Ndikimi (jo) pozitiv i breznive

Dec 17 • Meditimi i ditës

17 dhjetor 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 49,2.8-10; Ps 72,1-4b.7-8.17; Mt 1,1-17)

 

Prania e Hyjit
Të falem, Fjalë e bërë njeri nga providenca e Hyjit.

Fjala e mishëruar flet për një Hyj që nuk mbetet i distancuar dhe pa trup, në fushën e fjalëve, ideve dhe përgjithësimeve, por që merr mish dhe përfshihet në realitetin fizik të botës, në veçanti njerëzve dhe vendeve, në detajet e jetës sonë të përditshme.

A mund ta dalloj këtë Zot, që është i pranishëm këtu, tani?

 


Liria
Edhe sot në fillim të këtij meditimi kërkoje heshtjen – dhe ji i/e qetë vetëm për një moment të ndërgjegjshëm. Tërhiqu nga zhurma që të rrethon përjashta. Dhe provo ta çaktivizosh zhurmën e brendshme që është brenda teje.

 

Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që përshkohet nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa të rrënuara, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye e ndjej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala
Gjatë dy javëve të fundit, duke dëgjuar leximet nga Profeti Isaia, kemi reflektuar mbi vetveten dhe mbi botën tonë dhe nevojat e saj, dhe përgjigjen e Hyjit ndaj atyre nevojave – premtimin e Hyjit për shpengimin, lirinë dhe gëzimin.
Këtë javë do të reflektojmë për përmbushjen e atij premtimi, ose në fillim të përmbushjes së tij, me fragmentet e Ungjillit që përshkruajnë ngjarjet që çojnë deri në lindjen e Jezusit.

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik dhe lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


 

Mt 1, 1-17

 

1 Breznitë e Jezu Krishtit, të birit të Davidit,

të birit të Abrahamit.

2 Abrahamit i lindi Izaku.

Izakut i lindi Jakobi.

Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.

Judës i lindi prej Tamarës Faresi dhe Zara.

Faresit i lindi Esromi.

Esromit i lindi Arami.

4 Aramit i lindi Aminadabi.

Aminadabit i lindi Naasoni.

Naasonit i lindi Salmoni.

5 Salmonit i lindi prej Rahabës Boozi.

Boozit i lindi prej Rutës Jobedi.

Jobedit i lindi Jeseu.

6 Jeseut i lindi Davidi mbret.

Davidit i lindi prej ish‑gruas së Urisë Salomoni.

7 Salomonit i lindi Roboami.

Roboamit i lindi Abiai.

Abiait i lindi Asafi.

8 Asafit i lindi Jozafati.

Jozafatit i lindi Jorami.

Joramit i lindi Ozia.

9 Ozisë i lindi Joatami.

Joatamit i lindi Akazi.

Akazit i lindi Ezekia.

10 Ezekisë i lindi Manaseu.

Manaseut i lindi Amosi.

Amosit i lindi Jozia.

11 Jozisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij në kohën e shpërnguljes në Babiloni.

12 Pas shpërnguljes në Babiloni,

Jehonisë i lindi Salatieli.

Salatielit i lindi Zorobabeli.

13 Zorobabelit i lindi Abiudi.

Abiudit i lindi Eliakimi.

Eliakimit i lindi Azori.

14 Azorit i lindi Sadoku.

Sadokut i lindi Akimi.

Akimit i lindi Eliudi.

15 Eliudit i lindi Eleazari.

Eleazarit i lindi Matani.

Matanit i lindi Jakobi.

16 Jakobit i lindi Jozefi, fati i Marisë,

prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht.

17 Gjithsej, pra, katërmbëdhjetë brezni prej Abrahamit deri te Davidi; prej Davidit deri në shpërnguljen në Babiloni katërmbëdhjetë brezni; e prej shpërnguljes në Babiloni deri te Krishti katërmbëdhjetë brezni.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm nga Shkrimi i shenjtë:

 

  • Ky është një nga leximet më të çuditshme në Ungjillin e Mateut që mund ta lexosh dhe ta dëgjosh – atë varg të gjatë emrash, të panjohur, të çuditshëm dhe të huaj për shumicën prej nesh. Por si u ndjeve kur po i dëgjoje? Nuk je i/e sigurt se çfarë do të duhej të bëje me ta? Madje mund të duket si diçka e një bote tjetër? “Kush janë të gjithë këta etër dhe për çka është fjala?” – ose a ke kuptuar se çfarë mund të jenë përpjekur këto fjalë për të komunikuar, ndjenjën e trashëgimisë, të historisë që shpaloset nëpërmjet gjeneratave, për shpresën e vërtetë të njerëzve se një shpëtimtar do të vinte nga shtëpia e Davidit, që kishte për të përmbushur premtimin?
  • Për njerëzit e asaj kohe, prejardhja e familjes ishte shumë e rëndësishme, do të thotë “nga këtu vjen ti”, “kjo është ajo kush je ti”. Kjo nuk do të ishte domosdo rast në të gjitha pjesët e botës sot, por ku a merr kuptimin tënd të identitetit, ndjenjën tënde se kush je?
  • Midis dyzet e dy emrave mashkullorë – kjo linjë e gjatë e baballarëve – katër gra, përmenden tre nëna: Rahaba, Tamara, Ruta dhe Maria. Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, çfarë mendon se të tregon se kush është Jezusi dhe kush je ti?

 

Bashkëbisedimi

Në momentet e fundit të kësaj kohe të lutjes, flit me Jezusin, atë bir të Abrahamit dhe birin e Davidit, për të cilin dëgjove. Bisedo me të, ndoshta, për atë se kush është ai për ty, ose ti për të.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Trungu i familjes sat, Jezus, është i larmishëm. Përfshin një vrastar dhe kurorëshkelës, Hebrenj dhe paganë, të njohur dhe të panjohur. Në të ndodhen të fortë dhe të dobët. Gra dhe burra në raporte të çuditshme, si dhe të drejtë dhe të mirë. Këtu ndodhet e tërë jeta njerëzore, kjo do të thotë që Hyji përfshin çdonjërin në planin e tij hyjnor. Po më mahnit kjo, o Zot.

Çdonjëri në historinë njerëzore ndikon në një tjetër. Po më bien ndër mend njerëzit që kanë ndikuar në mua, për mirë o për keq. Të lutem, o Zot, që nëpërmjet lutjes dhe jetës sime të mund të ndikoj në mënyrë pozitive mbi të tjerët. Ati ynë…

“O Urti, që del prej gojës së Tejetlartit, përhapesh deri në skajet e botës dhe gjithçka vendos me fuqi e ëmbëlsi: eja, e na e mëso udhën e jetës.”

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »