Gëzimi: efekt marrë-dhënieje

Dec 16 • Këndvështrime

Nga Don Anton Uka

 

Dëshira apo nevoja e brendshme shpirtërore dhe psikologjike e njeriut për ta kërkuar, gjetur dhe përjetuar gëzimin është e thadruar thellë në shpirtin e tij. Kjo ndodh për faktin se gëzimi është vlerë ungjillore, që domethënë hyjnore dhe njerëzore, njëkohësisht. Njeriut iu është lënë misioni ta kërkojë, ta gjejë dhe ta shijojë gëzimin, për arsye se gëzimi është emocioni më plotësues i jetës së tij në marrëdhënien e tij me Hyjin, me të tjerët dhe me vetveten. Por, që realisht të ndodhë kjo, duhet kuptuar se gëzimi nuk është diçka që mund të mësohet dhe të merret nga të tjerët apo nga tekstet e ndryshme shkencore, teologjike, filozofike apo psikologjike, ashtu siç merren dhe mësohen shumë koncepte dhe njohuri tjera.

Me plotë të drejtë, psikologu i famshëm italian, Amedeo Cencini thoshte: “Gëzimi nuk duhet të kërkohet në dhe për vetvete, por është pasojë e kërkimit të këtij realiteti që i jep kuptim çdo gjëje”. Pra, gëzimi është efekt i një marrë-dhënieje të jetuar në plotësi; është thesari i fshehur në jetën e secilit njeri, që për ta zbuluar duhet investuar shumë dhe kur të zbulohet, duhet ruajtur edhe më shumë (krh. Mt 13, 44).

Egoizmi apo përqendrimi i tepruar mbi vetveten, për faktin se është qëndrim përjashtues dhe izolues, e humb gëzimin. Gëzimi nuk posedohet, ai merret, vetëm nëse dhurohet, pra, është marrë-dhënie e vazhdueshme e mbështetur në liri, në respekt dhe në dashuri të ndërsjellët.

Pas kësaj hyrje të shkurtër mbi gëzimin, është më lehtë të kuptohet porosia e Fjalës së Zotit, e cila na drejtohet në të dielën e tretë të Ardhjes, e si pikë qendrore ka gëzimin në Zotin – Gaudete in Domino.

Leximi i parë, prej librit të Sofonisë profet, e fton Sionin, simbolin e Kishës – popullit të Zotit, që të gëzohet.

Pse duhet të gëzohet Kisha? A ka arsye të gëzohet pas plagëve të shumta dhe të thella, që për arsye të mëkatit dhe shkandullit, ia ka shkaktuar trupit të vet? Po! Kisha ka të drejtë dhe duhet të gëzohet. Kisha, të cilës i mungon gëzimi, nuk është Kishë siç e dëshiron Krishti. Jezusi ka premtuar se Kishës, askush, as brenda e as jashtë saj, nuk mund t’ia rrëmbejë gëzimin. Gëzimi i saj është Krishti, shkëmb i vërtetë, kundër së cilës as dyert e ferrit nuk do të mund të ngadhënjejnë (krh. Mt 16, 18).

Tekstet e shumta biblike, të ngjashme me ato të së dielës së tretë të kohës së Ardhjes, na tregojnë se logjika dhe pedagogjia hyjnore në lidhje me gëzimin është shumë ndryshe nga ajo njerëzore. Njeriu, sidomos ai i ndikuar nga ndjenja e zilisë, e inatit, e smirës, e dashakeqësisë, në përvojat e tija të hidhura me tjetrin, brenda vetes ndjen dëshirën që në tjetrin të mos shohë gëzim dhe lumturi. Nganjëherë, i nxitur edhe nga urrejtja, vihet në punë që me çdo kusht ta pengojë gëzimin dhe rehatin e tjetrit. Ndërsa, Hyji që është krejt i shenjtë, përkundrazi, e kërkon dhe e dëshiron gëzimin e njeriut edhe atëherë kur shkelet fjala, përbuzët butësia, çnderohet mirësia, mohohet besnikëria dhe tradhtohet dashuria e Tij. Nga kjo përvojë apo marrë-dhënie e Sofonisë me Hyjin, lind ftesa, të cilën Hyji, përmes gojës së profetit, ia drejton çdo njeriu: këndo, gëzo, galdo, sepse Hyji e tërhoqi dënimin që ishte paraparë si ndëshkim për mëkatet tua, i shpërndau larg armiqtë e tu. Zoti është afër teje edhe atëherë kur ti mendon se je larg Tij. Prandaj, frikë mos ki, sepse, Perëndia, i përmalluar, të shikon me dashuri të pafund (krh. Sof 3, 14-17).

Ndërsa, psalmi, i shkëputur nga libri i Isaisë profet, në harmoni me leximin e parë, e fton njeriun të mos ketë frikë dhe të gëzohet, sepse Hyji iu është dëftuar popullit të vet si shëlbues dhe shpëtimtar.

Shën Pali, përmes letrës drejtuar Filipianëve, e fton njeriun që të gëzohet gjithmonë (krh. Fil 4, 4-7).

Ta ftosh njeriun në gëzim, domethënë t’ia rikujtosh qëllimin e ekzistencës së tij, d.m.th. është vepër e mirë dhe e shenjtë. Por, ta ftosh që të gëzohet gjithmonë, duket paradoksale me realitetin e tij ekzistues, për faktin se jeta njerëzore, sidomos e disave, është e mbushur me kryqe, vuajtje, sëmundje, mërzi, lodhje, probleme dhe padrejtësi të ndryshme.

Atëherë, si është e mundur që Shën Pali na thërret të gëzohemi gjithmonë? Për ta kuptuar këtë duhet kujtuar se gëzimi i krishterë është mantel, që i qëndisur me fe, shpresë dhe dashuri, e mbështjellë njeriun në të gjitha situata e tija. Shën Pali dëshmon se gëzimi që buron nga Jezusi nuk është parcial, por gjithëpërfshirës; nuk është i rezervuar vetëm për ata që jetojnë në mirëqenie, por edhe për të varfit; nuk është vetëm për të shëndoshët, por edhe për të sëmurët; nuk është vetëm për të çlodhurit, por edhe për të lodhurit.

Gëzimi, i jetuar dhe i propozuar nga përvoja e krishterë, nuk është në kundërshtim me vuajtjen. Nga kjo kuptojmë që, sipas logjikës së krishterë, e kundërta e gëzimit nuk është vuajtja, por trishtimi dhe zhgënjimi. Kjo vërtetohet edhe nga situata e Shën Palit, që nga burgu, do të thotë nga përvoja e kryqit dhe e padrejtësisë, nuk zhgënjehet, por përkundrazi, bëhet dëshmitarë dhe misionar i gëzimit.

Pasi që gëzimi i vërtetë është harmoni e brendshme e fesë, e besimit dhe e vetëbesimit, ai ka një konotacion pozitiv. Atë nuk mund ta burgos askush. Ndërsa, trishtim apo zhgënjimi, për faktin se lidhet fortë për dimension psikologjik të njeriut, ia pamundëson atij ta shikojë vetveten dhe situatat rreth tij me sytë e fesë, pra ka një konotacion negativ.

Ftesa që të gëzohemi gjithmonë, domethënë ta pranojmë dhe ta jetojmë jetën me fe. Apostulli i popujve na porositë: “Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me uratë të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund të mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus” (Fli 4, 6-7).

Gjon Pagëzuesi, përmes jetës, dëshmisë dhe predikimit të vet, e mëson turmën e madhe që ishte bashkuar për ta dëgjuar, se gëzimi që mbush zemrën me paqe dhe dashuri, nuk qëndron në pasje dhe grumbullim, por në dhënie dhe shpërndarje. Një pjesë e madhe e njerëzve ende mendojnë dhe besojnë se gëzimi i vërtetë qëndron jashtë tyre, d.m.th. në gjërat dhe pasuritë që grumbullojnë, e nuk e kuptojnë se ai fshihet në brendësinë e njeriut dhe vetëm në bashkë-ndarje mund të rritet dhe shumohet. Kështu Gjoni e përmbys mentalitetin e botës që ndrynë, fsheh dhe grumbullon pasurinë, duke propozuar logjiken ungjillore të bashkë-ndarjes. Me plotë të drejtë, biblisti i famshëm italian, Ermes Ronchi thotë: “Në Ungjill, jo rastësisht, fjala dashuri është, pothuajse, gjithmonë sinonim i fjalës dhurim. Konvertimi apo kthimi fillon konkretisht në dhurim. Na është thënë se gëzimi konsiston në grumbullim, se lumturia qëndron në konsumizëm të tepruar. Ndërsa, Gjon Pagëzuesi, hedh në mekanizmin e botës tonë këtë fjalë të fortë: Jepni, dhuroni, bashkë-ndani. Ky është ligji i jetës: njeriu, për të qenë mirë dhe i gëzueshëm, duhet të japë dhe të dhurojë”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »