Midis së vjetrës dhe së resë

Dec 31 • Meditimi i ditës

31 dhjetor 2018 – E hënë, Shën Silvestri (Nata e Vitit të Ri), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Gjn 2,18-21; Ps 96,1-2.11-13; Gjn 1,1-18)

 

Prania e Hyjit

Në këto momente, Hyji është këtu i pranishëm,

Ai i jep jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon jetë.

Qëndroj një çast në heshtje,

dhe bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

Do të mundohem që të paktë shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen tu siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
D
ëgjoje Ungjillin e sotëm
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.


Gjn 1, 1-18

 

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:

“Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij

të gjithë ne morëm,

madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,

porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:

Biri i vetëm ‑ që është Hyj,

një natyre me Atin,

Ai bëri të njihet.


Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në dimrin e thellë, në ditën kur vdes një vit i vjetër dhe fillon një i ri, dëgjojmë për dritën e Hyjit që shkëlqen përmes errësirës sonë njerëzore. Jezusi erdhi për të sjellë dritë mbi të gjithë racën njerëzore dhe për mua personalisht. Drita dhe prania e tij mund ta transformojnë plotësisht jetën tonë dhe të na bëjnë krijesa të reja.
  • A e ndjej se ekziston një errësirë në botë, në jetën time? A mund të kërkoj që drita e Hyjit të shkëlqejë në mua, apo preferoj të fshihem në hije? A mund ta pranoj Fjalën e Hyjit në jetën time dhe ta lejoj atë të bëhet i gjallë dhe aktiv në mua?
  • Ndërsa po e lëmë një vit prapa, leximi i sotëm i Shkrimit Shenjt, na kthen te fillimi i kohës. Ndërsa jemi në ndërrimin e viteve, të marrim kohë për të thirrur në vetëdije më të madhen e të gjitha ngarjeve: Hyji hyri në botën tonë, jo vetëm duke bërë një vizitë njëditore, por e bëri atë rezidencën/vendimbanimin e tij të përhershëm.
  • Shpesh themi qe është vështirë të lutesh, sepse nuk mund ta paramendojmë apo ta imagjinojmë Hyjin. E pra, Hyji e sheh këtë problem dhe e portretizon veten në mënyrë të përkryer në Jezusin. Tani e dimë se çfarë mendon Zoti për ne dhe sa na do. Marr vendim për Vitin e ri: në vitin që është para meje do të mundohem më shume ta njoh Jezusin.
  • Ndërsa e dëgjon këtë lexim biblik përsëri, shih nëse mund të mbash mend kohën kur Fjala është bërë mish për ty, kur e ke pasur një ndjenjë konkrete të pranisë së Hyjit në jetën tënde. Si je ndier? Si e ke dalluar praninë e Hyjit-me-ne?

 

Bashkëbisedimi

Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir.

Më është dhënë fuqia të bëhem fëmijë i Hyjit.

Ndërsa i them lamtumirë një viti dhe filloj një tjetër, çfarë dua që kjo fuqi të bëjë në jetën time?

Cilat hire dhe dhurata shumë i dëshiroj t’i marrë këtë vit?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Jezus, ti e sjell Hyjin në mënyrë të plotë në këtë botë. Ti jeton ndër ne, në tokën, qytetin, fqinjësinë tonë. Dashuria dhe drita e jote rrezatojnë gjithkund. Të gjithë ne kjo na ka ndryshuar.

O Zot, ma jep hirin që sot t’i ndaj disa momente, ta kujtoj se si drita e pranisë sate ka ndikuar tek unë në vitin që kaloi. Bëj që të jem bujar dhe të të falënderoj për të gjitha ato gjëra që i kam marrë drejtpërdrejt nga ti, si dhe nëpërmjet dhuratës së njerëzve të tjerë në jetën time.

Tradita jonë e krishtere na mëson që Hyji u bë njeri në mënyrë që njerëzit ta pranojnë hyjnizimin. O Zot, ma jep hirin përmbyllës në këtë vit që kjo e vërtetë e mrekullueshme të hyjë sa me thellë ne mua. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »