T’i besosh lajmit të gëzueshëm

Dec 19 • Meditimi i ditës

19 dhjetor 2015 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gjyq 13,2-7.24-25a; Ps 71,3-6b.16-17; Lk 1,5-25)

 

Prania e Hyjit
Zoti është Shpirt; Shpirti jep jetë.

Hyji është burimi i gjithë jetës, ai në të cilin jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë.

Ndërsa shikoj përreth meje tani, tek njerëzit rreth meje, a mund ta ndiej praninë e Hyjit?

A mund ta ndiej Shpirtin e Shenjtë të Hyjit këtu? Te këta njerëz? Tek unë?

 

Liria
Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
Ma kujto, o Zot,
Se gjithmonë je pranë meje.
Asnjëherë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala
Në vend që të përsëritet leximi, me fokus në dëgjimin e fjalëve dhe shijimin e tyre, në këto ditë të fundit para Krishtlindjes, theksi do të jetë duke imagjinuar skenat e përshkruara në lexime, në një formë të soditjes së rekomanduar nga Shën Injaci duke aplikuar shqisat tona dhe imagjinatën, dmth. fantazinë tonë, për të hyrë në këto skena, për të ndjerë se si ishte aty.

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Lk 1, 5-25

5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë. 6Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit. 7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.

8 Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit 9 sipas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin. 10 Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej. 11 Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. 12 Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. 13 Por engjëlli i tha:

“Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre. 17 Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.”

18 Atëherë Zakaria i tha engjëllit:

“Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar.”

19 Engjëlli iu përgjigj:

“Unë jam Gabrieli që rri para Hyjit. Ai më dërgoi të flas me ty e ta sjell këtë lajm të gëzueshëm. 20 Dhe, ja, ti do të mbetësh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen, sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat patjetër do të plotësohen kur të vijë koha.”

21 Ndërkaq populli e priste Zakarinë dhe habitej pse vonoi aq shumë në Shenjtërore. 22 Kur doli, nuk mundi të flasë. Njerëzit e morën me mend se do të ketë pasur në Shenjtërore ndonjë vegim. Ai mundohej t’u tregojë me shenja, e mbeti i pagojë.

23 Kur u kryen ditët e shërbesës së tij, u kthye në shtëpinë e vet. 24 Pas kësaj kohe Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Pesë muaj u fsheh e thoshte:

25 “Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi i Shenjt:

 

  • Një lexim i gjatë sot, kështu që mund ta imagjinoj ngjarjen, duke e shikuar skenë për skenë.
  • Së pari, imagjinoje Zakarinë duke hyrë në shenjtërore. Imagjinoji tingujt dhe erërat, ndoshta erën e temjanit. Si është i veshur? Çfarë ngjyre kanë flokët e tij? Si duket shenjtërorja?
  • Shfaqet engjëlli që e frikëson atë, por engjëlli i thotë atij të mos ketë frikë. Gruaja e tij Elizabeta do të lindë një djalë, i cili do të quhet Gjon dhe i cili do të jetë i madh në sytë e Hyjit. Në imagjinatën tënde, vëri vesh dhe dëgjoji të gjitha gjërat e mrekullueshme që thotë engjëlli për Gjonin.
  • Zakaria heziton të besojë se një lajm i tillë i madh mund të jetë i vërtetë. Një moment, imagjinoji ndjenjat e tij, jo guximin e tij të besonte lajmin e mirë.
  • Zakaria dyshon në fjalët e engjëllit dhe i merret goja, bëhet i paaftë për të folur. Ai del nga shenjtërorja, ende i paaftë të flasë i duhej t`i drejtohej njerëzve. Imagjinoji ata duke i folur atij …  duke mos marrë përgjigje nga ai …. gjestet e tij.
  • Elizabeta ngjiz dhe thotë, “Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!” A mund ta shohësh fytyrën e saj? A mund ta shohësh gëzimin në fytyrën e saj dhe ta dëgjosh gëzimin në zërin e saj kur ajo e thotë këtë?

 

Bashkëbisedimi

Mund ta përmbyllësh duke reflektuar për veten tënde një moment dhe duke i folur Zotit për mënyrën se si i je përgjigjur kësaj historie, se si je pjesë e kësaj historie shpëtimi.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Pavarësisht lutjes dhe bindjes së engjëllit Zakaria nuk arriti të besonte në planin e Hyjit. Pasoja e kësaj ishte izolimi, pamundësia për të komunikuar. Edhe pse Zakaria ishte kokëfortë, dashamirësia e Hyjit ndaj tij shfaqet në lindjen e djalit. Elizabeta nuk pati vështirësi të njihte burimin e një jete të re, prandaj gëzohet duke thënë: “Ja çka bëri Zoti për mua”. A mund të mendoj sot për jetën time dhe të them të njëjtën gjë?

E pra, porosia është që, ti o Zot, bën vepra të mrekullueshme kur e ndiejmë që nuk mund të bëjmë asgjë. Zakarisë iu mor goja sepse nuk besoi në Lajmin e gëzueshëm. Nëse edhe unë nuk besoj në Lajmin e gëzueshëm nuk do të kem ç`tu them të tjerëve. O Zot, bëj që t`i besoj Fjalës sate. Ati ynë…

O rrënja e Jeseut, që ngritesh si shenjë për kombe: le të heshtin para teje mbretërit e tokës, e popujt le të të kërkojnë: eja për të na shpëtuar e mos vono. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »