Prania misterioze e Krishtit mes stuhive të jetës

Jan 9 • Meditimi i ditës

9 janar 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 4,11-18; Ps 72,1-2.12-13; Mk 6,45-52)

 

Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria
O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëhiq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi
Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se kush jam përnjëmend.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

Krejt hapur i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala 
Lutju Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Mk 6,45-52

 

45 Dhe menjëherë i nguti nxënësit e vet të hyjnë në barkë e të kalojnë në anën e kundërt drejt Betsaidës, derisa ai ta përcillte popullin. 46 Kur e përcolli popullin, u ngjit në mal për t’u lutur.

47 Kur u bë natë, barka ishte në mes të detit, kurse Jezusi vetëm në tokë. 48 Kur i pa se si hiqnin keq duke rremuar ‑ sepse era fryente nga ana e kundërt ‑ diku rreth rojës së katërt, Jezusi erdhi tek ata duke ecur përmbi det. Deshi t’i kalojë, 49 por ata, posa e panë duke ecur përmbi det, menduan se është fantazmë e bërtitën: 50 sepse e panë të gjithë e u trembën. Por Jezusi menjëherë filloi të flasë me ta e u tha:

“Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!”

51 Dhe hipi tek ata në barkë e era pushoi. E mbetën krejtësisht të habitur, 52 sepse ende nuk e kishin kuptuar vështrimin e mrekullisë së bukëve: mendja e tyre ishte e paaftë të kuptonte.


 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mundohu ta vendosësh veten në këtë skenë. Jezusi sapo ka mbaruar së ushqyeri turmën e njerëzve. Ai i ngut dishepujt e tij të hyjnë në një barkë dhe të lundrojnë për në anën tjetër të Detit të Galilesë, pastaj kthehet për ta dërguar turmën në shtëpi. Ndiqe ndërsa shkon në mal për t’u lutur. Çfarë sheh? Si do ta përshkruaje skenën? Si shfaqet Jezusi? A është i shqetësuar? Në paqe? Ku je ti në këtë skenë?
  • Disa herë në ungjij, shkrimtarët e ungjijve e tërheqin vëmendjen tek Jezusi në lutje. Në ungjillin e Markut, lutja dhe misioni i Jezusit janë të lidhura ngushtë në mes veti. Si lutesh ti? A është lutja një pjesë themelore e jetës sate?
  • Në fragmentin biblik dëgjojmë për Jezusin që ecën përmbi det. Marku na tregon se Jezusi e bën këtë sepse «ai deshi t’i kalojë». Frazë e çuditshme, por kjo nuk është ajo që ne mund të mendojmë! Në Besëlidhjen e Vjetër, Moisiu iu lut Hyjit t’ia zbulonte lavdinë e vet. Hyji e bën këtë, duke iu afruar Moisiut dhe më pas duke kaluar. Këtu, në det, Jezusi iu shfaqet dishepujve të vet, ai iu afrohet atyre dhe zbulon identitetin e vet: Kur e dëgjon përsëri fragmentin e ungjillit, si ndihesh kur Jezusi thotë: “Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!”

 

Bashkëbisedimi

Ndërsa e merr me mend skenën, a mund të kesh besim në praninë misterioze të Krishtit mes përpjekjeve dhe stuhive të jetës sate? Merr një moment tani për t’u lutur për guxim dhe për besim në mirësinë e Zotit, pavarësisht të gjitha problemeve dhe tragjedive që mund t’i shohësh rreth vetes.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Lutja nuk të ka larguar nga bota, Jezus, por i ka thelluar lidhjet me të gjithë ata që ishin rreth teje, veçanërisht me njerëzit nevojtarë. Në këtë kohë përqendrimi me devocion bëj, o Zot, që të m’i tregosh ata që mund t`iu ndihmoj.

Nxënësit patën fat sepse jetuan me ty, Jezus, dhe të dëgjuan. Megjithatë, diçka i pengonte për ta pranuar porosinë në zemrat e tyre. Edhe unë kam marrë shumë bekime. Bëj, o Zot, që ato bekime mos t`i fsheh apo të bëhem mosmirënjohës/e. Më ndihmo, o Zot, që të di ta çmoj praninë tënde. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »