A e dëshmojnë fjalët e veprat e mia se kush jam unë?

Jan 11 • Meditimi i ditës

11 janar 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 5,5-13; Ps 147,12-15.19-20; Lk 5,12-16)

 


Prania e Hyjit
Fillo duke marrë frymëthellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjithashqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde.

 

Liria
O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga rënia në sy, të qenurit ekstrem dhe nga teprimi.
Mos lejo që të më robërojë dëshira për posedim dhe pasuri.
Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 


Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

1Gjn 5,5-13

 

5 Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit?

6 Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. 7 Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: 8 Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme. 9 Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe. E dëshmia e Hyjit është kjo, me të cilën dëshmoi për Birin e vet: 10 kush beson në Birin e Hyjit e ka dëshminë në vetvete. Kush nuk i beson Hyjit, e ka bërë Atë gënjeshtar, sepse nuk i ka besuar dëshmisë, me të cilën Hyji i bëri dëshmi Birit të vet. 11 Dhe kjo është dëshmia: Hyji na e dha jetën e pasosur, e kjo jetë është në Birin e tij. 12 Kush e ka Birin, ka jetën, kush nuk e ka Birin e Hyjit, nuk e ka jetën.

13 Kaq ju shkrova juve që besoni në Emrin e Birit të Hyjit, që ta dini se e keni jetën e pasosur.


 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mund të duket të jetë një lexim shumë i vështirë, i çuditshëm dhe madje shqetësues sot. Ekziston një thënie e vjetër: nëse sillesh përpara një gjykate dhe akuzohesh se je i krishterë, a do të kishte mjaft prova për të të dënuar?
  • A do të dinte dikush se çka them ose mënyrën se si e jetoj jetën time, se jam i krishterë? A e dëshmojnë fjalët e mia ose veprat e mia se kush jam unë?

Atmosfera e dhomës së gjyqit luan një rol shumë të madh në leximin e sotëm. Ndërsa e dëgjon leximin përsëri, vë re se sa herë është përmendur fjala dëshmi dhe dëshmoj.

 

 

Bashkëbisedimi

Të besosh në Jezu Krisht nuk është thjesht të pranosh atë që Krishti thotë si të vërtetë; na duhet të vendosemi, të dorëzohemi tani dhe gjatë gjithë kohës në duart e Krishtit. A mund t`i bëj sot të miat, fjalët e fundit të Jezusit: “në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Kërkesat ndaj teje, Jezus, ishin të mëdha, pritjet e shumta. Megjithatë, ti arrije të qëndroje i fokusuar,të mbaje marrëdhënien me Hyjin. O Zot, mos qofsha kurrë aq shumë i zënë me punë që mos të të kushtoja kohë ty, ne.

A ka ndonjë vend ku do të mund të shkoja apo ndonjë kushtqë do të mund të krijoja që të “tërhiqem në një vend të vetmuar?” Të mësoj se si ta vendosi jetën time në duart e tua. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës.

Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »