Krishtlindja në Kosovë 2018: Me Lindjen e Krishtit ka nis një dialog i ri mes Krijuesit dhe njeriut!

Dec 29 • Kisha në Kosovë

Nënë Tereza thoshte: “Është Krishtlindje sa herë që ia lejon Zotit t’i duaj të tjerët nëpërmjet teje”. Ky mesazh i shenjtëreshës sonë ishte nxitja dhe mendimi që e ka përcjell festimin e Krishtlindjes në Dioqezën tonë Prizren-Prishtinë.

Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, si çdo vit, ka shkruar një letër me të cilën u drejtohej meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve, besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë. Mesazhi i tij, përveç tjerash, ishte se: “Edhe sot, çdo njeri bartë të  fshehur në zemrën e vetë një dëshirë të mrekullueshme, që të gjejë personin i cili nuk e gjykon, por e kupton dhe i beson. Për ne të krishterët, ky person është Foshnja e Betlehemit, Mesia, Biri i Hyjit të gjallë. Ne, Atij ia besojmë të gjitha brengat, Atij ia shpalosim të gjitha dëshirat, nëpërmjet uratës ia tregojmë të gjitha fshehtësitë tona, ia rrëfejmë mëkatet, ia besojmë jetën dhe vdekjen,  e Ai na kupton, na beson, na ngushëllon; asnjëherë nuk befasohet nga dobësitë tona,  kurrë nuk na gjykon, gjithnjë na do  e na pajton me Atin tonë qiellor.”

Në mbrëmjen e 24 dhjetorit, duke filluar nga ora 18.00, në qendrën e re të Ipeshkvisë sonë “Bogdanipolis” u bë pritja solemne e Krishtlindjes, ku u priten autoritetet e larta shtetërore, kulturore, artistike, fetare dhe besimtarë. Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, Kryeministri, z. Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit z. Kadri Veseli, i cili ia dhuroji Ipeshkvit tonë dhe qendrës së re një statujë të Imzot Pjetër Bogdanit, deputetë, ministra, ambasadorë e shumë miq e dashamirë të Ipeshkvisë sonë. Pas një fjalimi të shkurtër që mbajti Ipeshkvi ynë, në të cilin ceku nevojën tonë për dialog, fjalën e rastit e morën edhe Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit. Pas fjalimeve të rastit, mbrëmja vazhdoi me disa këngë krishtlindjes të përgatitur nga bashkëpuntorët e Katedrales, si atmosferë e bukur për të vazhduar me përshëndetje, urime e bashkëndarje të gëzimit të krishtlindjes.

Pika kulminante e kësaj nate të Krishtlindjes natyrisht se është Mesha e Shenjtë, që kremtohet në mesnatë. Meshës i parapriu programi artistik, me këngë dhe recitime, nga fëmijët e famullisë së Prishtinës dhe artisja e mirënjohur Arta Dobroshi, e cila i recitoi dy poezi/uratë të Shën Nënë Terezës.

Meshës solemne i priu Bariu ynë, Imzot Dodë Gjergji, së bashku me meshtarët tjerë në prania të besimtarëve të shumtë, ushtarë të KFO-it, ambasadorë të akredituar në Kosovë, njerëzve vullnetmirë e të besimeve të ndryshme që janë të pranishme në Kosovë. Të gjithë të bashkuar në Katedralen “Nënë Tereza” me arsyen e vetme: t’i luteshin Zotit që në vendin tonë, por edhe kudo në botë, të mbretërojë paqja, harmonia, të ekzistojë dashuria dhe dialogu mes njerëzve.

Ipeshkvi ynë, gjatë predikimit tha se: “Me lindjen e Krishtit është hapë një proces i ri i dialogut mes Krijuesit dhe krijesës për shpëtimin e tokës dhe njerëzimit. Preambulë e kësaj marrëveshje në dialog, mes Mesisë besnik dhe popullit që kërkon dënimin e tij, mes dashurisë që falë dhe botës që hakmerret dhe mes pushtetit të Pilatit që gjykon me vdekje në kryq dhe pushtetit të Krishtit që shpërblen me jetën e pasosur, është Besëlidhja e vjetër. Kurse teksti i marrëveshjes është Ungjilli dhe e tërë Besëlidhja e re. Zbatimi konkret i kësaj marrëveshjeje, të lidhur me Besë, siguron pajtimin përfundimtar ndërmjet Krijuesit dhe krijesës, ndërmjet njeriut dhe Hyjit.  Ky dialog dhe kjo marrëveshje i ofrohet çdo njeriu. Ai që e pranon, e nënshkruan në zemrën e vet dhe e lejon Kishën që ta pagëzoj me ujë. Kurse Hyji, të njëjtën marrëveshje e nënshkruan me gozhdën e Kryqit dhe me gjakun e Birit të Tij… nëse Hyji s’ka pasur frikë të dialogojë me botën, aq më pak duhet të kemi frikë ne të dialogojmë me njëri-tjetrin, në familje e në shoqëri, ndërmjet familjeve, partive dhe popujve. Dialogu është parakusht i paqes, pajtimit dhe të mirës së përbashkët. Buron nga vullneti i mirë dhe dëshira për të ardhmen më të mirë të të gjithëve. Këndej, askush nuk duhet të ndihet i lodhur nga dialogu dhe askush nuk duhet ta keqpërdor apo ta mohoj nevojën për të.”

Pas Meshës së shenjtë, pothuajse të gjithë të pranishmit u ndalën në sheshin Katedrales për të bashkëndarë urimet, gëzimin e tyre për këtë festë të madhe.

Të gjithë me gëzim i përcjelli të urimi i bukur i ipeshkvit: “Uroj që Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, ditëlindjen e të cilit po e kremtojmë, t’i mbush zemrat Tuaja me dashuri. Ju dhashë forcën për të përballuar vështirësitë e jetës dhe padrejtësitë e botës. Ju ngushëlloftë në pikëllim dhe Ju përcjellë me mëshirë dhe dhembshuri gjatë gjitha ditëve të vitit të ri, që do e fillojmë një javë më vonë. Për shumë mot Krishtlindja dhe Viti i Ri 2019!”/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »