Nevoja për dëshmitarë të Lajmit të gëzueshëm

Dec 22 • Këndvështrime

Nga Don Anton Uka

 

Nga takimi me njerëz, gjithnjë e më tepër kuptoj dhe bindem se njeriu i sotëm, para se gjithash, ka nevojë për një lajm të mirë, të gëzueshëm dhe të vërtetë. Kjo nevojë shpirtërore dhe psikologjike e shumë njerëzve, është një tregues i qartë se njeriu post-modern dhe i digjitalizuar, për arsye të një mos-integrimi mes asaj që realisht është dhe asaj që duhet të jetë, nga njëra anë ndjehet i lodhur, i rraskapitur, i molisur e nganjëherë edhe i dëshpëruar, ndërsa nga ana tjetër, në shpirtin dhe mendjen e tij kërkon daljen nga kjo situatë, kërkon kuptim dhe ngushëllim.

Ankimet, vuajtjet dhe zhgënjimet e ndryshme psikologjike dhe shpirtërore që sot takojmë brenda dhe jashtë vetës, në të shumtën e rasteve janë një britmë e heshtur në kërkim të një Lajmi të mirë dhe të aftë për të ngushëlluar dhe shëruar plagët e ndryshme dhe të shumta që fshihen brenda nesh.

Lajm i mirë dhe i bukur është kuptimi etimologjik i termit Ungjill. Prioriteti i Ungjillit është shpallja e bukur dhe e mirë se Hyji na do, na pranon, na falë, na shpëton, na vjen në takim dhe bën që të njihet. Pastaj, nga kjo vetëdije dhe nga ky takim i njeriut me Lajmin e gëzueshëm, do të duhej të lindte kthimi dhe çdo vepër tjetër që ka për qëllim shërbimin, shërimin, shenjtërimin dhe shëlbimin e jetës së njeriut. Kardinali Carlo Maria Martini thoshte: “Kjo iniciativë e Hyjit është fillimi dhe pika ballafaquese e çdo gjëje, realiteti në dritën e të cilit gjithçka duhet të krahasohet dhe të vlerësohet. Është Lajmi i mirë që shndërron zemrën, mbush me gëzim, rinovon mendjen. Pikërisht për këtë ai është qendra dhe shqetësimi themelor dhe i vetëm i veprimit të Kishës”. I nxitur nga fjalët e Martinit, do të shtoja se shpallja e Lajmit të gëzueshëm me fjalë dhe me vepra, duhet të jetë preokupimi kryesor, jo vetëm i Kishës, por edhe i udhëheqjes politikë dhe i të gjitha strukturave shoqërore (shkollave, spitaleve, mas-mediave, burgjeve etj.) që në kushtetutat dhe rregulloret e tyre, për fokusim kryesor kanë mbrojtjen, dinjitetin dhe prosperitetin e njeriut.

Fjala e Zotit që na shpallet në të dielën e katërt të kohës së Ardhjes, dëshmon se personi, feja dhe gatishmëria e tij për ta pranuar Lajmin e gëzueshëm, janë rrugët përmes të të cilave Hyji shërbehet për t’i ardhur në takim njeriut dhe realitetin të botës në të cilin jeton.

Përmes leximit të parë të Mikesë profet, Betlehemit, qytetit të Davidit mbret, i jepet një lajm i gëzueshëm: Mesia do të lind në të; Ai do të sundojë dhe do ta udhëheq Izrealin (simbolin e popullit të Zotit) me drejtësi, duke u kujdesuar për të, duke e mbrojtur, duke e udhëhequr dhe duke ua sjellë paqen të gjithë njerëzve, ndryshe nga udhëheqësit e rremë politikë që kujdesoheshin, i mbronin dhe u garantonin paqen vetëm atyre që u bindeshin politikave dhe interesave të tyre (krh. Mik 5, 1-4).

Sundimi me drejtësi, kujdesi për të gjithë, mbrojtja e të pambrojturve, udhëheqja reale dhe garantimi i paqes për të gjithë njësoj, janë vlera ungjillore, por njëkohësisht edhe sfida, të cilat nuk mund të mishërohen e aq më pak të japin fryte në një shoqëri, nëse më parë, prijësit e saj, nuk zhvishen nga egoja, nga dyfytyrësia dhe nga krenaria të cilat, me qëllim dhe dinakëri, shkaktojnë qëndrime padrejtësie, përjashtimi, mashtrimi, korrupsioni, krimi dhe plagë tjera që pengojnë rritjen, mirëqenien dhe gëzimin ungjillor të njerëzve.

Psalmisti, duke analizuar dhe reflektuar mbi realitetin në të cilën jeton, ka kuptuar se vetëm ndërhyrja dhe fuqia hyjnore mund ta shpëtojë botën dhe njeriun nga e keqja dhe mëkati, prandaj edhe lutet: “Dëgjo ti, o Bari i Izraelit, ti, që rri në fron mbi kerubinë shkëlqe, zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë për të na shpëtuar!” (Ps 80, 2-3).

Vetëdija se ndihma dhe shpëtimi i vërtetë vjen prej Zotit, është një lajm tjetër i mirë, për të cilin njeriu i sotëm ka nevojë, në mënyrë që të lirohet nga kërkimet e kota shëruese në zota të rrejshëm, në magji, në fall dhe në besëtytni tjera që edhe më tepër e thellojnë dhe e përkeqësojnë krizën e tij mendore, shpirtërore dhe fizike.

Leximi i dytë prej letrës drejtuar Hebrenjve në gojën e Jezusit vendos fjalët e psalmistit, i cili thotë: “Fli e kushte ti nuk deshe, por mua ma bëre gati trupin: holokaustet dhe flitë për mëkatet nuk të pëlqyen. Atëherë thashë: ‘Ja po vij!’, sepse për mua shkruan në rrotullin e librit: ‘Për ta kryer, o Hyj, vullnetin tënd’” (krh. Heb 10, 5-10).

Kjo pjesë biblike na ndihmon të kuptojmë që shpëtimi i jetës nuk ndodh për arsye të flijimeve, kushtimeve, dhuratave, njeteve dhe veprave tona pendestare, sado të mira dhe të mëdha që të jenë, por në saje të dhurimit të jetës së Jezusit, që përmes lindjes, jetës, vdekjes dhe ngjalljes i dhuroi botës shëlbimin. Kështu, pranimi i Jezusit dhe ndjekja e shembullit të Tij, është garancia më e mirë që dëshmon dashurinë dhe kushtimin tonë. Këtë gjë ia thoshte edhe Shën Pali bashkësisë së Romakëve: “Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit ‑ porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtëriteni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur” (Rom 12, 1-2).

Tekstet e shumta biblike e kundërshtojnë kultin e jashtëm, nëse ai nuk është i nxitur nga një dashuri dhe nga një kult i brendshëm shpirtëror.

Tani që festat tona janë shndërruar në një marketing të vërtetë, fjala e Zotit na thërret të reflektojmë dhe të mendojmë se gëzimi i vërtetë i një feste nuk qëndron vetëm në shkëmbim të dhuratave; nëse prapa tyre nuk qëndron dashuria, kujdesi, falja, pranimi, butësia, ato mbesin të zbehta dhe nuk dhurojnë gëzimin e dëshiruar.

Në këtë rast, e konsideroj të rëndësishme të theksoj se edhe në marrëdhëniet tona ndër-njerëzore, e sidomos në marrëdhënie mes të martuarve, ajo çka e kënaq dhe e plotëson njeriun, nuk janë gjërat dhe dhuratat materiale, por është dhurimi i jetës, i butësisë, i mirësisë, i mirëkuptimit dhe i dashurisë. Shpeshherë ndodhë që kur dikush ndjehet i pakënaqur, t’i themi: Hej, ç’ke? Pse ankohesh? Nuk të mungon asgjë! Duke harruar se lumturia e brendshme nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra sesi e trajtojmë dhe e duam atë person. Mendoj se shumë lidhje martesore do të ishin më të lumtura, më të kuptueshme, më të dashura, do të tejkalonin edhe krizën e mbylljes dhe rrezikun e ndarjes, po t’i dhuronin njëri-tjetrit, për çdo ditë, më shumë afërsi, përkujdesje, ngrohtësi dhe dashuri.

Për ta kuptuar edhe më mirë këtë gjë, dëshiroj t’iu referohem një historie të një qifti të martuar, i cili i shpëtoi ndarjes, falë guximit për të jetuar në butësi dhe në dashuri flijuese.Historia tregon kështu: “Për shumë vite ngatërresat mes meje dhe gruas time ishin bërë pjesë e përditshmërisë, deri në atë pikë sa që ishte e vështirë të imagjinohej një jetë së bashku. Pas ngatërresës tonë të fundit, u ula nën dush dhe ia plasa vajit. Pastaj mendova dhe i thashë vetes: “Nëse nuk mund ta ndryshosh atë, ndryshoje vetën tënde”. Në mëngjesin vijues, kur ishim ende në shtrat, iu drejtova gruas time me këtë pyetje: “Si mund ta ndreqi ditën tënde? Ajo më shikoi e mllefosur dhe e nervozuar e më tha: Çka? Ia përsërita: “Si mund ta ndreqi ditën tënde?” Më tha: “Nuk mundesh. Pse po më pyet?” “Sepse dëshiroj ta di si mund ta bëj më të mirë ditën tënde.” Ajo më shikoi me cinizëm dhe më tha: “Dëshiron të bësh ndonjë gjë? Shko pastroje kuzhinën.” Sipas të gjitha gjasave mendonte se do të bëhesha nervoz, ndërsa unë u zgjova dhe shkova për ta pastruar kuzhinën. Mëngjesin tjetër ia kërkova të njëjtën gjë: “Si mund ta bëja më të mirë ditën tënde?” “Shko pastroje garazhin.” U zgjova dhe për dy orë të plota qëndrova duke e pastruar garazhin. Edhe në ditët tjera vazhdova t’ia bëja të njëjtën pyetje. Pastaj, në javën e dytë, ndodhi mrekullia…Në pyetjen time, sytë e Kerit u mbushën me lot dhe ajo ia plasi vajit. Kur arriti të flas, më tha: “Të lutem, mos më kërko më. Nuk je ti problemi, por jam unë. Të jetosh me mua është e vështirë, nuk e kuptoj pse qëndron me mua.” Butësisht ia lartësova kryet për ta shikuar në sy dhe i thashë: “Si mund ta ndreqi ditën tënde?” Ajo mu përgjigj: “Do të duhej të të pyesja unë ty”. “Po, por jo tani. Në këtë moment duhet të bëj të kuptosh se sa e rëndësishme je për mua. Si mund ta ndreqi ditën tënde?” Më shikoi ëmbëlsisht dhe më tha: “Ndoshta duke kaluar pak kohë së bashku?” Buzëqesha dhe i thashë: “Do të më pëlqente shumë”. Nga ai moment, marrëdhënia jonë ndryshoi. Muret dhe paragjykimet që kishim ndërtuar, u rrënuan. Nga ai moment gruaja ime filloi të më pyeste: “Çka dëshiron që të bëj për ty?”

Jo, nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet tona. E as që mund të them se nuk ngatërrohemi më, por natyra e diskutimeve tona ka ndryshuar. Jam mirënjohës që edhe sot, pas shumë viteve, njëri prej të dyve iu afrohet tjetrit për t’i kërkuar: “Si mund ta ndreqi ditën tënde?”.

Kujdesi, butësia dhe dashuria e tillë do të ishin dhuratat më të mira që ti do të mund t’ia bëje të dashurve dhe të afërmeve të tu për festën e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri. Këto dhurata, më shumë dhe më mirë se të gjitha tjerat, do t’i dhuronin zemrës tënde dhe asaj të të dashurve të tu, paqe, harmoni, gëzim dhe dashuri.

Pjesa e Ungjillit të së dielës së katërt të Ardhjes na paraqet vizitën që Maria ia bëri kushërirës së vet Elizabetës. Takimin e këtyre dy grave Shën Luka ungjilltar na e paraqet si shumë të veçantë, përplot me emocione, të mbushur me risi dhe dashuri.

Nga ky takim te dyja këto mbushen me dashuri, të dyja pranojnë një lajm të gëzueshëm. Të dyja ngushëllohen dhe e ndjejnë praninë e Zotit. Çdonjëra pranon nga një bekim. Si njëra ashtu edhe tjetra ka ndjenja falënderimi. Çdonjëra  përvujtërohet. Si njëra ashtu edhe tjetra mbushet me shpresë. Çdonjëra e sheh vetën dhe tjetrën ndryshe nga më parë. Si njëra ashtu edhe tjetra mbushet edhe më tepër me Shpirtin e Zotit. Çdonjëra ka fjalë të mira për tjetrën. Si njëra ashtu edhe tjetra bëhet misionare e dashurisë së Zotit.

Shën Luka, me përshkrimin e këtij takimi, sikur dëshiron të na thotë se vetëm miqtë e vërtetë dhe ata që e kanë takuar Zotin mund të kenë përjetime të tilla në takimet dhe miqësitë e tyre. Vetëm ata që janë mbushur me Lajmin e gëzueshëm, mund të bëhem dëshmitarë të vërtetë të Tij./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »