Kurora e martesës sipas Papës Françeskut

Dec 17 • Familja

Nga Don Lush Gjergji

 

Papa Françesku shpesh ka shkruar dhe ka folur për kurorën e martesës dhe për familjen e krishterë, sidomos në nxitoren apostolike “Amoris laetitia” (Gëzimi i dashurisë).

Çka duhet të bëjnë të martuarit për ta rritur, zhvilluar dhe përparuar dashurinë martesore?

Që të jenë të vetëdijshëm për zgjidhjen që kanë bërë me vullnet për të ndërtuar së bashku diçka të bukur dhe të pamohueshme, së bashku dhe me ndihmën e Zotit, përkrahjen e Kishës. Burimi i rrezikut dhe çdo të keqeje është dobësia e fesë së krishterë, mospërcjellja e familjeve nga ana kishtare, vetmia. Mbyllja, tundimi për diçka të re dhe ndryshe…

Edukimi apo katekumenati permanent, ku përpos çifteve martesorë, duhet të jenë edhe meshtarët, punëtorët baritorë, familje e krishtera me përvojë jete në martesë.

Nuk mjafton përgatitja e mirë për martesë, si rasti i mirë i  ushtrimit dhe vozitjes, provimit,  por gjithnjë vozitja e mirë dhe me shumë kujdes, sipas rregulloreve dhe kushteve. Ashtu duhet të jetë martesa e krishterë, përgatitje e mirë, por  edhe më shumë përcjellja dhe shkëmbimi i përvojës së përbashkët, që është një vazhdimësi, si edhe vetë jeta, dhe  nuk përfundon kurrë. Me këtë  ushtrim të përditshëm, rritet aftësia për përgjegjësi dhe guximi për ballafaqim me njëri-tjetrin në dritën e fesë dhe të dashurisë.

Në vështirësi të mëdha duhet rizbuluar fenë dhe hirin e sakramentit të martesës. Kurora e martesës nuk është një vepër apo rit që është krye, ka përfunduar, por një mision, mundësi dhe hir me të cilin lypset jetuar. Qëllimi përfundimtar i jetës së krishterë është shëlbimi i shpirtit, jeta e pasosur. Çiftet martesorë janë përgjegjës para Zotit dhe ndërgjegjes për njëri-tjetrin, për fëmijët e tyre.

Papa Françesku thotë kështu: “Duhet të zbulohet dhe dëshmohet bukuria e kurorës së martesës… Njerëzit e dobët  kanë nevojë për përkrahje dhe kujdes baritor, jo për mospërfillje, braktisje, sulme apo kritika të kota dhe të dëmshme…”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »