Cila është detyra – misioni im i jetës?

Jan 12 • Meditimi i ditës

12 janar 2019 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 5,14-21; Ps 149.1-6a.9b; Gjn 3,22-30)

 

Prania e Hyjit
Zoti është Shpirt; Shpirti jep jetë.

Zoti është burimi i gjithë jetës, dikush në të cilin jetojmë dhe lëvizim dhe ekzistojmë.

 

Liria
Kur e ndjej veten të robëruar dhe kur më shtypin të gjitha sende,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në hapësirën në të cilën gjendem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri shpirti të drejtohem ty, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe për fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Gjn 3,22-30

22 Pastaj Jezusi shkoi me nxënësit e vet në tokën e Judesë. Aty u vendos me ta dhe pagëzonte. 23 Edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte mjaft ujë. Njerëzit shkonin dhe pagëzoheshin. 24 Gjoni ende nuk ishte burgosur.

25 Tashti ndodhi një rragatje lidhur me pastrimin ligjor ndërmjet nxënësve të Gjonit e një çifuti. 26 Shkuan te Gjoni dhe i thanë:

“Rabbi, ai që ishte me ty matanë Jordanit ‑ ai për të cilin ti bëre dëshmi ‑ edhe ai po pagëzon, dhe të gjithë po shkojnë tek ai.”

27 Gjoni u përgjigj:

“Askush s’mund të marrë për vete asgjë

nëse nuk iu dha prej qiellit!

28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë:

‘Unë nuk jam Mesia, por jam: i Dërguari para tij.’

29 Kush ka nusen, është dhëndër.

Dashamiri i dhëndrit,

i cili i rri pranë dhe e dëgjon,

kënaqet kur e dëgjon zërin e dhëndrit.

I tillë është, pra, gëzimi im: arriti në kulm!

30 Ai duhet të rritet

e unë të zvogëlohem.”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  • Gjon Pagëzuesi kishte një mision të shkurtë, por shumë të rëndësishëm: për ta treguar Qengjin e Hyjit. E ndjente se po vjen momenti kur do të paraqitet Mesia i premtuar dhe nuk ka qenë xheloz që njerëzit shkonin pas Jezusit. Për këtë arsye tha: “Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem”.
  • Cila është detyra ime e jetës, misioni im jetësor? A i lejoj Jezusit që të rritet në mua, që të më mbush me frymën e tij për të qenë i aftë t`i përgjigjem thirrjes së tij?
  • E lexoj edhe një herë tekstin biblik dhe vërej ç`po ndodh në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi
Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuaratë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çelizemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty. Të jesh i pagëzuar me Shpirtin Shenjt dhe zjarr, siç pagëzoje ti, Jezus, do të thotë të jesh i pagëzuar me flakën pastruese të dashurisë së Hyjit. Si vëllezër dhe motra të Krishtit të gjithë jemi bij dhe bija të dashur të Zotit. A besoj përnjëmend në këtë? Nëse jo, e lus Zotin: më ndihmo, o Zot, që t`i largoj ato pengesa që më pengojnë besimin. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »