Prioritetet e Jezusit, a gjejnë jehonë në jetën time?

Jan 10 • Meditimi i ditës

10 janar 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 4,19 – 5,4; Ps 72,1-12.14.15bc.17; Lk 4,14-22a)

 

Prania e Hyjit

Përqendrohem për një moment në frymëmarrjen time, në frymën që është brenda meje, në jetën që është brenda meje, në frymën – jetën – që Zoti ma ka dhënë.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.


 

Lk 4, 14-22a

 

14 Atëherë Jezusi me fuqinë e Shpirit Shenjt u kthye në Galile dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. 15 Mësonte nëpër sinagogat e tyre i nderuar prej të gjithëve.

16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:

18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua

sepse Ai më shuguroi!

Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin,

të verbërve dritën e syve;

t’i lëshoj në liri të ndrydhurit,

19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’

20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha:

“Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”

22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij.


 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi ishte i qartë dhe i sigurtnë lidhje me misionin e vet. Ai nuk binte në dëshpërim kur përballej me varfëri, robëri dhe sëmundje, por shihte një mundësi për të vendosurmbretërinë e Hyjit.
  • Shpallja e Lajmit të gëzueshëm, ofrimi i lirisë së vërtetë dhe vizioni i ri janë karakteristika të një jete të krishterë. Do të mendoj se në ç`mënyrë prioritetet e Jezusit gjejnë jehonë në jetën time.
  • E lexoj edhe njëherë fragmentin biblik dhe lejoj që të pushoj në disa fjalët të tij.

 

Bashkëbisedimi

Ç`ndodh në mua kur lutem?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Jezus, të kanë lavdëruar të gjithë. I tërhiqte personaliteti, hijeshia dhe dashuria jote. Ndoshta fjalët dhe mënyra se si flisje. Dikush mund të flet për dashurinë e Hyjit në mënyrë pozitive dhe nxitëse, kurse dikush në mënyrë tmerruese. Njerëzit e njihnin jetën si dhe fjalët e tua, Jezus. Më vonë, për fat të keq, do të dëbojnë. Dëshiroj të të lavdëroj dhe të falënderoj tani. Më pëlqen mënyra jote e të jetuarit? Mirënjohja dhe lutja shkojnë së bashku. Zot, më fton që ta ndryshoj jetën dhe të besoj në Lajmin tënd të gëzueshëm. Ma thello besimin. Bëj që të pranoj ty dhe fjalën tënde dhe të besoj në Zotin e dashurisë të cilin ke ardhur ta zbulosh. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »