Çfarë ylli jam i/e ftuar ta ndjek këtë vit?

Jan 6 • Meditimi i ditës

6 janar 2019 – E diel, Dëftimi i Zotit, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 60,1-6; Ps 71; Ef 3,2-3.5-6; Mt 2,1-12)

 

Prania e Hyjit

Ndalem e pushoj një moment

dhe e marr me mend dashurinë dhe hirin që Hyji e ndikon mbi mua:

jam i/e krijuar në imazhin dhe përngjasimin e Hyjit; jam vend-banim i Hyjit…

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem me ndjenjat e frikës dhe pritshmëritë se çfarë do të “nevojitej” apo “duhej” të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe të rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë marrëdhëniesh – lidhjesh me natyrën, me njerëz, me Zotin.

I lejoj vetes t`i ndiej këto lidhje duke falënderuar për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, dëmtuar, ose janë ndërprerë:

për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Mt 2, 1-12

 

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:

6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,

ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi

ndër qytetet princërore të Judës,

sepse prej teje do të dalë prijësi,

që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”

Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.


 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Lindja e Jezusit provokon shumë përgjigje të ndryshme. Barinjtë i kaplon frika, pastaj mbushen së pari me kureshtje dhe përfundimisht me gëzim të madh. Maria dhe Jozefi përgjigjen me pyetje të dyshimta dhe me shqetësim, por pastaj pranojnë ftesën e Hyjit dhe e çmojnë dhuratën e ofruar. Herodi reagon me frikë, pandershmëri dhe zemërim vrasës. Dijetarët apo Tre Mbretërit reagojnë sipas formimit të tyre arsimor. Ata vendosën të zbulojnë të vërtetën dhe i kaplon gëzimi kur e gjejnë atë.
  • Çfarë do të thotë për mua se Jezusi ka lindur në botë? Nëse unë do të isha i vetmi person që jeton në planet, ai do të kishte ardhur, vetëm për të më shpëtuar. Ndoshta kam mendime dhe ndjenja të përziera të dyshimit, frikës, shpresës dhe gëzimit. A jam i gatshëm të ndjek yllin, duke kërkuar Hyjin që ka ardhur të jetojë mes nesh?
  • E dëgjoj përsëri historinë e njohur: dijetarët, njerëzit e mençur, thesaret, mbreti komplotist. Dhuratat e arit, të temjanit (kemit) dhe mirrnës përfaqësojnë mbretërimin e Hyjit, shenjtërinë dhe sakrificën.

 

Bashkëbisedimi

Ndërsa reflektoj se kush është Jezusi dhe çfarë do të bëjë për hirin tim, çfarë dua t’i them atij? A mund të bie në gjunjë me dijetarët me frikë-nderim dhe admirim?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Më pëlqen adeti kur shkruhen me shkumës emrat G M B (Gaspri, Melkiori, Baltazari) në ballnikët e dyerve të shtëpisë në festën e Dëftimit të Zotit – Tre Mbretërve (Ujit të bekuar). Këto janë emrat që tradita ia atribuon Dijetarëve që përfaqësojnë të gjithë popujt e botës.

Është e vërtetë që gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë në vendet tona, në shtëpitë tona. A po të zbulojnë aty, o Zot? Nëse dashuria dhe drejtësia mund të gjenden në shtëpinë time, vizitorët, ashtu si Dijetarët, do të mbushen me gëzim dhe do të shfaqin respekt – nderim.

Dijetarët, tre shtegtarë-astrologë nga Lindja, e ndjekin yllin në kërkim të hyjnores. Ti, o Zot, zgjedh për t`iu zbuluar autsajderëve, të huajve, pjesëtarëve të popujve të tjerë. Kjo është mësim për mua që në Mbretërinë tënde nuk ka të huaj, nuk ka diskriminim. Kur e kanë gjetur Jezusin janë mbushur me një gëzim të papërshkrueshëm.

Dijetarët e kanë parë yllin dhe me qëndresë e kanë ndjekur. Njerëzit në Jerusalem nuk e kanë bërë këtë. Çfarë ylli jam i/e ftuar ta ndjek këtë vit? Çfarë pasurie do të dhuroj, o Jezus, në shërbim të misionit tënd? O Zot, më dërgo çdo ditë që të jem mbartës i dashurisë për të gjithë ata që do t`i takoj. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »