A zbulohet dashuria e Zotit nëpërmjet meje?

Jan 8 • Meditimi i ditës

8 janar 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 4,7-10; Ps 72,1-4b.7-8; Mk 6,34-44)

 

Prania e Hyjit

Thotë një këngë: ‘Zoti nuk është veçse dashuri. Merr guxim të japësh gjithçka për dashuri. Dhuroje veten pa frikë’.

Në fillim të këtij meditimi, po i dorëzohem dashurisë sate, o Zot.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërhiq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma kujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i/e vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin e sotëm biblik
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.


 

1 Gjn 4,7-10

 

Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. 8 Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. 9 Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij. 10Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona. 


 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në fragmentin e shkurtër që sapo e dëgjuam, dëgjojmë atë që ndoshta është deklarata më e madhe e vetme për Hyjin në gjithë Biblën: Hyji është dashuri. Shprehja më e madhe e dashurisë së Hyjit ishte dërgimi i Birit të tij në botë, në mënyrë që të mund të jetonim nëpërmjet tij. Mendo për njerëzit që i ke takuar në ditët e fundit ose njerëzit që do t’i takosh sot dhe nesër. Si mund të zbulohet dashuria e Hyjit nëpërmjet meje? Përmes tyre?

  • Hyji është dashuri – nuk na thuhet diçka abstrakte. Hyji është dashuri na tregon se çfarë bën Hyji. Dashuria është një aktivitet, jo një cilësi. Duke thënë se Hyji është dashuri sugjeron një Hyj aktiv, që angazhohet, dikush që dëshiron të jetë në marrëdhënie me ne – jo një koncept i largët, “i paprekshëm”, intelektual. Hyji krijon me dashuri, Hyji shpëton me dashuri, Hyji gjykon me dashuri. A ka mënyra për të bashkëpunuar më mirë me Hyjin? më aktivisht? me më shumë dashuri?
  • Dashuria mund të shprehet në shumë mënyra. Dashuria bëhet reale nëpërmjet asaj që themi dhe asaj që bëjmë, dhe nëpërmjet asaj se si i trajtojmë njerëzit e tjerë. Dëgjoje sërish fragmentin biblik. Vë re se sa herë fjala “dashuri” shfaqet në forma të ndryshme në këto vargje të shkurtra.

 

Bashkëbisedimi

Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet” – është Zoti që merr iniciativën, e gjithë ajo që ne mund të bëjmë është të përpiqemi t’i përgjigjemi asaj. Pra, në kohën kur ndihem i/e lodhur dhe pa Zot, mos harro se është veprimi shpëtues i Hyjit, jo përpjekja ime që me të vërtetë ka rëndësi. Si mund të dua t’i përgjigjem tani Hyjit të Dashurisë?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Dashuria jote,  Jezus, të shtynte për t’iu “dalë” në ndihmë njerëzve. Zemra jote e dashur, Jezus, më kërkon, duke dashur të më shërojë dhe këndellë, të mëtërheq drejt vetes tënde.

Nganjëherë duket se kam kontroll mbi çdo gjë, por në pjesët e fshehura të qenies sime jam si deljapa bari. Më ndihmo, o Zot, ta dëgjoj zërin tënd dhe më jep përvujtëri të shkoj pas tij. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »