Me guxim drejt një të ardhmeje të pasigurt

Dec 18 • Meditimi i ditës

18 dhjetor 2018 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 23,5-8; Ps 72,1-2.12-13.18-19; Mt 1,18-24)

 

Prania e Hyjit

“Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!” (Ps 42,1)

Ndërsa e filloj këtë lutje sot, a mund t’ia them këto fjalë Zotit?

Duke menduar një çast se sa më do Zoti, dhe duke e vendosur të gjithë besimin tim dhe gjithë shpresën time në të?

 

Liria

Në këtë kohë të Ardhjes mund të dëshirosh ta përgatitësh zemrën për të festuar ardhjen e Krishtit në botë, duke filluar së imagjinuari skenën në Betlehem …

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala
Në vend që të përsëritet leximi, me fokus në dëgjimin e fjalëve dhe shijimin e tyre, në këto ditë të fundit para Krishtlindjes, theksi do të jetë duke imagjinuar skenat e përshkruara në leximet biblike, në një formë të soditjes së rekomanduar nga Shën Injaci duke aplikuar shqisat tona dhe imagjinatën, dmth. fantazinë tonë, për të hyrë në këto skena, për të ndjerë se si ishte aty.


Mt 1, 18-24

 

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:

Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:

23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,

të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑

që do të thotë: Hyji me ne!

24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të shenjtë:

 

  • Sot do të përqendrohemi vetëm në atë skenën e ëndrrës së Jozefit, por së pari, kalojmë një moment në sfondin e kësaj skene, se si u gjet Maria të jetë shtatzënë, telashet që duhet t`i ketë shkaktuar zbulimi dhe ndoshta tensioni mes familjeve të tyre . Vetëm imagjinoje një moment se si mund të jetë ndjerë Jozefi kur ai u shtri për të fjetur atë natë.
  • Tani imagjinoje skenën, skenën e ëndrrës së Jozefit. Së pari, përqendrohu në atë që mund të shohësh. Si është vendi? Si duket Jozefi? Si duket engjëlli? Çfarë tjetër mund të shohësh?
  • Tani, dëgjo. Dëgjoje engjëllin duke i thënë Jozefit të mos ketë frikë ta marrë Marinë si gruan e tij. Ndoshta Jozefi i thotë diçka si përgjigje. Çfarë mund të dëgjosh?
  • Dhe tani mendo se çfarë po bëjnë ata, Jozefi dhe engjëlli. Engjëlli e sjell lajmin për lindjen e këtij Shpëtimtari; Jozefi me përvujtëri e pranon rolin që i është dhënë. Ja fillimet e shpalosjes së planit të madh të shpëtimit të Hyjit.
  • Së fundmi, mund t`i kalosh disa momente duke reflektuar për veten tënde dhe si je i/e përfshirë në gjithë këtë. Dhe, nëse je i/e nxitur, flit me Zotin për atë që ke mësuar apo që ke ndjerë ose që ke vërejtur gjatë kësaj kohe.

 

Bashkëbisedimi

Jozefi zë vendin qendror në këtë fragment biblik. Merr një vendim. Ai do të sillet mirë dhe me ëmbëlsi me Marinë, dhe do ta lëshojë atë fshehurazi. Ëndrra e ndryshon vendimin e tij fillestar. Hyji ndërhyn dhe kërkon më shumë nga Jozefi. Është thirrur të rishqyrtojë qëllimin e tija fillestar.

O Zot, faleminderit për Jozefin dhe shembullin e tij se si duhet të jemi zemërgjerë dhe të rrezikojmë. Ai i besoi plotësisht fjalës sate “Mos ki frikë” duke lejuar që planet e tij të bëra me kujdes të shemben. Ma jep hirin që edhe unë të jem i/e hapur ndaj ndryshimeve në planet kur ti më thërret të rrezikoj.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Shpesh herë duket që në paraqitjen e lindjes së Jezusit Jozefi e ka një rol dytësor. Sot e kalova një kohë me të. E vërejta se sa konsekuent, sa besnik ishte. E çmoj besnikërinë, ndershmërinë e tij, aftësinë për të dalluar dhe njohur duke pranuar porosinë e guximit.

Edhe pse Jozefi e kishte marrë vendimin paraprak, qe i gatshëm ta ndryshonte atë për shkak të ëndrrës që e kishte parë. O Zot, ma jep hirin e shenjtë që vendimet e mia të mund t`i sjell para teje duke lejuar që të më formohet zemra dhe të më ndryshohen vendimet. Ati ynë…

O Zot, udhëheqësi i shtëpisë së Izraelit, ti që iu shfaqe Moisiut në flakën e shkurres dhe i dhe Ligjin mbi malin Sinaj: eja e na liro me praninë tënde. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »