Pse nuk mund ta shoh të mirën te të tjerët?

Dec 15 • Meditimi i ditës

15 dhjetor 2018 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 48,1-4.9-11; Ps 79; Mt 17,10-13)

 

Prania e Hyjit
Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e ndikon mbi mua,

se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempullin e tij…

 

Liria
Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujton se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi
Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë duhet qenë i vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Mt 17, 10-13
10 Atëherë nxënësit e pyetën:

“Pse, pra, skribët thonë se duhet të vijë përpara Elia?”

11 Ai iu përgjigj:

“Po, Elia do të vijë dhe do të vërë çdo gjë në vend të vet. 12 Porse, unë po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të gjithçka deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të pësojë shumë prej tyre.”

13 Atëherë nxënësit e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzuesin.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit janë të çorientuar. Ata besojnë se do të vijë Elia përpara vendosjes së Mbretërisë së Hyjit. Jezusi përpiqet t`i lëvizë të ecin përpara, duke u thënë se punën e Elisë e ka bërë tashmë Gjon Pagëzuesi. Zoti vepron në një mënyrë që është më e ndryshme nga ajo e jona. A ndodhë që edhe unë të marr në thua dhe ta lëshoj pa e vërejtur Hyjin që befason?
  • A mund t`i dalloj njerëzit e mirë nga mashtruesit? Mendja ime a është e hapur për të vërtetën, edhe kur vjen nga burime të papritura? Apo jam i/e kufizuar nga “njëanshmëria” sa që nuk e shoh të mirën te të tjerët?
  • Ndërsa e dëgjoj sërish fragmentin biblik vërej se çka po ndodh në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi
E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e kam lexuar.
Çfarë më ka nxitur më së shumti në meditim?
Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të teksti në sipërfaqen e vetëdijes sime
ngadalë më dalin në kujtesë fjalët e shokut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar kohëve të fundit.
Nëse është ashtu, a e ndriçon tregimi atë çfarë dëshiron të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt. Jezus, iu thua dishepujve të tua se Elia kishte ardhur tashmë në personin e Gjon Pagëzuesit, i cili kishte “frymën dhe fuqinë e Elisë” (Lk 1,17). A jam duke pritur ende Mesinë qëtashmë ka ardhur? A mos e kam lënë veten anash?

Çka më pengon që të jetoj në kuptimin se Shpëtimtari im ka ardhur tashmë? Filozofi Friedrich Nietzsche (Niçe) kishte vërë në dukje se dishepujt e Jezusit do të duhej të paktën pakëz të dukeshin si njerëz që janë të shpërblyer (shpëtuar)! Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »