Të jetosh nga kujtimet

Dec 27 • Meditimi i ditës

27 janar 2018 – E enjte, Shën Gjoni Apostull (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Gjn 1,1-4; Ps 97,1-2.5-6.11-12; Gjn 20,1-8)

 

Prania e Hyjit

Në gjithçka që po ndodh rreth meje, në gjithë lëvizjet, gjithë zhurmën, a mund të gjej tani një moment qetësie dhe heshtjeje?

A mund ta ndiej praninë e Hyjit këtu dhe t’i dorëzohem asaj, duke e hapur vetveten për të dëgjuar fjalën e Zotit?

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se si jam.

Si kalova dje? Si po e ndjej veten tani?

Krejt hapur do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur.

Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

1 Gjn 1, 1-4

 

1Çka ishte që në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, 2 – po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve – 3 çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne. E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë të jetë i plotë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·                    Gjoni shkruan si një njeri i moshuar, duke i kujtuar ngjarjet e rinisë së tij, takimin e tij me Fjalën e Zotit bërë njeri te miku i tij i dashur Jezusi. Ai e kujton pamjen e Jezusit, duke e bërë atë të pranishëm në imagjinatën e tij edhe pse ai nuk është më këtu ashtu siç ishte. Gjoni shkruan për njerëz si ne, të cilët kurrë nuk e kanë parë, dëgjuar ose prekur Jezusin në mish. Megjithatë, ai na fton që të besojmë në të dhe të hyjmë në të njëjtën miqësi të lumtur dhe të dashur.

·                    A mund ta imagjinoj se si do të ishte sikur ta shihja Jezusin me sytë e mi, ta njoh fytyrën e tij, të njohur si ai i familjes dhe i miqve të mi? Mund ta imagjinoj ta prek atë, ndërsa i prek ata që i dua, me ndjenja të lehta? Si do të ishte të dëgjosh dhe ta njohësh tingullin e zërit të tij?

·                    E dëgjoj përsëri leximin, duke kuptuar se e shoh Jezusin, i cili, siç thotë poeti Gerard Manley Hopkins, “luan në dhjetë mijë vende, i bukur në gjymtyrë dhe i këndshme në sy jo të tij”.

 

Bashkëbisedimi

E dëgjoj dhe e prek Zotin në çdo takim njerëzor. Çfarë dua t’i them tani?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Gjoni e përshkruan se si dishepujt panë dhe besuan. Megjithatë, Gjoni më vonë vë në dukje se nuk mjafton të besosh, por kemi nevojë për të përhapur Lajmin e mirë sic ka bërë edhe ai: “Po ju shkruajmë në mënyrë që gëzimi ynë të jetë i plotë.” Mbaje në mend se përhapja e Lajmit të gëzueshëm (ungjillit) sjell gëzim atij që e çon te të tjerët dhe atij që e merr atë. A kam një përvojë të tillë?

Maria dhe gratë e tjera gjetën varrin bosh në mëngjesin e Pashkëve. O Zot, a mos ndoshta jam duke të kërkuar edhe unë në mesin e të vdekurve? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »