T`i respektojmë të moshuarit dhe të mësojmë prej tyre!

Dec 30 • Meditimi i ditës

30 dhjetor 2018 – E diela 1-rë pas Krishtlindjes, Familja e shenjte (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximi i ditës: 1Sam 1,20-22.24-28; Ps 84,2-3.5b-6.9-10; 1Gjn 3,1-2.21-24; Lk 2,41-52)



Prania e Hyjit

“E dua Zotin sepse e dëgjon zërin e lutjes sime, sepse mbi mua e priri veshin e vet atë ditë që e thirra në ndihmë.” (Ps 116) – fjalë që paraqesin një pamje të bukur të Hyjit që priret mbi mua si një nënë ose baba që përkulet poshtë tek fëmija i tyre, plot ndjeshmëri dhe dashuri. Ndërsa dëgjoj, reflektoj për një moment për atë ‘kujdes të butë dhe të dashur’ – atë dashuri që Hyji ka ndaj meje … dhe dashurinë që unë, në kthim, kam ndaj Hyjit.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë time
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se si jam.

Si ishte dita e kaluar? Si po e ndjej veten tani?

Krejt hapur do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë qëgjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.


 

1Gjn 3,1-2.21-24

 

1 Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. 2 Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.

21 Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji 22 dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e tij dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. 23 Ky është urdhri i tij: që të besojmë në Emrin e Birit të tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. 24 Kush i mban urdhërimet e tij, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë.


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këto janë aq fjalë të bukura dhe qetësuese. Hyji na ka lënë dashurinë. Ne jemi fëmijët e Hyjit dhe bëhemi, ditë pas dite, të ngjashëm me Hyjin. Hyji do të qëndrojë me ne nëpërmjet fuqisë së Shpirtit, ne kurrë nuk do të jemi vetëm.
  • Ndërsa dëgjoj, mendoj se çka do të thotë të besosh dhe t’i përkasësh dikujt. Ndoshta tashmë i përkas një familje të lumtur dhe të dashur. Ndoshta më shumë kam pasur një përvojë negative dhe ndihem i/e vetmuar dhe i/e izoluar. Çfarëdo që të jetë historia ime e jetës, këtu jam i/e sigurt se i përkas përgjithmonë Zotit si fëmijë i dashur i Hyjit. Askush nuk mund ta marrë atë prej meje. E lejoj atë ndjenjë dashurie dhe përkatësie të ma mbush zemrën dhe mendjen time.
  • E paramendoj sikur jetoj afër shtëpisë së Jozefit dhe që Maria shpesh më thërret te shkoj tek ta. Parapëlqej te rri atje, kam qejf të luaj me fëmijën. Kur Jezusi buzëqesh zemra më shkrihet.
  • E dëgjoj përsëri. Premtimi i Hyjit se ka për të na dashur dhe ka për të qenë vazhdimisht i pranishëm përmban gjithashtu një sfidë. Unë jam i thirrur të besoj në Jezusin dhe të dua sikurse ai donte. E di që nuk mund ta bëj këtë vetë, por Shpirti i Zotit që jeton në mua e bën të mundur.

 

Bashkëbisedimi

A mund të besoj me të vërtetë në këtë premtim?

Çfarë dua t’i them Hyjit, Atit, Birit dhe Shpirtit, ndërsa i bëj këto fjalë të mia?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Pak dimë për Jozefin, përveç se me përkushtim e ka ruajtur Jezusin dhe Marinë. Ai është mbrojtës i të gjithë atyre që përkujdesen; në dashuri dhe punë është përkujdesur për më të dashurit e tij. Ka qenë njeri besimi që prej engjëllit të Zotit e ka kuptuar se çfarë kërkohet prej tij, dhe këtë e ka bërë. Jezus, ti ke bërë edhe atë çfarë ka bërë Jozefi dhe prej njerëzve me të cilët je rritur – Jozefin dhe Marinë – ke mësuar atë më të mirën. Lutja mund të na përkujtojë sesi nëpërmjet fesë dhe dashurisë së të tjerëve edhe ne jemi rritur në fe dhe dashuri.

Sot e përkujtojmë familjen e shenjët. Një familje gërsheton breza të ndryshëm. Njerëzit e vjetër mund të na duken të parëndësishëm ose madje problematikë, por posedojnë një mençuri të madhe. Zot, ti lehtë bashkëpunon me ata, sepse e kanë një zemër të lirë. O Zot, ma jep hirin që t`i respektoj të moshuarit dhe të mësoj prej tyre. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »