nëpërmjet pagëzimit të Gjonit, shenjë pendimi dhe kthimi.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, turmat e pyetnin Gjonin: “Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?” “Kush ka dy palë petka – u përgjigjej – le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!” Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: “Mësues, po neve çka duhet të bëjmë?” Ai u përgjigji: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.” E pyetën edhe disa ushtarë: “Po ne, çka duhet të bëjmë?” Edhe atyre u përgjigji: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”. E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhësat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm”. E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Duhet të kuptojmë atë që është e ne-vojshme për jetën tonë. Nuk mjafton të kryesh veprime të bukura për t’u dukur dhe lavdëruar. Por duhet të ndryshojmë zemrën tonë dhe veprat tona, e të bëhemi më të aftë në dashuri e besim çdo ditë.

“Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?”. Turmat pyesin si duhet të sillemi. Gjon Pagëzuesi ka një program jete për të gjithë, një rrugë kthimi për turmën, për tagrambledhësit e ushtarët. Duhet të bëjmë fryte të mira drejtësie dhe solidariteti.

“Kush ka dy palë petka le t’i ndajë me atë që s’ka”. Disa që kishin ardhur në lumin Jordan te Gjoni, kishin nevojë për ushqim e për shtrat. Për këtë duhet të bashkëndajmë konkretisht atë që kemi.

“Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë … pyetën edhe disa ushtarë: ‘Po ne, çka duhet të bëjmë?’”. Tagrambledhësve e ushtarëve, persona të urryer në kohën e Jezusit, si bashkëpunëtorë të romakëve, Gjoni u sugjeron të kryejnë punën e tyre, pa treguar mendjemadhësi e pa përfituar nga pozicioni i tyre. Kthimi nuk i përket aq shumë zanatit që dikush ushtron, por qëllimit të zemrës e dëshirës për të takuar Zotin.

“Mesia do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr”. Pagëzimi i Mesisë do të jetë ndryshe nga ai i Gjonit: do të jetë një pagëzim prej Shpirtit Shenjt e zjarrit, do të komunikojë dhuratën e Shpirtit që ndryshon zemrën në brendësi, dhe do të bëhet një gjykim dënimi për ata që nuk sjellin fryte dashurie.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra të dashur, predikimi i Gjon Pagëzuesit është për të gjithë burim ngushëllimi e shprese i sigurtë. T’i lutemi Zotit që të dimë ta presim Shpëtim-tarin me një jetë plot mirësi dhe drejtësi. Të lutemi së bashku e të themi:

Vizitoje, o Zot, Kishën tënde.

 

L. Që Kisha e shenjtë e Hyjit të dijë t’i shpallë botës mesazhin e Ungjillit të Krishtit më shumë me dëshminë e jetës, se me fjalë. Të lutemi.

L. Që të gjithë të shohin në bashkësinë e krishterë një shenjë të ndritshme të pranisë së Zotit dhe një shembull për ta imituar në ndërtimin e paqes dhe solidaritetit mes njerëzve. Të lutemi.

L. Për ata që kanë përgjegjësi politike dhe civile që të angazhohen për të krijuar kushtet për një shoqëri më të drejtë e më njerëzore. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë të krishterë që të mos i mungojë kurrë vëmendja, kujdesi dhe gatishmëria ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Të lutemi.

M. O Hyj, Ati ynë, burim i çdo dhurate, dëgjoji thirrjet tona e bëj që nën shembullin e Marisë, nënës sonë, të përgatitemi të presim me besim ardhjen e Jezusit, Birit tënd, që vjen për të na shpëtuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »