Të jesh i ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të pafajshmëve

Dec 28 • Meditimi i ditës

28 dhjetor 2018 – E premte, Fëmijët e pafajshëm (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 1,5 – 2,2; Ps 124,2-5.7b-8; Mt 2,13-18)

 

Prania e Hyjit
“Dëgjoje, o Zot, lutjen time, e klithma ime le të vijë te ti”.

Ndërsa e filloj këtë meditim e sjell lutjen time, nevojat dhe dëshirat e mia, ndjenjat më të thella të zemrës sime përpara Zotit.

 

Liria
Me anë të hirit të Hyjit më është dhënë jeta në liri.
Ndjehem i/e lirë për të shijuar të mirat që Ai i ka krijuar për mua.
Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj në mënyrën që ti e ke paramenduar,
me besim të plotë në kujdesin tënd për mua.

 

Ndërgjegjësimi
Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma kujto, o Zot,
se ti je gjithmonë me mua.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur.

Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Mt 2,13-18

 

13 Pasi u nisën Dijetarët, ja se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.” 14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt. 15 Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.”

16 Atëherë Herodi, kur pa se e mashtruan Dijetarët, u zemërua së tepërmi dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në mbarë rrethinën e tij dy vjeç e poshtë ‑ sipas kohës që me kujdes e mori vesh nga Dijetarët.

17 Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profet:

18 “U dëgjua një klithmë në Ramë

‑ vaj e gjëmë e madhe:

vajton Rakela fëmijët e vet

e nuk do të pajtohet ‑ sepse nuk i ka më!”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kjo është një histori e tmerrshme. Ne vështirë se mund të paramendojmë brutalitetin e skenës: ushtarët që vrasin foshnjat ndërsa prindërit e tyre shohin, zemrat e tyre shpërthejnë me një pikëllim që do të mbetet me ta për pjesën tjetër të jetës së tyre. Tragjikisht kjo është një skenë që po luhet në shumë pjesë të botës tani, pasi refugjatët e pastrehë ikin për të shpëtuar jetën e tyre kurse fëmijët gjejnë vdekjen rrugëve.
  • Ndoshta kemi nevojë për guxim për të qëndruar te këto shkrime të shenjta duke iu lejuar që të na flasin. Kjo nuk është një skenë e lumtur e Krishtlindjes. Por kjo është pjesë e realitetit të hyrjes së Jezusit në botë. Kërkoj hirin që të jem i pranishëm dhe të qëndrojë te këto shkrime, ngjarje, duke lejuar që të dalin ndjenjat dhe mendimet.
  • Duke e dëgjuar përsëritjen e tregimit, më kujtohen fjalët e Jezusit: “Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen”.

 

Bashkëbisedimi

Çfarë do të thotë të lejoj vetveten të mbaj zi për të gjitha viktimat e dhunës në botë, për të gjithë fëmijët e humbur dhe prindërit e pikëlluar?

Si ndihem kur qëndroj bashkë me vuajtjet e të pafajshmëve?

Çfarë dua t’i them Zotit në këtë festë të fëmijëve të pafajshmë, të shenjtë?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt. Gjatë jetës sate, Jezus, shumë nga ata që ishin të lidhur ngushtë me ty,kanë ardhë përmes vuajtjeve në lavdi. Shën Pali na tregon se “… vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.” (Rom 5, 3-5). Ka shumë gjëra që dikush mund t`i shohë vetëm me sy tëpërlotur.

O Zot, ke ardhë në këtë botë i varfër dhe i pafuqishëm. Ke jetuar në mesin e të pafuqishmëve dhe nevojtarëve. Më bëj më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të pafajshmëve. Më bëj më aktiv në mbrojtjen e tyre, gjithmonë duke kujtuar se atë që ia bëj “më të vegjëlve” ta bëj ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »